Përplasja mes Italisë dhe Spanjës për rivendosjen e kontrolleve kufitare ka ngritur edhe një sërë pyetjesh për qytetarët që udhëtojnë mes dy vendeve. Kush do të kontrollohet? A preken qytetarët e Bashkimit Evropian? Çfarë ndodh me italianët që udhëtojnë drejt Spanjës dhe sa kohë do të zgjasin masat? Pas vendimit të qeverisë italiane për të rivendosur përkohësisht kontrollet në kufijtë ajrorë dhe detarë me Spanjën, autoritetet në Romë kanë sqaruar se si do të zbatohen rregullat e reja, kë do të prekin ato dhe në cilat raste lejohet pezullimi i përkohshëm i marrëveshjes së Shengenit.
Më poshtë janë përgjigjet për pyetjet kryesore mbi funksionimin e kontrolleve kufitare dhe rregullat që parashikon legjislacioni evropian.
1. Çfarë sjell pezullimi i përkohshëm i Shengenit për ata që mbërrijnë nga Spanja?
Vendimi i Italisë për të pezulluar përkohësisht efektet e marrëveshjes evropiane për lëvizjen e lirë parashikon rivendosjen e kontrolleve policore nga 1 deri më 31 gusht. Në rastin e Italisë dhe Spanjës, kontrollet do të kryhen në kufijtë ajrorë dhe detarë, pasi dy vendet nuk kanë kufi tokësor.
Policia në aeroporte dhe porte do të rikthejë verifikimin e kartave të identitetit dhe pasaportave. Megjithatë, rivendosja e kontrolleve nuk sjell asnjë ndryshim për udhëtimet e qytetarëve spanjollë dhe të vendeve të Bashkimit Evropian drejt Italisë. Ata do të vazhdojnë të hyjnë në vend si zakonisht, pa procedura shtesë burokratike.
Kontrollet do të jenë të përqendruara vetëm te shtetasit e vendeve të treta (jashtë BE-së) që mbërrijnë nga Spanja, për të verifikuar nëse plotësojnë kushtet për hyrje të rregullt në Itali. Masa do të mbetet në fuqi për një muaj, deri më 31 gusht.
2. A do të ndryshojë diçka për italianët që udhëtojnë drejt Spanjës dhe kujt do t'u bëhen kontrollet?
Për qytetarët italianë që udhëtojnë drejt Spanjës nuk ndryshon asgjë. Po ashtu, masa nuk sjell asnjë ndryshim për udhëtimet e qytetarëve spanjollë dhe të vendeve të Bashkimit Evropian drejt Italisë, të cilët do të vazhdojnë të hyjnë në vend pa asnjë procedurë shtesë burokratike.
3. Është hera e parë që Italia pezullon Shengenin?
Jo. Një masë e ngjashme u vendos edhe në tetor të vitit 2023 në kufirin me Slloveninë, për të frenuar efektet e emigracionit të paligjshëm përgjatë rrugës ballkanike. Ky vendim vazhdon të jetë ende në fuqi.
4. Sa herë është pezulluar Shengeni në nivel evropian?
Janë rreth 500 vendime të marra nga vendet që i janë bashkuar marrëveshjes së Shengenit të vitit 1985 (Italia iu bashkua në vitin 1990), me përjashtim të Irlandës dhe Qipros.
Për shembull, në qershor të këtij viti, qeveria sllovene vendosi t'i japë fund pezullimit të kontrolleve në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, të vendosur për shkak të paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme.
Rasti i parë i pezullimit të Shengenit ishte ai i Francës në vitin 2006, pikërisht në kufirin me Spanjën, pas trazirave në Rajonin Bask. Austria është vendi që e ka përdorur më shpesh këtë mekanizëm, e ndjekur nga Gjermania, Norvegjia dhe Finlanda. Në listën e vendeve që kanë marrë masa të ngjashme janë edhe Republika Çeke, Sllovakia dhe Polonia.
5. Për cilat arsye të tjera, përveç emigracionit të paligjshëm, mund të pezullohet Shengeni?
Ndër arsyet që çuan Romën në marrjen e këtij vendimi janë edhe masat e sigurisë gjatë samiteve të rëndësishme ndërkombëtare, si G8 apo G20.
Megjithatë, pezullime të përkohshme janë vendosur jo vetëm për të frenuar emigracionin e paligjshëm, por edhe gjatë valës së sulmeve terroriste në Francë dhe Belgjikë në vitet 2015-2016, si edhe gjatë pandemisë së Covid-19.
Shtetet që janë pjesë e Shengenit mund të rivendosin kontrollet kufitare edhe si masë e fundit në rast të një kërcënimi serioz për sigurinë e brendshme, problemeve të rendit publik ose situatave të jashtëzakonshme, si manifestime, aktivitete sportive apo ngjarje politike.
6. Çfarë parashikojnë rregullat për pezullimin e Shengenit?
Sipas rregullave në fuqi, pezullimi mund të zgjasë një muaj. Megjithatë, masa mund të zgjatet për aq kohë sa vazhdon kërcënimi që çoi në marrjen e saj.
Ajo mund të shtyhet deri në gjashtë muaj, ndërsa në raste emergjente mund të vendoset fillimisht për 10 ditë, me mundësi zgjatjeje edhe për një periudhë tjetër 10-ditore./CorrieredellaSera











Komente
Komento