TIRANE - Sipas një raporti të fundit të INSTAT, 54 mijë fëmijë në Shqipëri nga mosha 5 deri në 17 vjeç punojnë. Studimi tregon se 7.7% e këtyre fëmijve punojnë në bujqësi, tregti, ndërtim, miniera apo edhe në shitje. Një ndër to është edhe Vanesa Dushku, 9-vjeçarja nga Tirana, që çdo ditë del rrugëve të kryeqytetit për të shitur fara luledielli.

Dita e saj nuk është si e të gjithë fëmijëve të tjerë. Ajo çdo ditë zgjohet herët, por jo për të shkuar në shkollë, por për të dalë lokaleve, bareve dhe rrugicave të kryeqytetit, aty ku mendon se ndokush do të blejë ndonjë gjë. Ajo nuk ka kohë, por as lodra për të luajtur, nuk mundet të gëzojë si të gjithë fëmijët e tjerë.

Vanesa Dushku, 9-vjeçarja nga Tirana, e cila kur ti i jep disa të holla dhe i thua: “Merri kaushët e shiti.” Ajo i merr dhe largohet e buzëqeshur , duke të thënë : “Faleminderit”!. Vanesa jeton me mamanë, dhe dy motrat e saj më të vogla, në një shtëpi me qira që çdo ditë e më shumë rrezikon të shembet nga lagështira dhe myku.

Babai i saj nuk jeton me ato, ai ka vite që është larguar nga familja, pasi ishte ndarë nga e ëma e Vanesës. Vogëlushja 9-vjeçare nuk e ka takuar të atin, që kur ai është ndarë nga e ëma. Vanesa është vajza më e madhe e shtëpisë dhe e ka si detyrim që të dalë të shesë, pasi të ardhurat e familjes së saj nuk mjaftojnë për t’u ushqyer.

Familja e Vanesës mbijetojnë vetëm nga një ndihmë sociale të vogël dhe me të ardhurat që Vanesa arrin të grumbullojë çdo ditë. Vogëlushja nuk ka shkuar asnjëherë në shkollë dhe nuk e di çfarë janë librat dhe banka e shkollës, kur e pyet se cila është dëshira e saj ajo thotë “Të di të lexoj”.

vanesa dushku me logo
(Foto: Vanesa Dushku, 9 vjeçarja që shet fara në rrugët e Tiranës)

Edhe pse ajo po bën një sakrificë për të mbajtur nënën dhe motrat e saj më të vogla, të ardhurat që Vanesa fiton në ditë janë shumë të pakta. “Unë nuk fitoj shumë sepse shes vetëm fara luledielli. Unë deri në 300 lekë në ditë fitoj”. Vogëlushja thotë se me ato që fiton blen vetëm bukë dhe sheqer.

Vanesa është një vajzë e ëmbël, e veshur me një fustan ngjyrë blu dhe me flokët që gjithmonë i mban të lidhur bisht. Me një zë melankolik dhe një vështrim keqardhës ajo u afrohet njerëzve duke u thënë “Doni një kaush fara luledielli? Janë shumë të mira, sa i kemi pjekur, ja shikoi dhe vetë janë të ngrohta”.

Këto janë fjalët që Vanesa tashmë i ka mësuar përmendësh dhe i thotë si një vjershë pa emocion. Vogëlushja 9-vjeçare mërzitet kur njerëz të veshur me “uniformën e kulturës”, të cilët e përbuzin duke e shtyrë dhe duke i thënë që të mos i afrohet apo kur kamerierët e lokaleve nuk e lejojnë që të futet brenda në lokal.

Ndërsa ajo sërisht nuk dorëzohet por vazhdon rrugën e saj, që nuk e di se sa do të zgjasë dhe kur do të mbarojë. jo.al

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)