Historia dhe mitet/ Saga e 
Uliksit – Odiseut dhe Ilirët

Historia dhe mitet/ Saga e <br />Uliksit – Odiseut dhe Ilirët
Paul Kreçmer flet për simbiozën në universin mitologjik midis ilirëve dhe grekëve. Ky dijetar i kushton mbi 40 faqe ilirëve dhe rolin e tyre në hershmëri..
                             
Paul Kreçmer (1866-1956) ka qenë profesor në Universitetin e Marburgut i gjuhësisë krahasimtare, më pas në Universitetin e Vjenës. Më 1896 botoi veprën “Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache” (“Hyrje në historinë e gjuhës greke”). Në këtë vepër pioniere ky dijetar i kushton mbi 40 faqe ilirëve dhe rolin e tyre në hershmëri.
Kreçmer flet për simbiozën në universin mitologjik midis ilirëve dhe grekëve. Ai shkruan: “Kështu në qoftë se është vërtetuar pikëpamja e shprehur më sipër, se fiset ilire dhe fiset veriperëndimore greke ishin përzier me njëri-tjetrin, largësia gjuhësore midis tyre nuk ka qenë aq e madhe sa më vonë; megjithatë qysh atëherë midis dy grupeve fisnore ekzistonte një kontradiktë e dukshme kombëtare ose pikërisht në atë periudhë u krijuan kontakte armiqësore: dhe për këto kontradikta jemi të vetëdijshëm. Epiri është vendi ku lindi emri i grekëve.
 Ardhësit ilirë patën nevojë që kombin e huaj që u kishte zënë rrugën ta quanin me një emër të përgjithshëm dhe i dhanë atij emrin e njërit prej fiseve të tij, të grekëve, të cilët u shtynë nga Epiri dhe dolën rishtas në Oropos, në kufirin atik-beotik. Këtë emër e morën me vete fiset iliro-epirote që, përmes detit emigruan në Itali, e, në këtë mënyrë e mori perëndimi ku ende sot mbizotëron ky emër që u çua aty shumë kohë para se emri “Ελληνες të fitonte vlerë të përgjithshme edhe ndër vetë grekët.
Po këta fise u kanë sjellë edhe popujve italikë figurën e sagës së Odisesë; sepse forma fonetike e latinishtes Ulixes, Olixes tregon qartë se romakët e njohën së pari Odisenë, jo nëpërmjet eposit jonian. Gjuha mesape kishte një spirante që nga romakët paraqitej herë me x, herë me s, nga grekët me ζ dhe σ kurse në vetë shkrimet mesape jepet me I dhe para t me X ose Σ: gjinorja njëjës e Dazet (me Δαζιμος, Δαζουπος, Dases, Dassius etj. me rrënjë të afërt), do të shkruhet herë ΔΑXTAΣ, herë ΔΑΣΤΑΣ. Alfabeti venet për këtë tingull ka një shenjë të veçantë, që haset dhe në mbishkrimet kelte kurse në shkrimin latin shprehet me x, xx, xs, c, ss, s. Pauli (Veneter, f. 154 ff) ka folur shumë hollësisht për këto marrëdhënie e i ka dhënë këtij tingulli irracional vlerën e një š-je.
Edhe l e Ulixes flet për një burim jo epik. Tani ne dimë nga mbishkrimet se athinasit, beotët, korintianët heroin e quanin ‘Oλυσσεύς ose ‘Oλυττεύς e jo ‘Oδυσσευς... Sipas Quintil I 4, 16, edhe eolisht duhet të ketë qenë Olisseus (Jordan, Krit. Beitr. zur Gesch. d. lat. Spr. f. 39). Kështu të krijohet përshtypja se forma ‘Oδυσσεύς i takon vetëm eposit jonian dhe ka dalë nga një origjinal ‘Oλυσσεύς, duke gjetur një mbështetje etimologjike popullore te óδύσσεσδαί “zemërohem me dikë”, me të cilin, siç dihet, e prezanton Poeti. Mundësia tjetër, që λ të ketë lindur fonetikisht nga δ nxjerr vështirësi: sepse ky shndërrim fonetik jo i jashtëzakonshëm është i huaj për gjuhën greke, po të mos marrim parasysh λάφνη, δαφνη (Hesych) pergeike. Helbigu (Hermes 11, 281) tani natyrisht e ka kërkuar prejardhjen e mitit të Odisesë në fiset barbare ose, sipas tij, gjysmëbarbare të perëndimit grek; këtë hipotezë e kam besuar edhe unë.
Në këtë drejtim dëshmojnë dhe disa fakte të tjera, përveç atyre gjuhësoreve. Odisea kishte një orakull në euritanët jogrekë; Wilamowitz (Hom. Unt. 188 ff) ka dëshmuar për lidhjet e tij të ngushta me tesprotët, rolin e rëndësishëm që duket se ka luajtur saga e tij në brendësi të Epirit.
 Saga e Phaiakes është epirote, sepse Σχερίη, që rrjedh nga σχερος “kontinent” e do të thotë “tokë e thatë, stere” është sinonim me “Hηειρος dhe një qytet i Kaonisë, quhej βαιάκη (Hekateu të Stefan Bizantini s.v.) i formuar si ‘Iθάκη, me B jogreke për φ (nga bh), d.m.th. një emër që nuk është lokalizuar këtu aspak nën ndikimin e eposit.
Tani mundet që shndërrimin fonetik nga δ në λ t’ua atribuojnë fiseve iliro-epirote duke iu referuar λάσίμος (piktori i një amfore nga Canosa), në qoftë se ky është i njëjtë me emrin Δάσιμος. Megjithatë unë e quaj të besueshme hipotezën se “njëra nga figurat më vitale të sagës heroike greke” të ketë ardhur nga popujt barbarë, dhe në qoftë se nuk dinë asgjë për këtë vetë grekët, të cilët, p.sh., megjithatë, nuk e kanë harruar kurrë plotësisht prejardhjen trake të kultit të Dionisit.
 Këtu detyra jonë nuk është që të hetojmë më tej çështjen ende të pazgjidhur të mitit të Odisesë. Emri i Odise-Uliksit u desh të sillej këtu vetëm si një dëshmi e vlefshme e rolit ndërmjetës që kanë luajtur emigruesit ilirë midis siujdhesës ballkanike dhe apenine.”
Paul Kreçmer bën kështu një analizë novatore me një monument madhor të botës së herëshme siç janë epet e Homerit, ose që konvencionalisht quhet si të Homerit.
1Teza se forma Uliks është përcjellë tek popujt e Europës perëndimore nëpërmjet ilirëve tregon se eposin homerik ilirët e njihnin si kulturë orale, ndonëse jo në formë shkrimore Odiseu i shqiptuar si Uliks u njoh sipas modelimit fonetik, morfologjik të ilirëve.
 Vepra e Jemes Joyce-it u quajt “Ulisi”, jo “Odiseu”. Kjo do të thotë se ilirët (mesapët, japigët) përtej detit Jon dhe Adriatik e përcollën tek popujt e tjerë formën e tyre Uliks dhe mbase në konkurrim me formën Odiseu, konkurrim, ose paralele, që mund të ketë vazhduar gjatë në shekuj, perëndimi europian sanksionoi përfundimisht deri në ditët e sotme formën ilire Uliks.
Ky është një akt kulturor i klasit të parë ku ilirët paraqiten si përurues dhe negociator të njërit nga emrave më të njohur dhe më të paharrueshëm të qytetërimit botëror.
Kjo dukuri vlen të studiohet pambarimisht.
 Kjo lidhet edhe me emra të tjerë të monumentit homerik, duke galvanizuar kështu terminologjinë antroponimike të emrave të heronjve dhe hyjnive mesdhetare në Europë.
2. Kreçmer beson se vetë kulti i Uliksit (Odiseut) është fermentuar në mjedisin ilir epirot. Jo vetëm si mendësi dhe praktikë kultike por edhe si substancë linguistike.
Paul Kreçmer nënvizon:
“Për fiset ilire që u vendosën në Epir ne dimë fare pak gjëra e për gjuhën e tyre thuajse asgjë. Emri i mbretit të agrejve Σαλύνθιος (Thukid. III 111, 114, IV, 77) të kujton emrin e vendit ilir Salluntum (Itin. Anton. f. 338. 8) dhe salentinët tarentinë, Krahaso dhe ilir Σαλλας. Nga ilirët vjen, mbase, dhe asimilimi në emrin e lumit “Aραχθος (Ptolem. III 14, 6, Liv. 43 21): “Aρραθθος (I.v. Korkyra, IGA. 343) “Aρατθος (Polyb. 21.26,4. Strab VII 325 Aratus (Plin. IV 4), Arethon (Liv. 38.3). Që shndërrimi nga kt përmes ht në tt ishte një shndërrim ilir ne mund të bindemi 1) nga shqipja natë, lit. naktis; pesë, sanskr. pankti (G. Meyer Alban. Stud. III 5) 2) nga istrishtja Nesattium (Liv. 41,15), Nesatium (Plin III 127) Nέσακτον (Ptolem. III 1, 27). 3) Nga venetishtja rehtiia, të cilën Pauli (Die veneter, f. 556) e shpjegon bukur si emrin e një perëndeshe Rectia.
Në një rrugë tërthore ne mund të krijojmë edhe njëfarë përfytyrimi rreth gjuhës së ilirëve që u vendosën në Epir. Këta fise, të cilët nevoja ose dëshira për pushtim i shtyu të sulen nga trojet e tyre veriore në drejtim të jugut edhe në krahinat në perëndim të Pindit e të Oetas nuk gjetën hapësirë të mjaftueshme.
 Shtrirjen e tyre të mëtejshme drejt Lindjes e penguan jo vetëm vargmalet e egra dhe të kalueshme e të parrugët, por edhe më shumë popullsia e dendur e krahinave të atjeshme, në të cilat kishin vërshuar fiset greke, që tanimë ishin zhvendosur nga perëndimi, tesalët, beotët, dorët. Kështu ndërroi drejtimin rryma e emigruesve ilirë nga ana e perëndimit përmes detit drejt bregdetit italian të përkundrejt. Këto dukuri nuk ishin aspak të panjohura për autorët romakë. Daunusi, eponimi i daunëve të Apulisë, përshkruhej si një ilir fisnik, i cili, për shkaqe politike kishte lënë atdheun e tij dhe kishte gjetur një atdhe të ri në Itali (Paul, Dac, f. 48 Th.d.Pon). Salentinët duhet të kenë paelignët, që nën udhëheqjen e mbretit të tyre Volsimus, i quajtur edhe Lacullus, kishin ardhur nga Iliria (Paul. Diac. f. 278).
Këto të dhëna u vërtetuan nga dy fakte: së pari, nga përputhja e emrave të fiseve dhe të vendeve në të dyja anët e detit Adriatik dhe nga kthimi i një numri të madh emrash vetjakë ilirë në bregdetin lindor të siujdhesës apenine. Pikërisht Helbigu (Hermes XI 1876, f. 257 ff) ka meritën t’i dëshmonte me ngulm dhe të vlerësonte nga pikëpamja historike këto fakte. Para së gjithash ai lidhi japigët italikë me japodët ilirë, të cilët Hekateu (tek Stefan Bizantini ‘Iαπυγία) i quan edhe japigë.
 Edhe në anën italike shfaqet forma-d në umbr. Japuzikum, Japusco, Jabuscom, në tabelat iguvinike (Bücheler, Umbrica, f. 95), ku bëhet fjalë që të huajt, ndër ta japudët, t’i largojnë nga turma. Këmbimi i formës së rrënjës në ‘Iάποδες: ‘Iάπυγες ka një paralele në κλάFιδ – “kyç”; dor. κλάικ (Theokrit) dhe όρνιθος: όρνιχος. Kaonëve të Epirit u përgjigjen Χώνες në Siris, galabreve dardanë, thellë në brendësi të Siujdhesës Ballkanike (Strab. VII 316) Calabrët italikë, salentinëve vendi dalmat Salluntum (Itin. A, t. 338) etj
 Në të dyja anët e detit Adriatik hasen emra qytetesh me –nt dhe –t- në –ntum, -etum etj., si Tarentum τάρας Hydruntum, Υδροϋς Uzentum, Sipontum në bregdetin ilirik, Neretum, Aletium në Kalabri. Epetium në Dalmaci, βουχέτιον në Epir. Këta shembuj nga masa e përputhjeve të tilla, të mbledhura nga Helbig Kiepert etj., mjaftojnë për të përcaktuar faktin në përgjithësi; në hollësitë e tyre ne do të hyjmë më vonë.
Jo më të pakta janë edhe përputhjet në emrat vetjakë, të cilët, janë dëshmuar sipas Helbigut (Herm. XI, 269) sidomos Deeckes (Rhein. Mus. vol. 36 e 37) dhe Paisit (Storia d’Italia I 360): Dasius, Dasimius, Blattius, Trosius ose Τρωσαντιος, Artus, Artorius etj., gjenden të njëjtë krejtësisht ose në rrënjë, si në bregun ilirik dhe në atë italik të Adriatikut.
Një argument tjetër dhe të fuqishëm për shtegtimin e fiseve ilire në siujdhesën italike sjellin mbishkrimet e Kalabrisë të shkruara në një gjuhë jogreke dhe joitalike që u është njohur pa dyshim me të drejtë, mesapëve që banonin aty.
Në këtë mënyrë ne vijmë në problemin që na ka interesuar në radhë të parë në çështjen e gjuhës së ilirëve dhe popujve të afërt me ta që trajtuam deri tani.”
   1.Kreçmer jep kështu një tablo shkencore, ku vërtetohet se ilirët e gadishullit të tyre dhe ilirët e gadishullit apenin, sidomos në Italinë e Jugut (mesapët, japigët) kishin sanksionuar emrat e tyre, të qyteteve, emrat gjeografi.Pra deti Adriatik qe në një farë mënyre det ilir.
2. Dukuria shtegtuese por edhe kolonizuese ilire në bregun italik është tejet e rëndësishme, por gati asnjëherë e studiuar seriozisht.
 Mjedisi i tyre gjuhësor (ilir) ka qenë i suksesshëm dhe rezistues. Aq më tepër se ilirët e Italisë së Jugut kanë kultivuar shkrimin, pra ishin popullsi shkrimbërëse, një shkallë e lartë e qytetërimit.
Ilirët kanë patur shkrimet e tyre, janë mijra mbishkrime mesape, që ende nuk janë zbërthyer, por që nuk do të thotë se nuk do të zbërthehen një ditë.
 
mozaik
(Mozaik, udhëtimi i Uliksit)

anije ilire
(Anije Ilire)

Redaksia Online
Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzdie

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzdie