TIRANE - Athina zyrtare nuk mund të rrijë dyarkryq për sa i përket korrigjimit të teksteve shkollore të  Historisë dhe Gjeografisë së Shqipërisë. Mediat në shtetin grek shkruajnë se deputeti i “Demokracisë së Re” Manolis Kefalogiannis, parti nga e cila është dhe kryeministri Antonis Samaras, ka kërkuar ndërhyrjen e Komisionit Europian për këtë çështje.
 
Sipas mediave greke që citojnë deputetin Kefalogiannis duhet të rivendoset e vërteta historike në librat shkollore të Shqipërisë dhe të shmanget qartë në të ardhmen çdo akt dhe propagandë irredentiste.

Në një letër drejtuar KE-së deputeti grek shkruan se “shqiptarët qytetet greke të Prevezës, Igumenicës, Pargës dhe Kosturit  i quajnë qytete shqiptare në tekstet shkollore”. Kefalogiannis thotë se këto tekste janë një gabim i madh për një vend si Shqipëria që do të jetë pjesë e BE.   

Ajo që prek me tepër deputetin grek është se në tekstin e Historisë, quhen si zona shqiptare në Greqi: Çamëria, Konica, Kosturi, Follorina; ndërsa ka referenca për Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913, e cila “bëri shpërndarjen e trojeve shqiptare në shtetet fqinj.
 
Ai kërkon menjëherë nga Tirana zyrtare korrigjimin e këtyre teksteve.

Nikolla: Në nëntor nisim diskutimet me palën greke

Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolla ka folur sot për rishikimin e teksteve shkollore ku flitet për historinë e përbashkët të Shqipërisë dhe të Greqisë.

“Grupet e punës janë ngritur. Ne kemi qenë të parët që kemi çuar pranë institucioneve përkatëse greke ftesën dhe me emrat e të gjithë grupeve të punës po ecim në këtë drejtim. Në muajin nëntor ato do të kenë disa takime të përbashkëta për të avancuar dhe për të mundësuar gjithçka që duhet dhe është e nevojshme për të përmirësuar”, ka thënë Nikolla. 

Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)