Hajrije Taushani, 79 vjeçe, me origjinë nga Elbasani, është një prej pesë shtetasve shqiptarë të riatdhesuar nga Siria, të cilët mbërritën pas mesnatës në Tiranë.
Historia e saj në Siri nisi më shumë se një dekadë më parë. Djali i saj, Sherif Taushani, ishte larguar drejt Sirisë për t’iu bashkuar formacioneve të ISIS-it dhe humbi jetën gjatë konfliktit në maj të vitit 2014, në moshën 35-vjeçare.
Pas humbjes së të birit, Hajrije Taushani udhëtoi drejt Sirisë për të marrë dhe për t’u kujdesur për nipërit e saj. Por ajo mbeti atje për 12 vite me radhë.
Pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, 79-vjeçarja përfundoi në kampin Al-Hol, ku jetoi në kushte të vështira. Gjatë qëndrimit atje ajo vijoi të kujdesej për fëmijë të mitur, mes tyre edhe dy fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj. Pas më shumë se një dekade, 79-vjeçarja kthehet në atdhe dhe bashkë me të është riatdhesuar edhe mbesa e saj 17-vjeçare.
Sherif Taushani kishte ikur drejt Sirisë në shtator 2013 dhe kishte marrë me vete edhe familjen.
Lajmi kryesor:
Riatdhesohen nga kampet e ferrit në Siri 2 gra e 3 fëmijë! Mes tyre 79-vjeçarja që shkoi për nipërit pasi i biri iu vra në luftë, mbi një dekadë u kujdes për jetimët në ‘Al-Hol’ (VIDEO)







