Historia e panjohur e besnikut të Mbretit Zog: Doli kundër Enver Hoxhës, Sigurimi i Shtetit, me dy vrasës me pagesë, qëlloi major Rauf Fratarin

Historia e panjohur e besnikut të Mbretit Zog: Doli kundër Enver Hoxhës, Sigurimi i Shtetit, me dy vrasës me pagesë, qëlloi major Rauf Fratarin

Fratari, ai vend i thyer në cep të Mallakastrës së egër, ka bërë emër jo vetëm në jug, por në krejt viset e shtetit amë. Burrat e atij vendi, ishin mbështetja e parë e Rrapo Heklait, i cili ngaqë kundërshtoi trimërisht Portën e Lartë, në mesin e shekullit të XIX-të, u dënua me vdekje. Nga Fratari, janë me dhjetar burra që u qëndruan trimërisht tufaneve të kohës. Dhe në mesin e këtyre burrave, qëndron nacionalisti i shquar, ai që e deshi atdheun dhe Monarkinë, njësoj si shtëpinë e vet, Rauf Fratari. Ai lindi në Fratar, në vitin 1908, në Mallakastër ku kishin nisur të frynin erërat e autonomisë shqiptare. Nënë Sabires, asaj gruaje trime nga dera e shquar e Frashërllinjëve të Përmetit, i shkuan plot miq e dashamirës për ta uruar. I mungonte vetëm i shoqi, Hajredini. Po kush ishte Hajredin Fratari?

I diplomuar në Stamboll në universitetin e Hylqies, Hajredini ende 24 vjeçar, dërgohet në Janinë. Aty mëson nga administrimi praktikisht dhe pas disa provimesh të tjera në Stamboll, në vitin 1906, dërgohet nga Porta e Lartë, me detyrën e nënprefektit, në një prej nënprefekturat e Mamisit, të Vilajetit të Izmirit në Turqi. Aty, ndonëse punon deri në vitin 1910, ka qenë i lidhur ngushtë me krerët kryesorë të lëvizjes autonomiste shqiptare. Është ndër nismëtarët e Komitetit Shqiptar të Beratit, të cilët mbështetën fuqimisht Ismail Qemalin, Shahin Kolonjën dhe Hasan Prishtinën, për të ngritur zërin në parlamentin turk, lidhur me alfabetin dhe gjuhën shqipe.

Në fillim të vitit 1912, Hajredin Fratari, e braktis përfundimisht karrierën e lartë në administratën turke dhe shkon në Mallakastër e Berat, duke mos kursyer as forcat e mendjes e as pasurinë e tij dhe vihet në ballë të lëvizjes, për pavarësinë e trojeve shqiptare. Natyrisht, një personalitet si Hajredin Fratari, e kishte të qartë se Pavarësia e Shqipërisë, mund të arrihej vetëm në saje të bashkimit të ideve dhe forcave të krejt shqiptarëve, drejt qëllimit të përbashkët. Për këtë qëllim, ai merr pjesë në Kuvendin e Junikut, më 25 maj 1912, si përfaqësues i popullit të Mallakastrës dhe Beratit. Fjala e tij, do të dëgjohej me respekt, në mes të 250 burrave të mbledhur në Junik, të cilët përfaqësonin, të gjitha vilajetet shqiptare. Nisur nga aktiviteti i madh patriotik, nga mençuria dhe guximi i tij, populli i Mallakastrës, e zgjedh Hajredin Fratarin, si delegatë të saj në Kuvendin historik të Vlorës, në nëntorin e vitit 1912. Në këtë mënyrë, burri i Mallakastrës u radhit ndër 33 firmëtarët që shpallën me aktin e tyre, pavarësinë e trojeve amtare.

Në vitet 1912-1914, Hajredin Fratari, do të shërbente me shumë zell e pasion, si nënprefekt i Skraparit, duke vënë në jetë njohurit e tij, për të çuar sa më parë idetë dhe punën e madhe të qeverisë së parë shqiptare, dalë nga Kuvendi i Vlorës. Pas mijëra halleve që kishin shqiptarët e asaj kohe, Hajredin Fratarit, iu desh të përballej edhe me elementë anadollakë të cilët, ende shpresonin se e ardhmja e Shqipërisë, ishte Stambolli. Edhe kur në Shqipëri erdhi Princ Vidi, ndonëse pati shumë kërcënime, Hajredini, nuk e la detyrën. Por me largimin e tij, atëherë kur Shqipëria e Mesme dhe ajo e Jugut, po binin në duart e Esat Pashë Toptanit e Haxhi Qamilit, atëherë burri i Mallakastrës, shkon në shtëpinë e vet, në Fratar dhe për tri-katër muaj, merret me ndërtimin e shkollës së parë shqipe në atë fshat.

Por qëndrimin e Hajredinit, nuk mund ta harronin rebelët mallakastriotë, që në mënyrë të verbër, shkonin pas Haxhi Qamilit, kësaj figure të urryer të shqiptarëve, në ato vise. Në ditët e para të prillit 1915, ata shkojnë në Fratar dhe e arrestojnë Hajredinin, në shtëpinë tij. Katër ditë më pas, ndërsa ai tentoi t’u largohej rojeve, është qëlluar dhe vrarë prapa krahëve. Gjithsesi, në telegramin për këtë vrasje, thuhej: “Berat 15 prill, ora 8 e ditës. Drejtuar kryesisë së Komitetit Elbasan, Tiranë, Krujë. Zoti Hajredin Fratari, tue qenë nga nënprefektët e administratës së Turqisë, është mbështetës i personit të Ismail Qemalit dhe u bë nënprefekt i Skraparit. Mbas ngjarjeve të bamë së voni, është burgosur në burgun e Beratit dhe mbasi nuk u pa e pëlqyeshme mbajtja e tij në burg, e pamë të udhës, transferimin e tij në burgun e Kavajës. Për dijeni ju njoftohet se sot, ku po përcillesh për në Kavajë, nën vërejtjen e një detashmenti… u muar vesh se rrugës, ka tentuar me u arratis dhe mbasi nuk iu bind urdhrit “ndal”, të dhanun dy-tri herë prej detashmentit, asht vramë nga të qiturat e pushkëve, të bame nga ana e detashmentit”. (Arkivi Qendror i Shtetit-Tiranë. Fondi 245,dosja 26, fleta 118).

Raufi 7 vjeçar, do të shkonte të fillonte mësimet në shkollën e Fratarit, të cilën e pati ngritur që nga themelet, i ati, Hajredini, madje edhe mësuesit e parë të kësaj shkolle, ishin paguar nga burri i shquar i Mallakastrës. Së bashku me vëllanë më të vogël, Skënderin, ata do t’i rriste me dashurinë e saj, nënë Sabirja. Pas mbarimit të shkollës fillore, në Fratar, Raufi shkon në Gjirokastër, ku mbaron dy klasa të tjera. Më pas në, vitet 1923-1927, ai shkon në Modena të Italisë dhe me ndihmën e pakursyer të familjes, mbaron me rezultate të shkëlqyera, studimet në shkollën e mesme ushtarake. Tejet autoritar, me ambicie të vazhdueshme për t’u thelluar në studimet ushtarake, Rauf Fratari, do të këmbëngulte për të vazhduar akademinë e lartë ushtarake. Për fat të tij, në nëntorin e vitit 1928, Mbretëria Shqiptare, e shpalli të atin Hajredinin, “Dëshmor të Kombit”, me ç’rast të birit, Raufit, i ofrojnë studime të larta në Itali. Në këtë mënyrë, së bashku edhe me studentë të tjerë shqiptarë, në vitet 1929-1933, Rauf Fratari, vazhdon studimet në Akademinë Mbretërore të Romës, në degën e Kavalerisë. Autoritetit dhe prestigjit që gëzon ndër shokë, do t’i shkonte shumë kjo degë e, për më tej, Raufi do t’u futej studimeve të thelluara, për rolin e madh të kavalerisë në betejat, që kishin zhvilluar në shekuj me radhë, bashkëkombësit e vet. Ndërkaq, ai nuk do të qëndronte indiferent edhe ndaj politikave italiane për fashistizimin e jetës së studentëve shqiptarë, në krejt Italinë. Kundërshton me forcë nderimin alla romana dhe në bisedat me miqtë e vet, shprehet hapur, duke thënë se; studentët shqiptarë, duhet të ruajnë nderimet ushtarake, që bëheshin në atdhe dhe asesi, nuk duheshin harruar zakonet e mrekullueshme shqiptare.

Në vjeshtën e vitit 1933, pasi mbaroi me rezultate të larta Akademinë Mbretërore në Romë, Rauf Fratari, me gradën e nëntogerit, emërohet në Gardën Mbretërore Shqiptare. Për gjashtë vjet me radhë, ai do të shërbente në këtë Gardë, me përkushtim dhe devocionin më të lartë. Veçanërisht në këto vite, duhet pranuar se italianët, nuk lanë gur pa lëvizur, për ta kthyer Mbretin Zog, në instrument të politikave kolonizuese të tyre. Kur e panë se në këtë drejtim, karakteri i Mbretit të Shqiptarëve, ishte i papërkulur, ata u përpoqën me anë të mercenarëve shqiptarë, të kërcënonin deri fizikisht jetën e tij. Rauf Fratari, në çdo moment, u gjend kurdoherë në situatën më të vështirë, duke shmangur në kohë çdo rrezik. Betimi si oficer besnik i Gardës Mbretërore, do të ishte për birin e Mallakastrës, jo vetëm një udhëheqje, por edhe thirrje për të sakrifikuar gjithçka, vetëm që nderi i Gardës Mbretërore dhe i vetë Mbretit Zog, të mos cenohej. Ishte kjo arsyeja, që brenda gjashtë vjetëve, të detyrës së tij në atë funksion, Rauf Fratari, arriti të marrë gradën e majorit të Gardës Mbretërore.

Ndërkaq, 7 prilli 1939, do të shënonte ditën e zisë kombëtare shqiptare. Raufi, ishte ndër ata qindra oficerë të Monarkisë së Zogut, i cili e priti me indinjatë të madhe pushtimin fashist të vendit dhe në shenjë proteste, ai grisi flamurin italian. Pas atij gjesti, ndoshta simbolik, por që shprehte gjendjen e tij shpirtërore dhe indinjatën e madhe të një shqiptari të vërtetë, autoritetet italiane, e arrestuan Raufin dhe e mbajtën për disa kohë në burgun e Tiranës.

Ka qenë pikërisht, ndërhyrja e Fejzi bej Alizotit (gruaja e të cilit, ishte motër me gruan e Raufit) që ky i fundit, të lirohet nga burgu. Meqenëse autoritetet italiane, i njihnin aftësitë ushtarake të Raufit, në kuadrin e thirrjes për t’u kthyer të gjithë oficerët shqiptarë, në detyrat e tyre, ai caktohet në Garnizonin e Kuçovës. Disa muaj më pas, në fund të vitit 1940, Rauf Fratari, thirret në Komandën e lartë të Ushtrisë italiane dhe i bëhet thirrje, të grumbullojë sa më shumë vullnetarë nga vendlindja e tij, Mallakastra, për të luftuar në frontin italo-grek, që niste nga Saranda. Sido që, nën parullat se do luftohej për Shqipërinë Etnike, Raufi, e kuptoi se kjo gjakderdhje e shqiptarëve, s’ish gjë tjetër, pos zbatimit të planeve strategjike’ për territore të reja të pushtuara nga fashistët. Ka qenë kjo arsyeja që’ Rauf Fratari, nuk pranoi të luajë këtë rol, me ç’rast u arrestua përsëri dhe u dërgua në burgun e Gjirokastrës. Edhe aty’ nuk munguan presionet, ndërsa burri i Mallakastrës’ me një italishte të kulluar, i kumtonte karabinierëve italianë, se shqiptarët një fjalë kanë. Edhe këtë radhë, me ndërhyrjen e Fejzi bej Alizotit, autoritetet italiane, detyrohen ta lirojnë nga burgu, duke e porositur që të shkoj në shtëpi, ndryshe e priste internimi.

Në vitet 1941-1943, Rauf Fratari, akademist i shkëlqyer i Romës dhe Mbretëror i sprovuar, bashkëpunon ngushtë me nacionalistët shqiptarë. Ai bie në kontakt me Hysni Lepenicën, Ismail Golemin, Tefik Cfirin dhe sidomos me Abaz Kupin, heroin e rezistencës shqiptare të 7 prillit 1939. Dihet se, në fillimet e veta, lëvizja nacionaliste shqiptare, lindi si nevojë imperative e luftës kundër fashizmit italian, i cili kishte robëruar vendin. Rreth 70-80 burra të Mallakastrës, në janarin e vitit 1943, lidhin besën, se do të luftonin nën komandën e Rauf Fratarit. Brenda dy-tri muajve, radhët u shtuan dhe kjo njësi luftarake, u pagëzua batalioni “Hajredin Fratari”. Në mars të vitit 1943, do të vinte aksioni i parë i madh i këtij batalioni, kundër forcave italiane, që lëviznin në autokolonë prej Fierit, në Tepelenë. Në vendin e quajtur kthesa e Greshicës, Rauf Fratari, ndërton një pritë model, duke iu përshtatur terrenit, si edhe aftësive luftarake të batalionit që udhëhiqte. Duke shfrytëzuar befasinë, vullnetarët nacionalistë, hapin një zjarr të fuqishëm në drejtim të autokolonës italiane dhe brenda dy orë luftimesh, lënë dhjetëra të vrarë dhe të plagosur. Komanda e qarkut të Fierit, lajmëronte Tiranën, për “dërgimin e trupave të tjerë pasi prita ka qenë e befasishme dhe shqiptarët nuk përmbahen në sulmin e tyre”.(AQSH-Tiranë, Fondi Mëkëmbësia, dosja. 47, fleta 233)

Mbas këtij aksioni, i cili bëri jehonë në krejt Shqipërinë e Jugut, forcat ushtarake italiane, ndërmuarën një operacion të gjerë, në Mallakastër, duke djegur qindra shtëpi, duke vrarë e burgosur, shqiptarë të pafajshëm. Nuk mundet kurrsesi të jetë rastësi, që e para shtëpi e djegur prej italianëve, ishte ajo e Hajredin Fratarit. Pas djegies së parë që i bënë shtëpisë së madhe, forcat e Haxhi Qamilit, në vitin 1915, kjo ishte e hera e dytë, por që i rrënoi deri muret e lashta, prej guri. Raufi, me ndihmën e miqve të vet, mundi ta largojë familjen dhe në krye të batalionit, u hodh në aksion luftarak, akoma më të rreptë, kundër pushtuesit italian. Tashmë, emri i tij, përcillej me respekt në çdo vatër mallakastriote. Sigurisht, ka qenë kjo arsyeja, që Qarkori Komunist i Mallakastrës, ngarkoi Mehmet Shehun, të bisedonte me Raufin, me qëllim që ky të rreshtohej në batalionin e vet, në radhët e nacionalçlirimtarëve. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve të tij, takimi ishte kryer në vendin e quajtur Poçem, disa ditë përpara se aty, të mblidhej populli e të jepte besën, për të luftuar okupatorin italian.

Rauf Fratari, me horizontin e gjerë dhe personalitetin që zotëronte, i tha Mehmet Shehut se, nuk mund të vihej kurrsesi, në komandën e komunistëve e para, sepse ajo doktrinë, nuk përshtatej Shqipërisë dhe e dyta, sepse komunistët shqiptarë, të rangjeve të larta, pothuaj të gjithë, merrnin urdhra nga Beogradi. Kjo bisedë e çiltër, do t’i kushtonte shumë shtrenjtë Rauf Fratarit, dhe se prej atij momenti, ai u shpall armik i Partisë Komuniste, e cila udhëhiqej nga motoja bolshevike “O me ne, O kundra nesh”. Sidoqoftë, as premtimet dhe as presionet, nuk do të mund t’a përkulnin burrin e Mallakastrës. Ai do të ndërmerrte, një varg aksionesh të tjera, kundër italianëve, pa i ndërprerë kontaktet, veçanërisht me Abaz Kupin. Madje, me insistimin e këtij të fundit, çeta e Raufit, do të koordinonte veprimet luftarake, me çetat e Ismail Golemit dhe Tafik Cfirit. Më pas, po në shoqërinë e ngushtë të Abaz Kupit, Rauf Fratari, do të njihej nga afër edhe me Mit’hat Frashërin, i cili me urtësinë e vet, do të thellonte më tej ndjenjat antikomuniste të birit të Mallakastrës.

Falë urtësisë dhe veprimit energjik luftarak kundër fashistëve italianë, Rauf Fratari, do të ftohej nga Mit’hat Frashëri dhe Abaz Kupi, për të marrë pjesë në kuvendin historik të Mukjes. Dihet tanimë se delegacioni i nacionalistëve shqiptarë, përbëhej nga figurat e shquara, si; ”Mid’hat Frahsëri, Hasan Dosti, Thoma Orollogaj, Skënder Muço, Hysni Lepenica, Isuf Luzaj, Kadri Cakrani, Rauf Fratari, Xhevat Peshkëpia, Halil Mëniku, Vasil Andoni dhe Ismail Petrela”. (A.Q.SH-Tiranë. Fondi 40, D.173. fl. 19-20).

Ndonëse i ri në moshë, Rauf Fratari, do të dëgjohej plot respekt në Kuvendin e Mukjes, në mënyrë të veçantë, ai do të këmbëngulte, për të vendosur në nenin dy të Proklamatës, luftën pa asnjë kusht, për zbatimin e parimeve të garantuara nga Karta e Atlantikut, për vetëvendosjen e kombeve, ç’ka nënkuptonte, bashkimin e trojeve të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare, me shtetin amë, si edhe të drejtat e Shqipërisë Etnike. Por dihet tanimë nga të gjithë shqiptarët, se si u tradhtua Mukja.

Tashmë, nuk ishin okupatorët ato që mund të hakmerreshin kundër tij dhe familjes, por forcat e verbërta të nacionalçlirimtarëve shqiptarë. Pas kësaj, ai iu bashkëngjit njësive luftarake të Abaz Kupit, duke udhëhequr çetën e vet, sa në luftë kundër italianëve, po aq edhe kundër gjermanëve. Heroizmi dhe mjeshtëria e vet luftarake, do të shkëlqente sa në Mat edhe në Krujë, sa në Zallher, aq edhe në Prezë. Ai ishte i bindur, deri në fund, se fatet e Shqipërisë, e ardhmja e saj, ishte lidhur ngushtë me autoritetin e padiskutueshëm të Mbretit Zog, i cili ashtu sikundër pati udhëhequr 15 vjet me radhë popullin e vet, do të dinte ta mbronte atë, sa prej okupatorëve të huaj, aq edhe prej mortajës komuniste. Mirëpo, me uzurpimin e pushtetit nga bolshevikët e shtetit amë, Rauf Fratari, e parndjen tragjedinë që po pllakoste atdheun e vet. Ai largohet plot dhimbje nga Shqipëria, duke lënë aty, jo vetëm historinë e ndritur të familjes së tij, por edhe nënën, gruan dhe djalin dy vjeçar, të cilin, e kishte quajtur Hajredin, në kujtim të atit të vet.

Duke iu drejtuar brigjeve të Italisë, së bashku me dhjetëra nacionalistë të tjerë, ai ishte i ndërgjegjshëm, se kudo të ndodhej, do të luftonte me mish e me shpirt, për të shpëtuar kombin nga tragjedia e shekullit, komunizmi. Të shtatë vitet e qëndrimit të tij në Itali, Raufi, do t’i kalonte duke u përballur me vështirësitë e shumta të jetës dhe privacioneve të mërgimit. Ai do të ishte kurdoherë, përkrahë kulmeve të nacionalizmit shqiptar, si Mid’hat Frashëri, Hasan Dosti, Zef Pali, Abaz Kupi, madje do të mbante lidhje edhe me Mbretin Zog. Në këto lidhje, ai do të shihte kurdoherë mundësinë e organizimit të forcave antikomuniste shqiptare, pa dallim partie. Ai ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së vet, fatos i bashkimit të gjitha forcave politike, vetëm e vetëm, për të shembur muret e komunizmit të përdhosur, ato mure që ndan për pesë dekada me radhë, kombin shqiptar, prej kombeve të tjera të qytetëruara.

Në vitin 1951, pas disa kërkesave të herëpashershme, Rauf Fratari, thirret në Zyrën e Refugjatëve, në Romë dhe i jepet e drejta të mërgojë në SHBA-ës. Atje, fillimisht në shtëpinë e një mikut të vet, Hiqmet Delvinës (ish kryetar i Parlamentit në kohën e Monarkisë) në shtetin e Nju Xhersit. Më pas, filloi veprimtarinë ekonomike private, por duke ndjekur me vëmendje të madhe, gjithë zhvillimet politike në Shqipëri. Malli për të afërmit në vendlindje e kapllon, sidomos kur mëson se ata keqtrajtohen nga qeveria komuniste e Tiranës. Merr pjesë në veprimtarinë e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, duke dalë në mbrojtje, jo vetëm të bashkëkombësve të vet në shtetin amë, por edhe për ata në Kosovë e Maqedoninë Shqiptare. Ka qenë kjo arsyeja, që në fund të janarit 1973, sapo del nga shtëpia e vet, Rauf Fratarin, e qëllojnë për vdekje, dy vrasës me pagesë. Dora gjakatare e Sigurimit të Shtetit shqiptar të asaj kohe, ishte shtrirë deri në Nju-Xhersin e largët, ajo dorë shtrinte përdhe, burrin dhe nacionalistin e shquar, por kurrsesi idenë dhe shpresën e tij, për një Shqipëri të çliruar, nga murtaja komuniste, për një Shqipëri Etnike./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Scutari: 04/06/2023 10:39

    Nuk ka pasur b*thë njeri nga sigurimi i shtetit që të bëjë vrasje në new Jersey por lexoni ndonjë gazetë 5ë kohës për të mësuar motivin e vërtetë.

    Përgjigju
  • ARBER: 04/06/2023 09:54

    Shkrim koti… nje perpjekje per te revizionuar historine e LANÇ. Ne gjithe historine e Luftes se Dyte Boterore nuk rrzulton qe çetat e Ballit dhe ato te Legalitetit te kene luftuar ndaj pushtuesve italo gjerman…Perkundrazi , ato i bashkuan armet me pushtuesit kunder luftetarve antifashiste, qe kishin dale maleve per çlirimin e vendit….

    Përgjigju
    • Bond: 04/06/2023 13:47

      LANC ishte lufte brenda shqiptarve per tu pushtuar me vone nga Kommunisten me ne krye pederastin Enver Hoxha.

  • Brunilda: 04/06/2023 09:42

    Urrejtja juaj ua rrit vlerën heronjve. Nga ana tjetër atë që quani mret nuk ishte kurrgje veç kriminel e hajdut ordiner me bashibozuket që i kaloni tash për heronj. Fashizmi ju ka kaplu nga fyti.

    Përgjigju
    • bruno: 04/06/2023 10:50

      Bravo Brunilda ! Burra shteti janë komunistët me Heroin legjendar (që nuk shkrepi një pushkë e vrau shokët luftëtarë dhe kunatin e vet qe e shkolloi dhe e mbajti me bukë) Enver Hoxha

  • xhemal: 04/06/2023 08:12

    Bashkepunetoret e nazifashizmit dalin heronj?????? Haaaaaa

    Përgjigju
    • Bond: 04/06/2023 13:43

      Idiot i lindur

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e policit, a rrezikon të përshkallëzohet konflikti Kosovë-Serbi?



×

Lajmi i fundit

Vritet 38 vjeçari në Katund Sukth! Dy grupe të FNSH-së Tiranë nisen drejt Durrësit (EMRI)

Vritet 38 vjeçari në Katund Sukth! Dy grupe të FNSH-së Tiranë nisen drejt Durrësit (EMRI)