Historia e panjohur e famullitarit të Tiranës, Dom Shtjefën Kurti i kërkoi qeverisë së Enver Hoxhës lirimin e institucioneve fetare që partizanët kishin zaptuar

Historia e panjohur e famullitarit të Tiranës, Dom Shtjefën Kurti i kërkoi qeverisë së Enver Hoxhës lirimin e institucioneve fetare që partizanët kishin zaptuar

NIKOLLË LOKA

Av. ALFDRED DUKA

NIKOLIN KURTI

 

                         PSE NUK QËNDRON AKUZA POLITIKE PËR KOLABORACIONIZËM?

                         Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –                               

                         Sekuestrim i paligjshëm i pronave të institucioneve fetare!

Kushtetuta nuk parashikonte ndërhyrje në pronën e institucioneve fetare në vend, por duke u mbështetur në shprehjet “mund të kufizohet dhe tjetërsohet prona”, shteti ka shfrytëzuar rastin për konfiskimin e pasurisë kishtare në vitin 1946, për të cilën na flet letra e Ipeshkëvijve të Shqipërisë, dërguar Qeverisë rreth këtyre problemeve. Kisha Katolike, e cila në legjislacionin e Mbretit Zog nuk figuronte si person juridik, në këtë drejtim pati humbje jashtëzakonisht të mëdha. Konfiskim i pasurisë kishtare nëpër famulli, kuvende, shkolla, kolegje, jetimore, etj., nga muaji prill i vitit 1946 e në vazhdim, ishte si një masë shtrënguese krahas arrestimeve, dënimeve dhe ekzekutimeve të klerikëve, të akuzuar për veprimtari kundërrevolucionare në lidhje me bashkëpunimin e tyre me ‘Ballin’, Legalitetin, organizatën ‘Bashkimi Kombëtar’ dhe më imperialistët anglo-amerikanë, siç theksohet në një raport të vitit 1967.

Në një fazë të dytë, autoritetet shtetërore shtrinë dorën mbi pronat e Kishës Katolike, duke kërkuar që t’u jepet atyre përkohësisht në përdorim për shkak të nevojave të ngutshme shtetërore, por sapo e fusnin në dorë atë pronë e “shtetëzonin”,  duke i “shpronësuar” pa ligj klerikët që ishin pronarët e vërtetë.

Me 3 janar 1945, Shtjefën Kurti njofton autoritetet shtetërore se: Misioni i Jezuitëve në Tiranë, ishte kthyer në kafaz pëllumbash, ku hynin e dilnin gjithfarë njerëzish të panjohur, që së paku në fillim kishin kërkuar leje dhe, ndërkohë sallonin e teatrit e kishin kthyer në kuzhinë. Kurti kërkon që pronat e Jezuitëve të kthehen menjëherë në kushtet e mëparshme të përdorimit, pasi qetësia e jetës në Kuvend ishte trazuar tepër. Problem të njëjtë kishin Murgeshat Stigmatine të Korçës, të cilat kishin lajmëruar me nxitim Zyrën Famullitare të Tiranës, se kishin marrë urdhër prej Këshillit të atij qyteti për, të pranuar në shtëpinë ku ato banojnë, dy familje dhe ato për veten e tyre të jetonin vetëm në një dhomë, s’bashku me një tjetër që shërbente si kapelë (kishë e brendshme).

Shpronësime të objekteve kishtare kishin ndodhur edhe në Vlorë, Lushnjë dhe Fier, siç del nga letrat që i dërgohen Dom Shtjefnit nga klerikët dhe murgeshat e këtyre qyteteve:

Tiranë 13.II.1945

Prot.Nr.94/45

 Pt. Zyrës Ordin. Arqip. të Durrësit në Delbnisht

Asht kenë në Tiranë Fr. Antonio di Natale, Fratel i Lushnjes, i cili më njoftoji se po e ve në dijeni Atë Zyrë Ordinarjate Arqipeshkvnore:

  1. Misionit Latin të Vlorës i kje marrë prej Qeverisë nëpërmjet të Partizanëve gjithçka kanë pasë, sende të tyre personale si edhe të tanë korendin e Misionit.
  2. Misionit Oriental të Murgeshave, idem, ato nuk kanë as këmishë me ndrue.
  3. Misionit të Murgeshave latine të ashtu quajtura “Suore del Giglio” idem.
  4. Në Lushnje Atit Epruer, i kje urdhnue mes me përbuejtë italjan dhe mos me bisedue me ta; po ashtu i kje ndalue fratelit infermier me vazhdue shërbimin e vet pranë të smutve.
  5. Në Fieri shtëpia e Misjonit kje rrethue tue cite si shkak gjoja me lypë aparat transmetues të radios.

Kato sa për dijeni t’Asaj P.T. Zyre ordin. Arqip.

Famullitari

                                    Don Shtjefën Kurti

Tiranë, 16.VI.45

Letër nr.191/45

I nënshkruemi, Kryetar i Komunitetit Katolik dhe Famullitar Dekan, ka nderen me i parashtrua Atij Dikasteri të Naltë sa vijon:

Selia e Shejtë e Romës, ka pas dërgue si Misionar të ritit oriental në Vlorë, dy Eten Konventual dhe nandë Murgesha “Pikola Operde del Secra Soure di Gesu”.

Tani si Konventualeve ashtu edhe Murgeshave u asht caktue qi me 25 të këtij muaji të lanë Shqypninë.

Pose kësaj, policia e qytetit, Bat. III me anën e Komisarit të Batalionit, u ka dhënë urdhën mos me guxue me shitë asgjë-send dhe as mos e largue nga shtëpia.

Gjithashtu po këtë urdhun, ua ka dhanë Këshilli Ekzekutiv i N/Prefekturës, e tue u shprehë se për atë masë kishin marrë udhëzime nga Ministria e Arsimit.

I nënshkruemi, i ngarkuem me mbrojt të gjitha pasuritë e Misioneve të Jugut, të tundshme e të patundshme, lutë Dikaster të Kryeministrisë, qi të napin urdhrat e duhuna, ku duhet qi gjithçka të na dorzohet si nga Konventualet si dhe nga Murgeshat dhe qi askush tjetër mos të ndërhyjë për çka ma sypër.

Kryetari i Komunitetit Katholik të Tiranës                                                                                                                                  Don Shtjefën Kurti

Kryeministria ishte përgjigjur dhjetë ditë më vonë: “Në lidhje me shkresën t’uej Nr. 359/45 datë 14.XI.1945, ju bajmë të dijtun se i janë dhanë të gjitha udhëzimet e nevojshme Komitetit Ekzekutiv të N/Prefekturës së Vlorës që materiali i Murgeshave t’atij qyteti që asht sekuestrue, të lihet në dispozicion të Don Shtjefën Kurtit, Kryetar i Komunitetit Katolik të Tiranës dhe Famullitar – Dekan”.

Ndërsa Murgeshave Stigmatine të Korçës u kishin futur në shtëpi persona të huaj, e papranueshme dhe antiligjore, prandaj Dom Shtjefni kërkon marrjen e masave për lirimin sa më të shpejtë.

Tiranë,  27.VI.1945

                      Zyra Famullitare e Kishës Katolike

Tiranë

Prot.Nr.208/45

Urgjent

Tiranë

Murgeshat Stigmatine të Korçës lajmërojnë me nxitim ket Zyrë Famullitare të Tiranës, se paskan marrë urdhun prej Këshillit t’Atij qyteti me pranue në shtëpi ku ato banojnë, dy familje; dhe ato për veten e tyre me rezervue vetëm një dhomë s’bashku me nji tjetër që shërbente si kapele (kishë e mbrendshme).

I nënshkruemi ka nderin me i’u sjellë atij Dikasteri të Naltë, me lutje qi ket gja të ndërhyjë me e ndalue sa ma shpejt të jet e mundun aty ku asht kompetenca, t’ue kenë se nuk përkon n’asnji menyrë, me rregullat e institucjonit në fjalë, bashkëjetesa nën nji kulm o edhe në nji truall, me persona që nuk bajnë pjesë në at Institut.

Me shpresë të nji përfundimi në favorin e kësaj çe shtje bazue në drejtësinë e Atij Dikasteri, i nënshkruemi u ka dhanë urdhun murgeshave në fjalë mos me u largue nga vendi.

 Kryetari i Komunistetit Katolik të Tiranës                                                                           

                                Don Shtjefën Kurti

Kisha Katolike kërkon që t’i kthehet pasuria që i ishte marr për nevoja të luftës. Këshilli Nacionalçlirimtar i Qarkut Vlorë kishte autorizuar Brigadën e XIX-të Sulmuese për t’i marr motoçikletën Misionit të Kishës Katolike të Vlorës, për nevoja të Luftës, por megjithëse kishte kaluar kohë që nga çlirimi, motoçikleta nuk po i kthehej Misionit, prandaj Dom Shtjefën Kurti, i drejtohet Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare:

Tiranë 24.X.1945

Zyra Famullitare e Kishës Katolike

           Tiranë

Prot.Nr.329/45                                                             

                                  Komandës së Përgjithshme t’Ushtrisë Kombëtare

Tiranë

Këshilli N.Ç i Qarkut të Vlonës, me Urdhun të kryetarit Rexhep Sulejmani (Rexhep Kapaj), me datë 18 dhetuer 1944, ka pas autorizue Brigadën e XIX me i marrë motoçikletën e Misionit të Kishës Katholike të Vlorës tip “Guzzi”, numër 13809 me targë BT.57

Ajo motoçilketë kje tërhjekë po me atë datë nga vetë z. Sulejmani (asht firma e tij).

Vërejmë se ajo motoçikletë, tani gjindet në Vlorë në përdorim t’Ushtrisë Kombetare.

Zyra Famullitare e Tiranës kërkon nga Ajo Komandë e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare, që të napin urdhunat e duhuna qi ajo motoçikletë t’i kthehet Misjonit qi përmendën sypër, mbasi siç e kemi ndigjue, dita për ditë janë tue i’u kthye huvanat e marruna në ditët e para, kur U.N.Ç, ishte në nevojë për lirimin e Atdheut nga zgjedha e huej.

Kryetar i Komitetit Katolik të Tiranës

                                  Don Shtjefën Kurti

Nga një tjetër shkresë e Shtjefën Kurtit nga Tirana drejtuar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë, mësohet se në vjeshtë të 1945-ës ishin shkatërruar strukturat e misionarëve jezuitë. Misionarët ishin dëbuar nga shtëpia e tyre dhe në shtëpi ishin futur persona të paautorizuar.

Zyra Famullitare e Kishës Katolike

          Tiranë

                                              Kryetarit të Këshillit të Lagjes së Re Tiranë

Për dijeni: Kryeministrit

Kryetarit të Këshillit të Qarkut

Kryetarit të Këshillit të Qytetit

I nënshkruemi, Kryetari i Komunitetit Katholik të Tiranës, ka nderin me Ju vue në dijeni për shka ma poshtë:

Tesh 18 Etent Jezuit, bashkëpunojnë me anëtarë të tjerë të Komunitetit Katholik të Tiranës. Aktiviteti i tyre, sikurse i joni, zhvillohet për lavrimin fetar në shpirt të katholikëve, e ma tepër ë atë të rinis.

Për qëllimin e nalpërmendun kemi përgatitë lokale të përshtatshme, jo pa sakrificë të mëdhaja, të cillat janë të nevojshme vazhdimisht për zhvillimin e veprimit t’onë.

Asht njoftun botnisht në Tiranë, se Etent, kurdoherë qi u shfaq nevoja (sidomos në kohën e luftimeve në Kryeqytet), kjenë gati me da më popullin, pa dallim besimi a krahine, strehën edhe bukën, tue vuem në rrezik edhe jetën e tyne.

Tash së mrami iu paraqitën Etënve disa tue thanë se ishin të dërguem nga Këshilli i Lagjes, dhe u kërkuenë Salonin e Teatrit për Mensë të vobegtve, tue i sigurue se nevojitej vetëm për pak kohë, deri sa të tërhiqeshin familjet e Durrsakëve prej Tirane, dhe kështu të liroheshin lokale tjera. Kjo kërkesë kje ba vetëm gojarisht.

Tue hy e tue dalë dita më ditë persona të panjoftuna, disa prej tyne janë lejue, me nji mënyrë o me një tjetër me kërkue a se nji herë qi, t’u lëshohej pjesa tjetër e Salonit të naltpërmendun për shfaqje teatrale dhe oborri për stërvitje sportive të Rinis së mahalles. Gjana të cilat po t’u vërtetojshin kishin me paralizue fare jetën e shoqatave t’ona fetare.

Ma tepër jemi të preokupuem, pse nuk dijm se kur kanë me mabrue këto kërkesa të vazhdueshme e njena mbas tjetrës, e kush janë këto persona të panjoftuna e sigurisht të pautorizume qi paraqiten si auktoritet.

Prandaj tue përfundue theksojmë:

  1. Se të gjitha lokalet e Etënve Jezuitë në Tiranë janë pasuni private e tyne.
  2. Se të gjitha ato lokale janë të domosdoshme për zhvillimin e edukatës fetare si ma sipër.
  3. Se lëvizja e padashme e njerëzve të panjoftun e të pakontrollueshëm mbrenda mureve të Manastirit shqetëson për sigurin edhe dishiplinën e atij Manastiri.

 Kryetari i Komunitetit Katolik të Tiranë                                                                             

                      Don Shtjefën Kurti

Për të zgjidh problemin e zaptimit të Shpisë së Misionit Shëtitës, kryetari i tij P. Gjon Karma, i drejtohet Don Kurtit që me autoritetin e tij të ndërhynte pranë autoriteteve shtetërore:

Tiranë 29/X/1945

Shum të Ndertit

                 Don Shtjefen Kurti

Kryetar i Komunitetit Katolik

                       Tiranë

Qysh në kallnduer të vjetit vazhdues, Ushtrija Nacjonal Çlirimtare na ka zaptue Shpin e Misjonit Shëtitës Shqiptar në Shkodër; pike ma së pari për me shti mbrende Spitalin Ushtarak, e qysh në muajin e gushtit, autoritetet e vendit kanë shti mbrendë Komandën e Qarkut.

Për shkak të zaptimit të Shpisë na asht dashtë me shpërnda personelin e këtij Instituti Fetar e Papnuer tue pezuellue aktivitetin e veprës gjashtëdhjetëvjeçare.

Ju lutem, si Kryetar i Komunitetit Katholik të Tiranës, të keni mirësinë me ndërhy e me ba hapat e duhun pranë Autoriteteve kompetente qeveritare të Kryeqytetit qi, të na lirohet Shpija në fjalë ma parë, qi të mundemi me mbledhë personelin e shpërndamë e me fillue rishtas veprimin tonë fetar.

Kryetar i Misionit Shëtitës Shqiptar

                       P.Gjon Karma S.J.

Don Shtjefni menjëherë e paraqet rastin me një shkresë zyrtare para Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare:

Tiranë 3.XI.1945

             Zyra Famullitare e Kishës Katolike Tiranë

Prot.Nr.345/45

P.T. Komandës së Përgjithshme t’Ushtrisë Kombëtare Shqiptare  

Tiranë

Kryetari i Misionit Shëtitës Shqiptar në Shkodër, Pater Gjon Karma, jezuit, na shkruan më 29.X.1945, se qysh në kallnduer të v.v., Ushtrija Nacjonal Çlirimatre u paskan zaptue Shpinë e Misionit Shëtitës Shqiptar, pikë ma së pari për me shti mbrendë Spitalin Ushtarak, e qysh në muajin e gushtit autoritetet e vendit kanë shti mbrendë Komandën e Qarkut.

Për shkak të zaptimit, vazhdon shkresa e Pater Gjon Karmës, na asht dashtë me shpërnda personelin e këtij Instituti Fetar e Papnuer, t’ue pezullue aktivitetin e veprës gjashtëdhjetëvjeçare.

I nënshkruemi lut atë Komandë të Përgjithshme që: të napi urdhunat e duhuna për lirimin e shpis në fjalë, mbasi tesh nuk asht ajo nevojë urgjente si në kohnat e para të lirimit t’Atdheut prej zgjedhës së huej. Lirimi i shpis në fjalë, ka me na dhanë mundësi me mbledhë personelin e shpërndamë e me fillue rishtas veprimin tonë fetar, të pezullue pothuej tesh nji vjet./Memorie.al

Kryetari i Komunnitetit Katholik të Tiranës e  Famullitar   Don Shtjefën Kurti

Vijon numrin e ardhshëm....

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë