A ishte Apolonia një nga qytetet më të zhvilluara të kohës së saj? Përgjigjet vijnë në librin më të ri “Historia e Apolonisë Ilire” të arkeologut Bashkim Vrekaj, i cili u prezantua këtë të shtunë në Muzeun Historik të Fierit.
Në libër trajtohen çështje të debatuara, si: data e themelimit të Apolonisë, vendndodhja e Nimfeut dhe sistemi i skllavërisë. Autori thekson se kjo vepër mbështetet mbi dokumente dhe zbulime arkeologjike, ku faktohet se Apollonia është themeluar njëkohësisht me Dyrrahun, rreth shek. VII Para Lindjes së Krishtit.
“Pasuria e burimeve antike, mbishkrimet, monedhat, monumentet, por edhe studime të tjera, më kanë ndihmuar të rindërtoj jetën e qytetit në të gjitha aspektet. Nuk është e lehtë të shkruash historinë e një qyteti pa tekste të plota, por duke kombinuar burimet, mund të krijojmë një tablo të plotë të jetës së Apolonisë.”, thotë autori Bashkim Vrekaj.
Gjatë diskutimit u theksua se vetëm një pjesë e vogël e territorit të Apolonisë është eksploruar, duke lënë hapësirë për zbulime të reja në të ardhmen.
“Gërmimet gjithmonë sjellin të reja. Janë zbuluar mbishkrime që hedhin dritë mbi aspekte të panjohura të jetës së qytetit, si për shembull skllavëria apo objekte të reja kulti. Historia e Apolonisë vazhdon të rishkruhet.”, vijon Vrekaj.
Historiani Ilirian Gjika e vlerëson librin si një kontribut të rëndësishëm, si për studiuesit, ashtu edhe për lexuesin.
“Është një libër i rëndësishëm dhe njëkohësisht i kuptueshëm për lexuesin e zakonshëm. Trajton në detaje jetën ekonomike, politike dhe organizimin administrativ të qytetit. Është një vepër që jo vetëm informon, por edhe tërheq lexuesin.”, thotë historiani Ilirian Gjika.
Ndërsa arkeologu Admir Xhelaj thekson vlerën edukative të këtij botimi dhe risitë që ai sjell.
“Ky është një libër me vlerë që u rekomandohet nxënësve. Sjell risi, sidomos për datimin e themelimit të qytetit, duke e afruar atë me kohën e Dyrrahut. Është pjesë e një tradite të rëndësishme studimore për Apoloninë.”, thotë arkeologu Admir Xhelaj.
Libri trajton në mënyrë të plotë jetën politike, kulturore, artistike, fetare, sociale dhe ekonomike të Apolonisë, duke e kthyer në një udhërrëfyes të vlefshëm për historinë e qytetit antik.
Komente










