Historia e një vajze 32-vjeçare
 të infektuar me HIV-AIDS

Historia e një vajze 32-vjeçare<br /> të infektuar me HIV-AIDS
Kur imuniteti i trupit të saj ra dhe këputjet filluan të bëhen edhe më të shpeshta, A. J (inicialet e 32-vjeçares janë ndryshuar për të ruajtur privacinë) bëri analizat dhe zbuloi se ishte prekur nga virusi HIV. Një nga ato zbulime që të përplasin shakull në tokë, të lënë pa frymë, të detyrojnë të mendosh gjëra të zeza, të sjellin në mend vetëvrasjen, arratinë dhe të bëjnë të ëndërrosh se do të gdhihesh një mëngjes dhe e gjithë kjo nuk është e vërtetë. Por, ndërkohë që ditët kalonin dhe sëmundja përparonte, A. J përparonte gjithashtu në informacionin për të. Fillimisht hyri në blogje të huaja. Aty gjeti dhe një të njohurën e saj shqiptare me të njëjtin hall. Shoqja e saj, e cila jetonte në Angli, rriste e vetme dy fëmijë, sepse i shoqi, i cili e kishte infektuar, sapo kishte zbuluar për sëmundjen ia kishte mbathur.

Dilema e A. J ishte e madhe. Ajo bashkëjetonte prej tetë vitesh me një djalë, i cili meritonte të dinte të vërtetën për sëmundjen. Por, për të dhënë lajme të tilla, duhet guxim i madh. Para se të përballej me të, u takua me kryetaren e Shoqatës së personave që jetojnë me HIV/AIDS, e cila e qetësoi. Punonjësit e Shoqatës, nga ana e tyre, përballen shumë më shpesh se sa kushdo tjetër me të rinj dhe të reja, gra, burra, që u rrëfejnë se vuajnë edhe ata nga ajo sëmundja e rëndë dhe e paragjykuar, për të cilën kishin menduar dikur se nuk do t’u bëhej kurrë pjesë e jetës.

Pas rrëfimit të saj, ajo u përball me të dashurin. I tha që ishte e infektuar dhe se duhej të testohej dhe ai. Për fat të mire, ai nuk ishte prekur nga virusi. Ndërkohë, familja e saj e mbajti pranë. Ajo preferoi mos të fliste për infektimin dhe për mënyrën se si e kishte marrë atë dhe dëshira e saj u respektua. I dashuri i saj, për të cilin ajo kishte menduar se do ta braktiste, nuk reagoi si në mendimet e saj të zeza. Zakonisht, në raste të tilla, janë shumë të shpeshta ato, kur partneri i painfektuar zgjedh ta braktisë tjetrin.

Ai i kërkoi të martoheshin së bashku!
Me një kusht, që familja e tij, nga një qytet provincial i Shqipërisë, të mos e mësonte kurrë të vërtetën. Marrëdhënia e tyre e dashurisë nuk ndryshoi. Ata shtuan në jetën e tyre seksuale prezervativin dhe vetëm pak kohë pas martesës vendosën që të lindnin një fëmijë. Për këtë, A. J bëri një trajtim special, që do të thotë se hyri në terapi me Antiretrovirale. Për të shmangur çdo infektim të mundshëm pas ngjizjes së fëmijës, proces ky, i cili bëhet në kushte normale, për të shmangur çdo infektim të mundshëm të fëmijës, që riskun më të madh e ka gjatë kohës së shtatëzanisë, lindjes dhe ushqyerjes me qumësht gjiri. Të treja këto rrugë transmetimi të virusit HIV nga një nënë e infektuar tek fëmija i saj shmangen duke përdorur një trajtim të veçantë dhe nën vëzhgimin e mjekut infeksionist me ilaçet anti-HIV, duke kryer lindjen e fëmijës nëpërmjet operacionit cezarian.

Pas ardhjes në jetë të vajzës, e cila sot gëzon shëndet të plotë, bebja u trajtua për 6 javë pas lindjes me profilaksi ARV (antiretrovirale). Qumështin e gjirit, i cili është gjithashtu një transmetues i virusit, ju këshillua të mos e përdorte. Vajza e saj u ushqye me qumësht artificial. Kjo këshillë vlen për çdo nënë të infektuar me HIV, e cili dëshiron të mos i heqë të drejtën vetes për të pasur fëmijë.
Tani jeta e familjes së saj të vogël duket sikur ka hyrë në rrjedhë normale, mbushur me dashuri, ndjenja prindërore dhe gëzim. A.J dhe bashkëshorti i saj jetojnë dhe punojnë për të forcuar familjen e tyre. Ajo që e prish ritmin e saj të një jete normale është që, herë pas here, duhet të shkëputet dhe të bëjë analiza për të parë se si është gjëndja shëndetësore. Ajo, si qindra të tjerë, të prekur nga ky virus, tani mund të jetojë pa pasur asnjë problem.

Për fat të mire, sëmundja e shekullit tani nuk është më vdekjeprurëse. Ajo mund të mbahet nën kontroll duke përdorur ilaçet dhe kujdesin përkatës. Trajtimi i A. J dhe i çdokujt tjetër, që është i infektuar, kushton rreth 10 mijë euro në vit në vendet e BE-së, ku ilaçet e përdorura janë të çertifikuara dhe brenda standardeve të tyre të trajtimit. Të sëmurët me AIDS në Shqipëri suvencionohen nga shteti dhe trajtohen me ilaçe anti-HIV prodhime xhenerike për të ulur koston e trajtimit të këtyre pacientëve.
Në intervistën e mëposhtme, ajo shpjegon përjetimet e saj, që nga momenti kur mori vesh për infektimin me HIV, deri në ditët tona.

Ja si rrjedh jeta e saj...

Cilat ishin shenjat e para të sëmundjes? 
Ndihesha e pafuqishme, sëmuresha shpesh, kisha shumë këputje dhe gjendje të lodhur.

Çfarë ndjeve kur mësove të vërtetën për infektimin? 
Bota u shemb para meje, nuk mundesha as ta pranoja dhe as ta mendoja se ishte e vërtetë.

Cilat ishin mendimet që të vinin më shpesh në mëndje? 
Vetevrasje, turp, vetmi, të ikja diku ku nuk më njihnin.

Pate frikë t’ia tregojë të dashurit? 
Në fillim po, por duhet t’ia tregoja patjetër, që edhe ai ta dinte statusin e tij.

Si reagoi familja jote? 
Familja më mbajti afër edhe më shumë, pasi ishte një moment delikat në jetën tonë.

Mendove ndonjëherë të ndahesh prej të dashurit? 
Patjetër që po. Nuk doja asnjeri afër.

E kujt ishte ideja e të lindurit fëmijë? 
Ishte një ide e të dyve, pasi i duam shumë fëmijët. 

A do të bëni fëmijë të tjerë? 
Pse jo. Është një dëshirë që nuk zbehet kurrë.

Pas lindjes së fëmijës, cili është gëzimi juaj më i madh dhe cila brenga më e madhe?
Gëzimi më i madh është çdo ditë e jetuar me fëmijën, ndërsa brenga më e madhe është në se do të arrij t’ia them ndonjëherë të vërtetën.

Ndihesh ndonjëherë e lënduar dhe pse? 
Tani jo më, pasi kanë kaluar ditët e vështira, por ndonjëherë më dhemb ideja pse e kam këtë virus.

Nëse do të ktheheshe pas në kohë çfarë do të bëje ndryshe? 
Ndoshta s’do të ndryshoja asnjë grimcë të gjithçkaje që kam bërë.

Historia juaj ka një mesazh të madh dashurie; si do t’ua përcillje të tjerëve atë? 
Dashuroni, jetoni me dëshirën për të jetuar, pranoni gjithçka që ju fal fati, qofshin të mira apo të këqija.

Cila është këshilla juaj për të tjerët dhe a do t’i veçoje femrat për t’u dhënë një këshillë ndryshe nga ajo, që do t’iu drejtoje meshkujve?
Jo, nuk do ta ndaja këshillën time, pasi të dy palët mund të jenë “viktimë” e këtij fati (le ta quajmë kështu). Këshilla ime: dashuroni të mbrojtur, për veten, personin që jeni, familjet dhe të ardhmen.

Ku e gjete forcën brenda vetes për të luftuar dhe për të mos i braktisur ëndrrat?
Unë kam dëshirë të jetoj. E dua jetën me çdo vështirësi dhe mirësi që ka ajo.

Si është jeta jote tani?
Jeta ime është si e jotja, si e kujdo tjetër, me ndryshimin e vetëm që unë marr terapi çdo ditë dhe bëj analiza më shpesh.

Si është trajtimi i mjekëve? 
Deri diku i mirë, pasi kemi arritur në ato vite, ku ata janë mësuar tashmë me idenë që ka edhe njerëz të prekur nga kjo sëmundje.

Ke frikë nga paragjykimi dhe nga cila kategori njerëzish vjen kryesisht ai? 
Patjetër që kam frikë nga paragjykimi, pasi mund të të largohen të gjithë pa kaluar sekondi nëse mësojnë të vërtetën për sëmundjen. Paragjykimi vjen nga një kategori njerëzish që nuk janë të informuar.

Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Studimi: Më shumë republikanë se demokratë e shohin Izraelin si aleat të Shteteve të Bashkuara

Studimi: Më shumë republikanë se demokratë e shohin Izraelin si aleat të Shteteve të Bashkuara