Në Beograd, së paku një pjesë e tij, dukej sikur koha ka mbetur e ngrirë në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

Vojisllav Sheshel, kryetar i Partisë Radikale Serbe, i cili ka lënë gjurmë të përgjakura në ato vite, për çka edhe po gjykohet në Tribunalin Ndërkombëtar për krime të luftës në ish-Jugosllavi, është pritur, siç mund të shihet në pamjet televizive - me klithma histerike entuziazmi e përkrahjeje të ithtarëve të tij, ndërsa shumë gra janë përpjekur ta përqafojnë e ta puthin.

Vojvodën çetnik e kanë pritur me ovacione në Aeroportin e Beogradit pas kthimit nga Haga, prej ku është liruar përkohësisht, për shkak të sëmundjes së rëndë, kancerit të përhapur në dy metastaza, nga frika se “mos po u ndodh më e keqja”, siç u ka ndodhur dikur me Millosheviqin.

Të shtunën ai ka paralajmëruar se do të mbajë një miting në kryeqytetin e Serbisë, meqë për këtë nuk ka kufizime nga Tribunali e, me gjasë, edhe po të kishte, ato nuk do të bënin punë, sepse ai ka deklaruar triumfalisht se “e ka mposhtur Tribunalin” dhe se në Serbi po kthehet “për hakmarrje!”

Eksponent i politikës ekstreme të djathtë qysh në kohën e komunizmit, Shesheli në vitet e tetëdhjeta, derisa Serbia e kishte filluar fushatën agresive për t’ia hequr Kosovës statusin e njësisë së barabartë federale në Jugosllavinë e atëhershme, propozonte që kryeqyteti i Serbisë dhe ish-RFSJ-së të zhvendoset në Kosovë, me qëllim “të serbizimit të serishëm të krahinës”.

Ndonëse kanë pasur edhe konflikte, Shesheli e ka ndihmuar të mbesë në pushtet Millosheviqin, ndërsa me paramilitarët e tij ka qenë dorë e zgjatur e “kasapit të Ballkanit” në spastrim etnik e krime mizore.
Ekspeditën e tij luftarake e ka filluar në Kroaci, me porositë mbi “kufirin e ardhshëm perëndimor të Serbisë së Madhe” në vijën Karlobag-Karlovac-Virovitica.

“Milosheviq më ka lutur që ne, radikalët, të organizojmë intensivisht dërgimin e vullnetarëve përtej Drinës, duke na premtuar ndihmë në armë, uniforma e transport.
Të gjitha depot ushtarake e policore i kemi pasur në dispozicion, e vullnetarët tanë rregullisht janë përfshirë në njësitë e APJ-së, ushtrinë serbe apo aradhat e policisë...", i ka deklaruar ai një gazetari nga Kroacia.

Besohet se paramilitarët e tij, bashkë me pjesëtarë të APJ-së, natën mes 20 e 21 nëntorit të vitit 1991, gjatë operacionit për okupimin e Vukovarit, kanë vrarë mbi 250 civilë, kryesisht kroatë, të cilët janë marrë nga spitali, ku kanë qenë pacientë, janë transportuar në Ovçarin e afërt dhe janë ekzekutuar.

Ai akuzohet edhe për ndjekjen dhe likuidimin e kroatëve nga Vojvodina, sidomos në Srem, në rastin më të njohur të Hërtkovcit, të cilin edhe e ka riemëruar në “Sërbisllav”.

Kryetarja e Këshillit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka deklaruar dje se Vojisllav Shesheli është simbol i pastrimit etnik dhe se është për t’u brengosur se si kthimi i tij paraqitet “në mënyrë të reduktuar”, pa fjalë mbi krimet për të cilat është gjykuar.

Mediet sllovene, ndonëse theksojnë se “i ka mbetur vetëm hija”, megjithatë, tërheqin vërejtjen për pasojat psikologjike që mund të ketë rajoni i gjerë, për shkak të rolit të Sheshelit në spastrimet etnike dhe theksojnë se është e frikshme “ikonografia çetnike” me të cilën e kanë pritur ithtarët e tij në Beograd.

Natyrisht, përkujtojnë edhe se anëtarët e dikurshëm të partisë së tij, kryetari serb, Tomisllav Nikoliq, dhe kryeministri, Aleksandar Vuçiq, dikur njeri i dytë dhe i tretë i partisë së tij, janë ndarë “për shkak të ekstremizmit” dhe këta të fundit angazhohen “për vlera evropiane”.

Por, se Nikoliq e Vuçiq ende duan t’i mbajnë larg serbët e rëndomtë nga të vërtetat e të nëntëdhjetave, duke ua pamundësuar kështu të përjetojnë katarzën pas e histerisë nacionaliste, u pa qartas të hënën, në Beograd, ku kryeministri Vuçiq u ndje “i provokuar" nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili “ia përkujtoi” se Kosova tashmë është e pavarur dhe se ky është fakt i kryer.

Ç’është më keq, udhëheqja serbe dëshmoi se, jo vetëm me qasjen ndaj Rusisë do të zhvillojë “politikë në dy binarë”, por se këtë e ka rezervuar edhe ndaj Kosovës e shqiptarëve.