Spanja ka përshkallëzuar përplasjen diplomatike me Italinë, duke i dërguar Romës një notë zyrtare me tone të ashpra pas vendimit të qeverisë italiane për të rikthyer kontrollet kufitare ndaj shtetasve spanjollë. Madridi i kërkon Italisë të heqë menjëherë kufizimet, duke i cilësuar ato të padrejta, diskriminuese dhe në kundërshtim me interesat e Bashkimit Europian.

Në deklaratën zyrtare, qeveria spanjolle i bën thirrje Italisë t'i japë fund kontrolleve kufitare dhe "t'i trajtojë qytetarët spanjollë si të gjithë qytetarët e tjerë europianë". Në të kundërt, paralajmëron se nëse Roma nuk e ndryshon vendimin deri të dielën, më 9 gusht, Spanja do të detyrohet të marrë "masa proporcionale për të mbrojtur interesat dhe dinjitetin e qytetarëve të saj".

Sipas medias italiane Corriere della Sera, kriza diplomatike mes dy vendeve ka arritur në pikën më të lartë. As mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, e zhvilluar më 4 gusht, nuk arriti të ulte tensionet. Në atë takim u shpreh solidaritet i përgjithshëm me Spanjën dhe u diskutua nevoja për forcimin e kontrolleve në kufijtë e jashtëm të BE-së, por përplasja mes Madridit dhe Romës vijoi të thellohej pas ngjarjeve në Ceuta.

Në notën e qeverisë spanjolle thuhet se Italia rivendosi kontrollet kufitare më 1 gusht, duke ndikuar në lëvizjen e mijëra personave dhe duke krijuar pasiguri juridike në kulmin e sezonit turistik. Sipas Madridit, masa u mor në mënyrë të njëanshme, pa paralajmërim dhe me argumente që nuk respektojnë Kodin Kufitar të Shengenit.

Nga ana tjetër, qeveria italiane e ka justifikuar vendimin si një masë të përkohshme për mbrojtjen e sigurisë publike dhe rendit, pas hyrjes së mbi 73 mijë emigrantëve në Ceuta gjatë javës së kaluar.

Megjithatë, Spanja kundërshton këtë argument. Në deklaratë thuhet se asnjë prej emigrantëve që hynë në Ceuta nuk mund të hyjë lirisht në hapësirën Shengen, pasi qyteti autonom gëzon një status të veçantë brenda sistemit europian. Sipas qeverisë spanjolle, pothuajse të gjithë emigrantët janë kthyer tashmë në Marok.

Madridi i drejton edhe akuza të forta Italisë për mënyrën se si ka menaxhuar emigracionin në vitet e fundit. Duke iu referuar të dhënave të Frontex, qeveria spanjolle pretendon se Italia është shteti anëtar që ka regjistruar numrin më të lartë të kalimeve të parregullta në kufijtë e Bashkimit Europian, me shifra rreth dy herë më të larta se ato të Spanjës.

Në të njëjtën deklaratë thuhet gjithashtu se Italia nuk ka respektuar Rregulloren e Dublinit që nga viti 2022, duke shtuar presionin migrator mbi vendet e tjera anëtare të BE-së.

Qeveria e Pedro Sánchez nënvizon se, ndryshe nga Italia, Spanja nuk ka vendosur kurrë kontrolle kufitare ndaj shtetasve italianë dhe ka treguar solidaritet në menaxhimin e emigracionit. Si shembull përmendet pranimi i një pjese të emigrantëve që mbërritën në Lampedusa në vitin 2023, si edhe hapja e rregullt e porteve spanjolle për emigrantët e shpëtuar në rrugën e Mesdheut Qendror.

Pak orë pas ultimatumit të Madridit, erdhi edhe përgjigjja zyrtare e qeverisë italiane. Në një deklaratë të Palazzo Chigi thuhet se Italia "nuk pranon ultimatume apo imponime nga jashtë" për çështje që lidhen me sigurinë kombëtare dhe kontrollin e kufijve.

Roma thekson se nuk ka ndërmend të rishikojë vendimin për pezullimin e zbatimit të marrëveshjes së Shengenit për shtetasit e vendeve të treta që vijnë nga Spanja, të paktën deri më 15 gusht ose derisa të përjashtohet plotësisht çdo rrezik për sigurinë dhe terrorizmin në Itali.

Sipas qeverisë italiane, afati i 15 gushtit lidhet me paralajmërimet e autoriteteve spanjolle për një valë të re emigrantësh në Ceuta. Vetëm pasi të ketë garanci se nuk do të ketë rreziqe për sigurinë, nuk do të ketë një valë të re migratore dhe nuk do të ketë emigrantë të parregullt që synojnë territorin evropian, vendimi mund të rishikohet.

Palazzo Chigi thekson se masa nuk është ndërmarrë kundër Spanjës, të cilën e cilëson një vend mik, duke kujtuar se edhe në të kaluarën Italia ka marrë vendime të ngjashme, ashtu si edhe vende të tjera të Bashkimit Evropian ndaj Italisë dhe vetë Spanjës. Ndërkohë, autoritetet italiane premtojnë se do të garantojnë lëvizjen sa më të lehtë për qytetarët spanjollë dhe ata të Bashkimit Evropian, duke sqaruar se kontrollet nuk prekin kufijtë ajrorë dhe detarë.

Edhe ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, mbrojti vendimin e qeverisë, duke deklaruar se masa është e përkohshme, lejohet nga traktatet e Bashkimit Evropian dhe do të hiqet sapo të mos ekzistojë më rreziku. "E refuzojmë polemikën. Pezullimi i masës do të vijë kur të ketë kaluar rreziku", tha ai, duke shtuar se kontrollet zbatohen në mënyrë selektive dhe nuk krijojnë pengesa shtesë.

Reagime pati edhe nga politika italiane. Delegacioni i Legës në Parlamentin Evropian akuzoi kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez se në vend që të kërcënojë Italinë, duhet të mendojë për mbrojtjen e kufijve spanjollë dhe atyre evropianë nga emigracioni i paligjshëm. Ndërsa eurodeputeti i Fratelli d'Italia, Carlo Fidanza, e cilësoi Sánchez "një kërcënim për integritetin e Shengenit".