SPECIALE/ Histori personale nga të huajt që jetojnë në Shqipëri/ Kanë ardhur nga e gjithë bota për të punuar e studiuar në qytete të ndryshme të vendit

Shtetasit e huaj me qëndrim në Shqipëri, vijnë kryesisht për të punuar, si studentë, por edhe si azilkërkues. Ata janë vendosur në qytete të ndryshme të Shqipërisë ku shumica ka mësuar jo vetëm traditat por edhe gjuhën shqipe.

BERAT

Lumi Osum në Berat është shndërruar në destinacion argëtues jo vetëm për turistët por edhe për të huajt që e duan këtë lloj pune.

Sebastiani është nga Kili nga Amerika e jugut.

“Kam ardhur këtu sepse është një vend i ngrohtë me ushqim të mirë dhe aventura të larmishme. Gjithashtu me peisazhe të mrekullueshëm. Erdha me një mikun tim edhe ai nga Amerika e Jugut, këtu kam bërë shumë miq që pëlqejnë aventurat.”

Sebastiani i është bashkuar Albania Rafting Group jo rastësisht. Ai pëlqen këto lloj sportesh dhe njëherësh përshtatja me Shqipërinë ka qenë shumë e thjeshtë për të.

Kam mësuar vetëm disa fjalë në shqip, ....

“Unë e zgjodha Shqipërinë sepse një mik i imi më foli për këtë vend të bukur.  Sezoni është i gjatë për të jetuar këtu, nga marsi në shtator apo deri në tetor ju mund të lëvizni dhe të bëheni pjesë e aktiviteteve të ndryshme sportive. Për këtë arsye e zgjodha këtë vend të bukur.

Unë po punoj këtu me Albanian Rafting Group, në kanionet e Osumit, ku ne organizojmë udhëtime rafting, gjithashtu hiking në lumë, apo në lumin Vjosa e cila është gjithashtu është një vend i bukur për t’u vizituar. Unë po shijoj vërtet këtë eksperiencë, shpresoj të vini për këto aventura.”

Në këtë ditë ai do të shoqërojë 25 turistë nga Danimarka dhe Hollanda që kanë zgjedhur të lundrojnë nga fshati Fushë -Peshtan, për të vazhduar përgjatë Osumit në një terren jo të vështirë dhe për të mbërritur tek ura e Goricës në qytetin e Beratit.

“Zgjodhëm të vijmë në Shqipëri për rafting për të eksploruar natyrën nëpërmjet lumit, që është një eksperience unike” thotë një turist.

Një tjetër i huaj u sugjeron turistëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës edhe pika të tjera turistike të Beratit.

“Berati më pëlqen shumë, të përshkosh rrugët e kalldrëmta apo të ngjitësh shkallët. Është vend shumë i bukur historik. Dua të mësoj çdo cep të Beratit dhe sa më shumë të mundem për të gjithë Shqipërinë. Prandaj nëse pëlqeni aventurat, malin, lumin, ju lutem ejani na vizitoni sepse ne do të ju mirëpresim dhe do t’ju ofrojmë eksperiencat më të mira që mund të përjetoni këtu në Shqipëri.”

GJIROKASTËR

Mungesa e fuqisë punëtore në sektorin e turizmit në Gjirokastër është duke u plotësuar me të huaj që kanë nisur punë në hotelet e restorantet e qytetit. Madje pjesë e stafeve janë bërë edhe studentë spanjollë të cilët kanë ardhur për të zhvilluar praktikat mësimore në universitet, përmes programit Erasmus.

Ignacio, është njëri prej tyre që punon në një hotel dhe është shumë i kënaqur. Për mikrofonin e Report tv, ai shprehet se shpreson të qëndrojë në Gjirokastër edhe pas përfundimit të studimeve.

“Më pëlqen kuzhina dhe Gjirokastra gjithashtu. Kam ardhur të punoj dhe studioj dhe në të ardhmen mendoj të jetoj këtu. Kjo zonë do të zhvillohet dhe më shumë në fushën e turizmit dhe do të ketë punë të përhershme, jo vetëm gjatë sezonit”, tha Ignacio Calderon, student spanjoll.

Për administratorët e hoteleve apo restoranteve mbetet një problem shumë i madh plotësimi i nevojave për punëtorë. Kjo problematikë pritet të shtohet ende me nisjen e sezonit të plazhit ku të rinjtë shkojnë për punësim sezonal në bregdet.

“Kemi marrë studentë sepse nuk plotësohen nevojat për punëtorë. Jemi të kënaqur por kjo është zgjidhje afatshkurtër. Turizmi ka nevojë për punëtorë të kualifikuar, si kuzhinier, kamarier, mirëmbajtës, sanitare, etj. tha administratori i një biznesi, Dëfrim Gjoçaj.

Rritja e numrit të vizitorëve në Gjirokastër është shoqëruar me çeljen e njësive të shërbimit, të cilat nuk kanë stafe te kualifikuara thuajse në asnjë fushë.

VLORË

Numri i punëtorëve të huaj që zgjedhin Vlorën për të punuar është rritur nga viti në vit. Jo vetëm në turizëm, por dhe në sektorë të tjerë, siç është industria e përpunimit. Ne takuam një grup punëtorësh indiane që prej dy vitesh janë të punësuar në një fabrike për prodhimin e metaleve. Ata shprehen se ndihen mirë në qytetin bregdetar dhe janë të kënaqur me kushtet e punës, por u mungojnë familjet e tyre.

“Kam dy vite këtu dhe më pëlqen puna, paga dhe kushtet e jetesës. Më parë kam punuar në Tiranë por vendosa të transferohem në Vlorë. Këtu shkojmë mirë me njëri-tjetrin, por më mungon familja ime, të cilën e kam në Indi”.

“Jam nga India. Erdha për punë sepse më paguajnë më shumë se në qytetin tim, Nju Delhi. Punoj karpentier prej dy vitesh dhe paguhem mirë. Kam dy fëmijët dhe bashkëshorten në Indi dhe nuk di sa do punoj në Shqipëri. Po e mendoj edhe mund të qëndroj këtu, nëse mund të marr dhe familjen”.

“Punoj prej dy vitesh dhe kam mësuar pak shqip. Më pëleqn këtu. Jam beqar, por për momentin po mendoj vetëm për punë, jo për martese. Pagesa është e mirë, edhe banesa ku qëndrojmë të gjithë bashkë me qira”.

Punëtorët e huaj, jo vetëm nga India por dhe nga Bangladeshi dhe Indonezia vijnë në Shqipëri të kontraktuar nga agjencitë e punësimit. Në Bashkinë Vlorë janë mbi 300 të punësuar me kontrata pune 6 mujore dhe 1-vjeçare.

Në nisje të sezonit turistik, 37 punëtorë nga Sri Lanka mbrritën në zyrën e Emigracionit në Vlorë për t’u pajisur me leje qëndrimi. Ata punojnë në një fabrikë dhe aktualisht po kryejnë rinovimin e lejes.

“Më quajnë Binuja jam prej gjashtë muajsh në Shqipëri. Në Sri Lanka kam bërë pothuajse të njëjtën punë në fabrike. Më pëlqen këtu sepse marr pagën dhe shpenzimet i mbulon kompania. Familjen e kam në vendin tim, ndërsa të ardhmen time e shoh në Shqipëri”.

“Punoj si teknik dhe operator makine në fabrikë. Më pëlqen puna që bëj dhe ndihme mirë në Shqipëri. Kemi ardhur bashkë me shokët përmes një agjencie, ndërsa familjen e kam në Sri Lanka. Kam shume dëshirë të jetoj këtu dhe shpresoj ta rinovoj lejen e qëndrimit edhe në të ardhmen.

“Kam mbërritur nga Sri Lanka ne Shqipëri përmes një agjencie punësimi. Punoj në fasoneri. Këtu jemi bashkë me gruan po punojnë për të mbajtur familjen. Ndoshta në të ardhmen bëjmë dokumentet për të qëndruar në Shqipëri.

Ndërkaq në 4 muaj e parë të vitit 2024 në Zyrën e emigracionit në Vlorë kanë aplikuar për leje qëndrimi 500 te huaj, të kombësive të ndryshme. Ky numër pritet të rritet gjatë sezonit turistik. Nga Zyra e Emigracionit konfirmohet se në këtë shifër nuk përfshihen italianët, kryesisht pensionistët që jetojnë në Vlorë.

TIRANË

Para 3 vitesh u largua nga familja e tij në Indonezi me 14 motra e vëllezër, për të studiuar në Tiranë. Kim Anpas është 23 vjeç, në vitin e 3 të studimeve për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në një nga universitetet private në vend.

“Studioj në vitin e 3 për Gjuhë dhe Letërsi Angleze”.

Shqipëria ishte një vend i panjohur dhe i pa eksploruar më parë për 23 vjeçarin, por të ardhmen e tij vendosi t’ia besonte eksperencës shokut , i cili vite më parë mbaroi studimet në Shqipëri dhe kishte mbetur i kënaqur.

“Kam dëgjuar informacion për Shqipërinë nga dikush që ka studiuar këtu, ka jetuar në Shqipëri. Kur po kërkoja informacion në Youtube për Shqipërinë, kuptova që këto po binte borë, ndaj isha shumë i emocionaur për të ardhur këtu se në Indonezi nuk bie bore”, thotë Kim. 

I 7 mes 14 fëmijëve të familjes së tij, Kim nuk po shijon vetëm jetën studentore në Tiranë. I pëlqen stili i jetesës, njerëzit dhe padyshim natyra. Në kohën e lirë ai eksploron atraksionet turistike të vendit.

“Më pëlqen për shkak të jetës universitare, profesorët dhe stafet jo vetëm në japin mësim, ata janë ndihmues, konsultohen me ne. Vendi këtu nuk është shumë i zënë, nuk më pëlqen të jetoj në një vend të zhurmshëm. Njerëzit këtu shumë të mirë. Kruja është shumë unike, Saranda shumë e pasur me natyrë, dhe me plazhe. Në Sarandë më pëlqen “Syri Blu”, ishte shumë i mirë.

Kur bëhet fjalë për vështirësitë, Kim të parën rendit gjuhën, edhe pse siç duket ia ka dal mjaft me sukses.

“Gjuha Shqipe shumë e vështirë në fillim, por argëtuese për ta mësuar. Fillimisht kam mësuar nga video në Youtube”.

Kim ka dhe një shprehje shqiptare, që s’do e harrojë asnjëherë.

“Njëherë dëgjova një shprehje në celular. U tha ikni me të katërta, unë se kuptova në fillim këto fjalë. Pastaj kuptova që duhet me lëviz me vrap, shpejtë”.

Përshtatja me ushqimin nuk ishte e lehtë për 23-vjeçarin, pas 3 vitesh në Shqipëri ai tashmë ka edhe një ushqim tradicional shqiptarë të preferuar.

“Byreku i Shqipërisë shumë i shijshëm dhe i veçantë. Byreku me gjizë dhe domate më pëlqen shumë”.

Pak muaj e ndajnë Kim nga mbyllja e studimeve, dhe pyetjes nëse do të qëndroj në Shqipëri apo do të kthehet në Indonezi, I riu përgjigjet kështu.

“Ende nuk kam vendosur, por kam fol me profesorët e mi. Ka mundësi për të vazhduar këtu”.

LEZHË

Giosue Fiori ishte 6-vjeç, kur familja e tij u shpërngul nga Breshia e Italisë për të jetuar në Shqipëri. Prindërit u vendosën në Lezhë dhe punuan pranë Kishës Katolike, ndërsa Giosue ndoqi shkollën në shqip nga klasa e parë e deri në universitet.

“Qysh në momentin që kam ardhur në Shqipëri më ka pëlqyer. Nuk e di pse më dukej shumë vend i paprekur. Më ka pëlqyer natyra dhe kafshët. Kam pasur vështirësi në fillim për gjuhën. Pastaj edhe kam shijuar mikpritjen e shqiptarëve”.- thotë ai.

Pasioni për kafshët e nxiti të studiojë për mjekësi veterinare dhe para 3 vitesh është diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

“Qysh i vogël kam pasur dëshirën, ëndrrën të punoj me kafshët.  Jo se s’bën veteriner sepse ëndrra ime fillestare ka qenë shkencëtar, zoolog, të udhëtoja nëpër botë, por tani jam i lumtur për profesionin tim sepse gjithmonë kam dashur të punoj me kafshët. Kur erdhi puna për të zgjedh fakultetin, kam zgjedhur fakultetin me dëshirë Veterinari në Universitetin Bujqësor të Tiranës”.- u shpreh ai.

Zgjedhja e tij është paragjykuar nga bashkëmoshatarët, por ai nuk është stepur.

“Kur kam shkuar në Drejtorinë e Arsimit në degën e Lezhës shokët e mi më kanë tallur. Kisha rezultatet të mira në gjimnaz dhe e mora me të parën fakultetin, mora dhe bursë”.- tha ai.

Veterineri 25-vjeçar e ushtron profesionin me pasion, edhe pse has në vështirësi. Ne e ndoqëm gjatë një ditë të zakonshme pune në fshatrat e Lezhës, teksa kryen vizitat dhe mjekimet e nevojshme për kafshët.

“Ushtroj profesionin në mënyrën më të mirë që mundem. Ka shumë veteriner këtu dhe për mua të gjithë që bëjnë këtë punë janë heronj. Është e vështirë, mungojnë dhe kushtet, por shpresoj se janë duke u përmirësuar. Gjithmonë kafshët kanë të papritura...”- tha 25-vjeçari.

Edhe pse me origjine italiane, Giosue ka vendosur të ndërtojë jetën e tij këtu, madje u drejtohet me një mesazh të rinjve shqiptare.

'Unë jetoj vetëm me këtë profesion. Nxjerr të ardhura nga kjo punë. Jam i martuar, jam dhëndër i ri, kam marrë nusen nga Mirdita. Shqipëria ka shumë nevojë dhe shumë mundësi unë e shoh këtë gjë, dhe nëse ti punon me seriozitet dhe e bën me pasion mund t’ia dalësh nuk është e nevojshme me bë pakt me djallin dhe me dal jashtë… Mund të shijosh dhe të jetosh i lumtur në vendin tënd. Unë Shqipërinë e konsideroj vendin tim. U them të rinjve të studiojnë në Universitetin Bujqësor, ndoshta specializimin mund ta bëjnë jashtë por kthehuni në vendin tuaj!'- u shpreh ai.

Krahas punës, Giosue Fiori, ndjek dhe pasionin për muzikën ndaj shpesh e gjejmë duke luajtur në kitarë gjatë eventeve kishtare.

KUKËS

22-vjeçari amerikan Benjamin Roe është banori më i ri qytetit të Kukësit. Në qershor të 2023 ka mbaruar studimet per Financë në Universitetin e Kalifornisë dhe në tetor ka ardhur vullnetar nga Korpusi Amerikan i Paqes. Fillimisht ka shërbyer në qytetin e Lezhës dhe prej muajit Janar është transferuar në Kukës.

 “Kur mora vesh se do të jem pjesë e Korpusit të Paqes për Shqipërinë fillova të kërkoj për historinë dhe kulturën. Erdha në Shqipëri dhe u befasova me mikëpritjen shqiptare” thotë ai.

Në Kukës e thërrasin Ben. Kështu e kanë thirrur edhe shokët e tij të fëmijërisë në Kaliforni.

“Unë nuk e dija që Ben është emër shqiptar. Me këtë emër më kanë thirrur shokët që në fëmijëri. Dhe kur erdha këtu kishte Ben pa fund”

Shqipëria për të është një vend intersant me histori dhe natyrë të bukur e më njerëz të motivuar teksa I bën përshtypje fakti se shqiptarët edhe pse nuk të njohin të ftojnë në shtëpitë e tyre.

“Shqipëria është vend intersant me histori dhe natyrë të bukur për tu eksploruar. Njerzit janë shumë të zgjuar dhe të motivuar. Më bëjnë të ndjehem si në shtëpinë time. Mikëpritja më ka bërë përshtypje sepse edhe nëse nuk të njohin shqiptarët të ftojnë në shtëpi. Të japin ushqim. Të ndihmojnë dhe të tregojnë vendin ku do të shkosh. Dhe kjo është mahnitëse” tregon ai.

Në Kukës do realizojë projekte sociale e kulturore me të rinjtë dhe aktivistët e këtij qyteti ku vullnetarizmi është pothuajse ineksistent. Por Benjamin Roe ka shpresë se të rinjtë kuksianë mund të sjellin ndryshim në vendin e tyre.

“Organizata ku bëj pjesë do implementojë disa projekte. Është eksperiencë shumë e mire dhe mendoj se të rinjtë kanë shumë aftësi për ndryshimin e gjërave në këtë vend”.

Korpusi i Paqes i themeluar në vitin 1961 nga presidenti John F. Kennedy jep prej disa vitesh kontribut në Shqipëri, për promovimin e mirëkuptimin ndërkulturor mes amerikanëve dhe shqiptarëve. Aktualisht në vendin tonë janë 35 vullnetarë që veprojnë në disa bashki.

Raporti/ Kush janë imigrantët që jetojnë në Shqipëri, kryesojnë evropianët, pas tyre vijnë aziatikët, e më pas afrikanët

Raporti më i fundit që ka mbledhur të dhënat e imigrantëve që jetojnë e punojnë në Shqipëri I përket periudhës 2019-2022.

Gjatë këtyre katër viteve, numërohen 20 268 shtetas të huaj me qëndrim në Shqipëri, të cilët vijnë kryesisht për të punuar, si studentë, por edhe si azilkërkues.

Shifrat, janë rezultat i një analize të qeverisë të bërë nga Ministria e Brendshme, për migracionin, ndërsa të dhënat janë marrë nga Regjistri Elektronik për të huajt.

Gjatë 2019–2022, 78.3% e imigrantëve të rregullt ishin evropianë, 10.4% afrikanë, 5.6% aziatikë dhe 5.5% amerikanë.

Sipas të dhënave numri i përgjithshëm i shtetasve të huaj që qëndrojnë në Shqipëri ka mbetur përafërsisht në nivelin 0,45% të popullsisë në Shqipëri.

M.Q./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • HAJDAR KASAP REXHEP BULE LEKA [ KEPI ]: 17/06/2024 07:34

    O Loni Shqiptarët hikin nga Shqipria se i ka hik menja. Për shëmbull një njeri që jeton nē Gjermani punon shum fort dhe mer 2400 euro neto të pastra por paguan 1200 euro qiran e shpis. Pra po të ri në Shqipri e të punoi si ktu në Gjermani do mari 1.000000 miljon lek. E ka vëndin e tij gjuhën e vet e ka dhe kohën prall. Pra mësoje loni i ka hik menja Shqiptarve e quaj ktu jasht jetën fush me lule o Loni kaçule.

    Përgjigju
    • Non-grata: 17/06/2024 07:55

      Ju ka hik truni atyne që rrin aty ku punë ka por duhen skllav të kualifikuar

  • Loni: 17/06/2024 06:49

    Pasi shikon që të huajt e janë të kënaqur me vendin tonë lind pyetja. Po shqiptarët kush i shtyn të ikin pse nuk janë të kënaqur?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga 10 metër lartësi në vendin e punës, zbulohen detaje të reja lidhur me 41- vjeçarin shqiptar në Itali

Humbi jetën pasi ra nga 10 metër lartësi në vendin e punës, zbulohen detaje të reja lidhur me 41- vjeçarin shqiptar në Itali