Historia e famullitarit të Tiranës: Në vitet e para të pasluftës, Dom Shtjefën Kurti i kërkoi qeverisë së kryeministrit Enver Hoxha, të merrte në mbrojtje…

Historia e famullitarit të Tiranës: Në vitet e para të pasluftës, Dom Shtjefën Kurti i kërkoi qeverisë së kryeministrit Enver Hoxha, të merrte në mbrojtje…

Dom Shtjefën Kurti

NIKOLLË LOKA
Av. ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI

PSE NUK QËNDRON AKUZA POLITIKE PËR KOLABORACIONIZËM?
-Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –

Vijon nga numri i kaluar

Ndër masat e para të marra kundër fesë ishte ndalimi i edukimit fetar të brezit të ri nëpër shkolla. Në vitin 1945, për shkak të rrethanave ndërkombëtare, shteti komunist nuk nxori ndonjë ligj për këtë, por u përpoq në heshtje që në shkolla lënda e fesë të mos jepet. Ky veprim ishte në kundërshtim me ligjin në fuqi. Në ato kushte, autoritetet shtetërore nuk qenë në gjendje ta ndalojnë mësimin e fesë, në rastet kur ai u kërkua. Në shkresën që kleriku Kurti i dërgon Ministrisë së Drejtësisë i kujton se “deri në rrethimin e Tiranës”, d.m.th., para çlirimit të vendit lënda e besimit jepej dhe pastaj, d.m.th., pas çlirimit, pavarësisht kërkesave të përsëritura ishte penguar. Këtë paralelizëm, Kurti nuk e bën rastësisht, por për t’u kujtuar autoriteteve se nuk munden dhe nuk duhet që t’i privojnë njerëzit nga disa të drejta që ata i kishin më përpara.

Tiranë 13.III.1945

Zyra Famullitare e Kishës Katolike

Tiranë, Pr.Nr.92/45

Pt. Ministrisë së Drejtësisë Tiranë

Deri në rrethimin e Tiranës e Tiranës mësuesat e besimit ishin ngarkuem nga ana e Ministris s’arsimit me dhanë mësimet fetare nëpër të gjitha shkollat e Qytetit.

Atë ditë e deri sot, megjithëse jo ma tepër se nji herë kemi insistue pranë Inspektorisë s’Arsimit, nuk ka asht lejue me vazhdue në detyrën tonë të ndryshme.

Lusim atë Dikaster të Naltë qi të ndërmjetsojë pranë Minsitrisë s’Arsimit, mbasi ky asht edhe sishiri i popullit, qi sa a shpejt të merren përsëri në shërbimin e tyne mësuesit e Besimit.

Famullitari

Kryetari i Komunitetit Katolik të Tiranës

Përgjigja kishte ardhur pas një muaj, kur Qeveria kishte bërë një mbledhje ku ishte diskutuar problem i arsimit dhe nuk kishte marrë ndonjë vendim për ta ndaluar lëndën e besimit. Prandaj me 17 prill 1945, në adresë të Komunitetit Katolik vjen një shkresë e Seksionit të Arsimit të Qytetit të Tiranës, sipas të cilës mësimi i fesë në shkolla ishte lejuar.

Kryesia e Këshillit NC.ÇL

E/N Prefekturës së Tiranës

Seksioni i Arsimit nr.85

Vdekje Fashizmit

Liri Popullit

Tiranë, 17.IV.45

Komitetit Katolik

Tiranë

Në bazë të nji shkrese të Ministris s’Arsimit, autorizohemi me i fillue mësimet fetare nëpër shkolla të qytetit si ç’kanë qenë zhvillue edhe ma parë dmth. 1 orë mësim në javë për të gjithë ata që dëshirojnë me ndjekë këto mësime. Në kët rast jeni të porositur që mësimi i fesë të zhvillohet vetëm ndër shkollat Shtetnore.

Pra, na propozoni mësueset që do t’i zhvillojnë këto mësime dhe na dërgoni nga një kopje të librave që eventualisht mund t’i përdorni për këto mësime. Mësueset do të paguhen prej Komitetit Ekzekutiv të N/prefekturës në bazë t’orëve të zhvillueme.

Përgjegjësi i Arsimit të Qytetit

Muharrem Pirdeni

Dhe përgjigja ishte e shpejtë. Don Shtjefni emëron mësues të besimit, Don Frano Illinë dhe si tekste mësimore dërgon Katekizmin e Piut X “të Leon Nigris dhe “Shpejt mirë” të At Harapit.

Mesa duket, lënda e besimit vazhdonte dhe në vitin e ri shkollor 1945-1946, mbasi Dom Shtjefni, me shkresën Nr.314/45 të drejtuar në adresë të Minsitrisë së Drejtësisë, ku i dërgon për mësues të besimit Katolik për shkollat e kryeqytetit Dom Anton Zogajn dhe veten. Më 23 nëntor 1945, Ministria e Arsimit me shkresën Nr.181/110 e njoftonte Seksionin e Arsimit të Nënprefekturës së Tiranës: “Për vitin shkollor 1945-1946, caktohen për të dhënë mësim ndër nxënësit katolikë të shkollave fillore të këtushme Don Anton Zogaj dhe Don Shtjefën Kurti. Shpërblimi i tyre ka me u caktue në bazë të orëve që do të japin”.

Vendimi i ishte dërguar për njoftim dhe veprim Famullisë së Tiranës. Krahas mbylljes së shkollave dhe kopshteve që mbante Kisha Katolike, shteti po bënte dhe konfiskimin e orendive dhe mjeteve mësimore të tyre, diku me urdhër e diku në mënyrë të tërthortë, gjoja si huazim për t’ua kthyer më vonë.

Në bazë t’urdhënit të Ministris së Asistencës Sociale, ky Komitet është duke hapur kopshte fëmijësh në të gjitha lagjet e Tiranës, me qëllim që të grumbullohen të gjithë fëmijët, sidomos ata të vobegtit, për t’iu dhënë, si edukatën e nevojshme, ashtu edhe me i lirue nga rreziqet e rrugëve.

Tur marrë parasysh se, për sa i përket lagjes së Re, na mungojnë bankat e fëmijve, si dhe karrigat e tyne, për arsye se krejt orendit e nevojshme të porositura për të gjitha kopshtet, na dorëzohen në fillimin e prenverës që vjen, lutemi të kini mirësinë me disponue që të na çohen bankat si edhe karriget përkatëse të Azilit Foshnjuer t’asaj Famullie, që ndodhen pranë Motrave Servite, me qendër në shetitoren “Konferenca e Pezës. Bankat n’objekt, ky Komitet i kërkon në formë huaje, tue marrë përsipër që t’ia kthejë asaj Famullie në gjendjen që i dorëzohen sot”.[1]

Për ta mbajtur Kishën si institucion kulture

Shteti nuk mund të lejonte që komunitetet fetare të krijonin rrethet e tyre kulturore në gjirin e shoqërisë, aq më tepër në rastin e Kishës Katolike, e cila shihej si një kundërshtare e fortë e shoqërisë socialiste, prandaj do ta kufizonte veprimtarinë e rretheve që vepronin pranë Kishës Katolike dhe pastaj do t’i mbyllte përfundimisht. Krahas arsimit, bosht qendror i edukatës ateisto-komuniste, si leva të këtij edukimi shërbyen edhe letërsia, kinematografia, arti dhe teatri. Romanet, tregimet, novelat, filmat rrëfenin për personazhe negativë e destruktivë, që rridhnin nga familje kulakësh, të deklasuarish apo fetarësh, që nuk ishin në kohezion me realitetin e ri socialist.

Ata ishin të mveshur me cilësitë më negative të natyrës njerëzore dhe paraqiteshin si mesjetarë të pandreqshëm. Stigmatizimi dha sarkazmimi i këtyre shtresave të papranueshme për shoqërinë e re, synonte rrënjosjen e urrejtjes, përkundrejt besimeve e ideve që ata përfaqësonin e jo thjesht ndaj njerëzve. Filmat, nga ana tjetër, do t’i portretizonin figurat e klerikëve si njerëz të lidhur me regjimin feudo-borgjez që e shfrytëzonte popullin deri në pikën e fundit të gjakut. Do t’i portretizonin si figura që kishin punuar gjithmonë kundër çështjes kombëtare, si të degjeneruar moralisht, e plot vese të tjera të këqija. Ajo që duhet kuptuar është se duhet bërë dallimi mes parimeve dhe veprave që kryhen në emër të po këtyre parimeve, por me qëllim krejt tjetër. Nuk mund të demonizojmë një sistem të tërë parimesh, një sistem të tërë vlerash, për shkak të abuzuesve me këto parime, që realizojnë qëllimet vetjake.

Figura e portretizuar negativisht e klerikëve kishte si antipod figurën e intelektualit komunist, punëtorit e fshatarit të thjeshtë, të brumosur me mësimet e partisë, që lufton të keqen njerëzore dhe të këqijat natyrore i armatosur me materializmin shkencor. Ky personazh i karakterizuar me këto cilësi në këthillësinë e tij, duke reflektuar moralin komunist, është i mirëpërcaktuar të jetë fitimtar, sepse ka qenë edukuar e frymëzuar nga mësimet e pagabueshme të partisë dhe jo nga mësimet e besimeve fetare.

Me kalimin e ditëve, edhe veprimtaria kulturore e kishës ishte pakësuar mjaft. Kisha nuk kishte më hapësirat e nevojëshme. Nismat kulturore shiheshin me dyshim dhe pjesëmarrësit në to përndiqeshin. Megjithatë për disa kohë vazhdoi praktika tradicionale e kërkimit të lejes për veprimtari kulturore dhe ajo leje, në disa raste qe dhënë. Kur nisën burgimet, gjyqet ndaj klerikëve, shkrimet denigruese ndaj veprimtarisë së tyre, vetë Kisha i pakësoi veprimtaritë kulturore dhe i zhvilloi brenda mureve të saj. Pra veprimtaritë e hapura publik vazhduan për inerci dhe disa muaj pas çlirimit dhe pastaj u ndërprenë.

Me 1 tetor 1945, Zyra famullitare e Tiranës, përmes famullitarit Kurti kërkoi leje për shfaqjen e një komedie.

Tiranë 1.X.1945

Zyra Famulliatre e Kishës Katolike

Tiranë

Prot.Nr.312/45

PT Ministrisë së Kulturës Popullore

Tiranë

Zyra Famulliatre e Tiranës kërkon prej asaj P.T. Ministrisë lejen me shfaqë në Salonin e Famullisë, të diellën qi vjen komedinë e P.Gjergj Fishtës “Dredhitë e Patokut”.

Shfaqja bëhet prej djelmocave të kësaj famullie.

Famullitari

Don Shtjefën Kurti

Nuk vonoi përgjigja pozitive, por dikasteri e kushtëzoi dhënien e lejes me disa ndryshime që do të bëheshin në përmbajtjen e komedisë. Në shkresën Nr. 183/1 datë 6 tetor 1945, të Ministrisë së Kulturës shkruhet: “… nuk kemi asnjë kundërshtim për çfaqjen e saj. Vetëm jemi të mendimit e besojmë që në faqen 7 fjalët … të hiqen…”. Gjatë vitit 1945 kjo ishte kërkesa e vetme për shfaqje kulturore, që do të thotë se Kisha Katolike në Tiranë dhe famullitari i saj hoqën dorë nga veprimtaria kulturore në komunitet.

Kërkesë për zgjatjen e leje qëndrimit për murgeshat infermiere

Murgeshat infermiere punonin falas nëpër spitalet e Shqipërisë dhe megjithëse puna e tyre nuk po vlerësohej nga autoritetet e tjera shtetërore, ato dëshironin ta vazhdonin misionin e tyre, por u duheshin disa kushte elementare në lidhje me kryerjen e riteve fetare, si dhe lejet e qëndrimit që jepeshin me ndërhyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë. Dom Shtjefni e kishte takuar Ministrin, Dishnica dhe pasi problemi nuk gjen zgjidhje, i drejtohet me një kërkesë me shkrim. Kjo kërkesë po bëhej në kohën kur shteti kishte nisur përzënien e të gjithë klerikëve me kombësi të huaj, pra edhe të murgeshave infermiere. Nisur nga njohja personale me Ministrin Ymer Dishnica, Kurti mund të shpresonte se Ministri do të ndikonte që të ndalohej përzënia e klerikëve që punonin nëpër spitale.

Tiranë 31.X.1945

Zyra Famullitare e Kishës Katolike Tiranë

Prot.Nr.243/45

Shkëlqesisë së tij

Dr. Omer Dishnica

Ministrit të Shëndetsisë

Tiranë

Shkëlqesë,

Simbas bisedimeve verbale që kemi patur me shkëlqesinë t’Uaj disa ditë më parë, dhe duke patur parasyshë mundësinë që për çdo qytet a fshat, ku shërbejnë murgeshat në Spitale, të caktohet nga një meshtar kam nderin të Ju parashtroj emrat e Meshtarëve, të cilët do t’përmbushin nevojat e Asistencës fetare Motarve infermiere që shërbejnë në Spitalet e lartë përmendura;

Ekzigjencë kjo që nuk mund të përjashtohet, dhe për më tepër është nji kusht i domosdoshëm sikuer të marrim parasyshë qëndrimin e përhershëm të Motrave në fjalë pranë këtyre Spitaleve.

Korçë: Pater Ernesto Cassianri

Vlonë: Pater Marcello Scantanburlo

Gjirokatër: Pater Gregorio Minisci

Meshtarët e lartpërmendun mbajnë kombësinë italiane, dhe prej shumë vjetësh u zhvillojnë shërbimin fetar motrave që ndodhen në këto qytete; kam qenë i detyruar të ju paraqes këta, nga shkaku i mungesës së personelit shqiptar.

Duke qenë i sigurtë se propozimi i im do të pasohet nga një vendim i favorshëm, dhe do të përkojë pikërisht me marrëveshjen që ne arritëm verbalisht, lus Shkëlqesën t’uej të keni mirësinë dhe të më lëshoni një vërtetim me shkrim, dhe urdhnesa përkatëse t’u njoftohet Komandave të vendit, në mënyrë që sejcili nga Meshtarët e lartëpërmendun të zgjasi lejen e qëndrimit që është po thuaj në skadim e sipër.

Me nderime

Kryetar i Komunitetit Katholik të Tiranës

Don Shtjefën Kurti

Në kushtet kur përzënia e klerikëve të huaj ishte bërë fakt, Famullitari-Dekan i Kishës bën lëvizjen e rradhës, duke kërkuar që për klerikë, të cilët shërbenin prej shumë vitesh në Shqipëri, qeveria të jepte shtetësinë shqiptare. Kështu do të mbëteshin një pjesë prej tyre në Shqipëri. Dom Shtjefni i ishte drejtuar Ministrisë së Brendshme në lidhje me marrjen e shtetësisë dhe kishte marr përgjigjen:

Tiranë 8 nanduer 1945.

Shteti Shqiptar

Ministria Punëve të Mbrendshme

Drejtoria e Administratës

Zyrës Famullitare Katolike

Tiranë

Gjegje shkresës Nr.348/45, datë 3.X.1945. Sot për sot Qeveria Shqiptare, për çdo arsye qoftë, nuk mund të japë nënshtetësinë shqiptare ndër të huaj.

Vdekje Fashizmi-Liri Popullit

Sekretari i Përgjithshëm Bilbil Klosi

Avokat mbrojtës i klerikëve dhe besimtarëve

Dom Shtjefni na paraqitet si avokat mbrojtës i klerikëve, të cilët të gjithë problemet që kishin me shtetin ia kalonin atij, por në ndonjë rast edhe besimtarëve. I tillë është rasti me një shtetase italiane që fati e kishte sjellë në Shqipëri dhe vazhdonte të jetonte këtu.

Tiranë 25.7.1945

Zyra Famullitare e Kishës Katolike

Tiranë

Prot.Nr.240/45

Komandës së Mbrojtjes së Popullit

Tiranë

Zonja Maria Vimet, e martueme Genovese ka kunorë vetun fetare edhe tash shum kohë nuk janë të pëlqyeshëm marrëvajtjet familjare të saja me të shojin Saverio Genovese, tani punëtorë ose capo meccanico pranë UNC në Durrës.

Prej anës së Kishës kjendë kshillue shpesh qi të jetojshin së bashku, por t’ue kenë se u pa se i shoqi i Maries është një njeri i skvilibruem e i alkolizuem, nuk e kemi pa t’arsyeshme me e detyrue të shoqen me jetue gjithnjë nën torturën e një burri qi nuk ka tjetër të mirë, veçse me torture gruen e me kërkue prej sajë qi ajo t’ushqejë kapricet e tij. Zojës i kemi këshillue qi të shkojnë për Itali e prej s’andejmi të përpiqet me shkue te prindërit e vet në Spanjë, prej koh asht.

Shtojm se tesh për tesh, kemi në Tiranë në Befotrofin e Murgeshave Servite, dy fëmijtë e Marijes me kunore të Genovese e fëmijtë jonë nën kujdesin t’onë e me pagesë qi nep Marija. I shoqi vjen shpesh me na mërzitë me fjalë, si e ka zakon, por na i kemi thanë se fëmijët nuk ja dorëzojmë atij, porese njaj kërkesë prej anës së Gjyqit.

I lutemi asaj Komande qi po e pau t’arsyeshme, për me i shpëtue ngjarjeve jo të pëlqyeshme prej anës së Saverio Genovese, qi ti nepet me kuptue atij mos të vinë me na tarzue, e qi të lejojnë të shoqen me vojtë të prindërit e vet. Memorie.al

Famullitari

Don Shtjefën Kurti

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

U kap në 'shtëpi bari', shqiptari dënohet me 3 vjet burg në Angli (EMRI)

U kap në 'shtëpi bari', shqiptari dënohet me 3 vjet burg në Angli (EMRI)