Është e ngjashme historia e saj me shumë histori të tilla, ku vajzat rendin drejt martesës, lënë shkollën, bëjnë fëmijë dhe jetojnë në zhgënjim. Ndërkohë që martesat në moshë të mitur janë kthyer në një shqetësim të madh në zonat rurale, ato të malësisë dhe komunitetit rom. Gjithmonë dhe më shumë shënohen raste kur vajzat martohen dhe lindin fëmijë nën moshën 15-16 vjeçare.
Zhgënjimi
Valentina sot jeton e martuar me të dashurin e saj, që i përket një komuniteti tjetër, atij të egjyptianëve të Shqipërisë. Ajo e mori vendimin për t’u martuar një vit më parë. Ra në dashuri kur ishte 15 vjeç dhe jetoi lidhjen e saj e fshehur prej familjes dhe të afërmve. E dinte se do ta kishte të vështirë që t’u pranonte familjarëve lidhjen e saj, edhe për shkak të paragjykimit për prejardhjen e tij, edhe për shkak të faktit se i dashuri i saj ishte një jetim i varfër dhe pa asnjë të ardhme të sigurtë ekonomike. Shtatë vitet e shkollimit të tij janë shumë pak për të ndërtuar një të ardhme të mirë.
Paratë që merr nga puna si lavazhist janë të pakta. Fitimi më i madh mund të jetë 5 mijë lekë të vjetra në ditë, ndërsa më i vogli 2 mijë lekë. “Tri ditët e fundit nuk ka fituar asnjë lek”, tregon Valentina me sytë përdhe. Ata të dy nuk kanë fëmijë. Kanë vendosur të mos kenë fëmijë derisa ajo të mbarojë shkollën dhe të ketë një punë të sigurtë. Por, për të mbaruar shkollën, atë e pengon jeta e vështirë. Pas largimit nga shtëpia, familjarët e saj nuk i flasin më. Atë e merr malli shumë për ta, por nuk guxon të shkojë t’i takojë.
Druan se do ta nxirrnin përjashtë. I është rikthyer gjimnazit, ndërkohë që nuk rresht së kërkuari punë kudo që të mundë. “Korça është një qytet i vështirë për të gjetur punë. Kam kërkuar shumë, por nuk kam gjetur. Puna e fundit ka qënë si pastruese në një hotel, por pagesa ishte shumë e ulët, ndaj e lashë”, tregon ajo. Poshtë lëkurës së saj të pastër dhe të pjekur ajo ka akumuluar një shtresë urrejtjeje dhe zhgënjimi. “Më kanë lënduar shumë njerëz – tregon - më kanë vrarë me fjalët e tyre. Nuk jam njeriu që do të donte të urrente, por druaj se nuk e përballoj dot gjithë këtë zhgënjim” - tregon dhe në fytyrë i mblidhet një re e zezë mërzie, që mundohet ta largojë nga tiparet e saj. Fakti që është rome e ka penalizuar.
Në një nga supermarketet ku punonte si pastruese, disa ditë pasi kishte filluar, punën pronari e pyet për origjinën e saj. “I thashë që jam kurbatkë, tregon ajo, dhe të nesërmen ai më hoqi nga puna, duke thënë se nuk kishte mundësi të më paguante. Punoja shumë orë për të. Nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 9 pasdite, pastroja supermarketin dhe ndihmoja klientët të fusnin ushqimet në qese. E gjithë pagesa ishte 4 mijë lekë të vjetra në ditë. Kishte ditë që më jepte edhe vetëm 2.500 ose 3.000 lekë të vjetra, se gjatë ditës më jepte për të ngrënë ndonjë ‘molto’”, tregon ajo. Pyetjes nëse i kishte kërkuar pronarit të respektonte marrëveshjen mes palëve, ajo i përgjigjet : “Unë kam një tip, që nuk dua të hyj në sherre me njeri. Unë dua që ata vetë ta kuptojnë se nuk po sillen me drejtësi”.
Dashuria, sa larg nga realiteti
Fillimisht, kur u martuan, ata jetuan me të afërmit e të shoqit, ndërsa aktualisht jetojnë në shtëpinë e një mikut të tyre, që ua ka lënë në ruajtje dhe paguajnë vetë dritat dhe ujin. Për dashurinë, vite më parë ajo do të pinte një grusht me ilaçe valiumi për të ikur nga kjo botë, sepse mendonte që dashuria e tyre platonike kishte marrë fund. Sot, kur e tregon ngjarjen, ndihet fajtore për veprimin e saj, të cilin e quan si papjekuri. Fati që shpëtoi gjallë ishte se e ëma e saj u ndodh në shtëpi. Veprim, për të cilin është penduar dhe pendohet sa herë e kujton.
Pyetjes si është jeta bashkëshortore i përgjigjet se është e vështirë. Mes tyre kanë filluar sherre, që nisin nga një gjë e vogël, për të përfunduar në një grindje të madhe. Prindërit e Valentinës dikur i kishin siguruar kushte të mira jetese. Babai i saj punon si kaldaist në spitalin e Korçës dhe njëkohësisht shet telefona në pazar, ndërsa e ëma punon si rrobaqepëse. Valentina sot shprehet që e ka harruar atë jetë. Ajo sot gatuan gjëra të thjeshta. Nuk blen pothuaj kurrë mish, nuk blen produkte që i konsideron të shtrenjta.
Realiteti i saj i ri e ka vënë në vështirësi të shoqin, i cili ndihet fajtor për gjëndjen e tyre ekonomike dhe i kujton asaj nga çfarë e kaluare ka ardhur: “Unë i them tim shoqi që do t’ia dalim; nuk ka problem që unë kam pasur një jetë të mirë dikur, unë tani jam mësuar me këtë jetë. Sherret tona dihet fillojnë për probleme ekonomike, sepse unë gjithmonë e këshilloj të mos e teprojë me ushqime, por të na blejë ato që na duhen më shumë”, tregon ajo.
Dashuria
“A ke menduar ndonjëherë ta lësh tët shoq?” kjo është pyetja që Valentinën e vë në mendime. I përgjigjet se po, edhe mund që ta linte, por nuk do ta bënte kurrë, sepse ai, - thotë - vetëm mua më ka në këtë botë. Më duket e padrejtë që ta braktis. Ndërsa pyetjes nëse martesa i duket diçka e bukur, ende ajo i përgjigjet negativisht. Mendon që vajzat duhet të martohen pasi të kalojnë të 20-tat. “Ajo që mendoja për martesën, kur isha e pamartuar, nuk i ngjan fare realitetit”, shprehet. Ndërsa tregon që njeh edhe vajza të tjera të martuara hershëm, si një mikja e saj 14-vjeçare, e cila qan fshehurazi, duke mos e përballuar dot presionin familjar, ku të gjithë e trajtojnë si një të rritur, që duhet të marrë gjithë përgjegjësitë mbi supe.
Këtë lloj rrënimi iluzionesh edhe Valentina e përjeton çdo ditë, ndonëse beson se do ta gjejë forcën për t’ia dalë në jetë së bashku me bashkëshortin, Bardhi Shkoza. Në duar ka dy unaza. Një unazë argjendi, dhuratë nga kushërira e saj dhe një bizhu të thjeshtë, në të cilën është shkruar “Love”. I shoqi nuk i ka blerë ndonjë unazë dhuratë. Për ditën e të dashuruarve, ajo, me kursimet e saj stërmunduese, i pati blerë një byzylyk argjendi, ndërsa ai i dhuroi një varëse, që ajo e përdor sa më rrallë, se ka frikë se mos i prishet.
Shkolla
Letërsia është lënda që e tërheq më shumë. Ka pak kohë që ka përfunduar së lexuari romanin “Gruaja e hekurt” dhe thotë se i ka pëlqyer shumë. Marrëdhënia e saj me shkollën është shumë e fortë. Para se të niste gjimnazin, familja donte që ajo të mos e vazhdonte arsimimin e saj, sepse duhej të kujdesej për vëllain e vogël, por Valentina iku dhe u regjistrua vetë në shkollë. Me një forcë të madhe, që struket brenda trupit të saj të hajthshëm, ajo shprehet se i pëlqen shkolla dhe do ta vazhdojë atë. Thotë se ka rënë nga mësimet sepse vështirësitë ekonomike dhe problemet nuk e lejojnë të jetë më e përqendruar. Bashkë me martesën, në jetën e saj kanë mbërritur edhe pengesat.
Më parë, ajo ka ndjekur në Tiranë një kurs të quajtur “Akademia politike”, por e ka lënë në mes. Pyetjes nëse do të donte ta vazhdonte përsëri, ajo i përgjigjet pozitivisht, por shton se i shoqi është xheloz. Jeta e saj ka mbetur pezull midis gjërave që dëshiron të bëjë dhe atyre që e pengojnë. Shprehet se do të regjistrohet në bibliotekën e qytetit dhe do të marrë aty libra për të lexuar. I mungon një dritare për të ajrosur mëndjen, në të njëjtën kohë që rruga ku po ecën i përngjan një tuneli.
Studimi
Martesat në moshë të hershme janë kthyer në një problem real në Shqipëri. Për këtë janë kryer një sërë studimesh, që tregojnë se situata është alarmante dhe nuk duhet anashkaluar. Sipas të dhënave të ofruara për publikun nga organizata “Save the Children”, rreth 8 për qind e adoleshentëve shqiptarë (48.320 nga 604 mijë) janë të martuar. Ndërsa “Observatori për të drejtat e fëmijëve” organizoi një studim në zonën e Korçës dhe atë të Vlorës përsa u përket martesave në moshë të hershme.
Mosha mesatare e femrave të martuara varion midis 16 dhe 17 vjeç. Në Korçë u përfshinë në anketim 31 gra, ndërsa në Vlorë 50 gra, 25 prej tyre në qytet, 15 në zonën periferike të quajtur Xhyrrë dhe 10 të tjera në fshatin Bishan. Nga anketimi rezultojnë disa raste shqetësuese, kur martesat janë kryer para moshës 13 vjeç. Tre raste në Korçë dhe dy në Vlorë.
Martesat në moshë të hershme sjellin probleme në të ardhmen e familjes. Sipas studimit të kryer nga Observatori ne Korçë, 61 për qind e grave vazhdojnë të jenë të martuara, ndërsa pjesa tjetër, ose janë të divorcuara, ose kanë mbetur të veja. Arsyet që këto vajza martohen hershëm janë disa, ku mund të përmendim nivelin e arsimit, statusin e punësimit të prindërve, migrimin, numrin e madh të vëllezërve dhe motrave në familje.
Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)