Historia e rrallë/ 17 murgesha sovjetike u strehuan në Shën Vlash në vitet 1950-1953

Historia e rrallë/ 17 murgesha sovjetike u strehuan në Shën Vlash në vitet 1950-1953

Murgesha

Në një video të Zyrës së Katekizmit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASH) me titull “Historia e manastirit të hirshëm të Shën Vlashit” thuhet se “rreth viteve 1945-1946 atje (në manastirin e Shën Vlashit) kishin ardhur të shërbenin 11 ose 12 murgesha ruse, të cilat thonin se i kishin shpëtuar luftës. Ato shërbyen shumë kohë në manastir dhe u larguan para se të prishej kisha rreth viteve 1961”. E vërteta është se në Shën Vlash kanë shërbyer murgesha ruse. Gjithçka tjetër është e pasaktë. Ato ishin 17 plus një prift që qëndruan në Shënavlash në periudhën 1950-1953.

Në arkivat ruse ndodhen disa dokumente që hedhin dritë mbi fatin e 17 murgeshave dhe një prifti të thjeshtë sovjetik, që u strehuan nga Shqipëria pas dëbimit për arsye politike nga Jugosllavia. Por që nuk u pranuan as në atdheun në tyre, pasi konsideroheshin si të padobishme në kohën kur Stalini ishte gjallë. “shqiptarja.com” bën publike një histori të pazakontë dhe boton të përkthyera nga origjinali rusisht tre dokumente.

Manastiri i Shën Vlashit

 

DËBIMI NGA SHERRI STALIN-TITO

Për shkak të konfliktit midis J.V. Stalinit dhe I.B. Titos, nga Jugosllavia pas vitit 1948 filluan të dëbohen jo vetëm individë të veçantë rusë me familjet, por edhe komunitete monastike emigrante. Në shkurt të vitit 1950, autoritetet jugosllave kërkuan nga murgeshat dhe kryemurgesha Maria (Dohtorova) të largoheshin nga vendi. Në të njëjtën kohë manastiri u zbraz për gjysmë ore dhe bujtëset e manastirit u detyruan të linin pothuajse të gjithë pasurinë: veshjet kishtare, bibliotekën, teknikën, rrobat dhe gjithçka tjetër.

SHQIPËRIA, VEND JO-ORTHODHOKS

Motrat i hipën në një vagon mallrash dhe i deportuan në Shqipëri. Kryemurgesha së bashku me motrat u sistemuan në manastirin e Shën Vlashit në qytetin e Durrësit. Për murgeshat ortodokse ishte e vështirë të jetonin në një vend jo-orthodhoks, në Shqipëri. Në vitin 1950, kryemurgesha Maria, përsëri iu drejtua një diplomati sovjetik me këto fjalë: "Na dëbuan nga Jugosllavia, sepse ne jemi shtetase të BRSS, edhe sepse se nuk e fshihnim faktin se e duam atdheun tonë". Dhe më tej, kryemurgesha vazhdonte: "Ju kërkojmë të ndërmjetësoni përpara Shenjtërisë së Tij për pritje. Lutjuni të na çoni nën mbulesën e tij dhe të na japë diku një cep, ku do të mund t'i shërbenim Perëndisë, kishës ortodokse dhe popullit... ".

KREMLINI: JO I PËRSHTATSHËM RIATDHESIMI I MURGESHAVE NË BS

Në nëntor 1950, gjatë një pritjeje nga kryetari i Këshillit për punët e Kishës Ortodokse Ruse, G. G. Karpov, patriarku Aleksij I (Simanskij) propozoi vendosjen e 16 motrave nga 17 gjithsej në manastirin femëror të Rigës, gjë që për të cilën u mor më parë pëlqimi i mitropolitit të Rigës Veniamin (Fedçenkov). Megjithatë, në këtë situatë nuk ndihmoi madje dhe kërkesa zyrtare e kreut të Kishës Ruse. Nga një letër në G.G. Karpovit më 28.07.1952, drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme A.J. Vishinski, duket se në fakt, të dy institucionet e konsideronin jo të përshtatshëm riatdhesimi i murgeshave emigrante në BRSS. Autoritetet sovjetike u përpoqën dhe më tej të vendosnin fatin e manastirit sipas gjykimit të tyre. Në letrën në fjalë Karpov i kërkonte Vishinskit si vijon: "Lidhur me këtë, Këshilli, para shtrimit të kësaj çështjeje në qeverinë e BRSS, Ju lutet të jepni udhëzime për sqarimin e mendimit të Ambasadës së BRSS në Varshavë mbi përshtatshmërinë e vendosjes në një manastir ortodoks në Poloni ...". Megjithatë mitropoliti i Varshavës Makari (Oksiuk), kreu i Kishës Ortodokse Polake, u shpreh kundër ardhjes. Prandaj, motrat u detyruan të qëndronin në Shqipëri.

KONFLIKT PËR STILIN

Gjatë kësaj periudhe papërcaktueshmërie të plotë mes disa motrave dhe kryemurgeshës Maria lindi një konflikt. Si rezultat, disa bujtëse të manastirit ndanë rrugët me kreun e tyre. Maria, pa pritur kthimin në atdheun, në vitin 1954, së bashku me pjesën tjetër të motrave që kishin mbetur, kaloi në Bullgari. Atje murgeshat ruse u vendosën në manastirin e shën Petka Paraskeva në fshatin Klisura (pranë qytetit të Sofjes). Që nga ajo kohë, skhiigumene Maria ishte në juridiksionin e Kishës Ortodokse Bullgare.

Sikurse del nga një informacion i Këshillit për çështjet e Kishës Ortodokse Ruse (KOR), më 8 dhjetor 1951, nga Shqipëria erdhi në emër të patriarkut një letër në kryemurgeshës së manastirit të Shën Vlashit (më 31 tetor 1951). Në letër ajo njoftonte mbi “mosmarrëveshjen e hieromonakes dhe shumicës së motrave për stilin e ri, të cilin ajo (kryemurgesha) e vuri në zbatim në bazë të vendimit të mbledhjes së Moskës” dhe lutej që “sa më shpejt ato të merren në atdhe”. Letra e kryemurgeshës u shqyrtua në mbledhjen e Sinodit të Shenjtë më 25 dhjetor 1951. Sinodi vendosi: “Të bekojë kryemurgeshën Maria me motrat, që po jetojnë në Shqipëri, për hir të paqes mes Vëllazërisë, t’i përmbahen stilit të vjetër dhe t’i lutet Fortlumturisë Paisi, arkiepiskop i të gjithë Shqipërisë, t’i falë për këtë gjë dhe me këtë rast të mos u nxjerrë pengesa”.

DËSHTIMI PËR DËRGIMIN NË IZRAEL

Më 10 gusht 1951 kreu i Këshillit për çështjet e KOR-it, G.G. Karpov i raportoi në Këshillin e Ministrave zëvendëskryeministrit V.M. Molotov (1890-1986) mbi murgeshat dhe priftin në Shqipëri, që i ishin drejtuar patriarkut të Moskës me lutjen të lejoheshin të ktheheshin në BRSS.

Sipas raportit të delegacionit të patriarkanës së Moskës, që vizitoi manastirin e Shën Vlashit në prill 1951, të gjitha murgeshat, me përjashtim të igumenes Maria, për të cilën, sipas fjalëve të saj, “nuk ka rëndësi ku jetoj”, - të gjitha murgeshat “kërkuan me këmbëngulje që t’u jepet leje të kthehen në BRSS, duke rënë dakord paraprakisht me çfarëdolloj kushtesh jetese”.

Këshilli për çështjet e KOR-it në qeverinë sovjetike ishte i mendimit, që, nga njëra anë, nuk ishte e dëshirueshme të liheshin murgeshat në Shqipëri, por, nga ana tjetër, plotësimi i lutjes së patariarkut për t’i sjellë murgeshat në BSS ishte i papërshtashëm “për shkak të mungesës së dobisë shoqërore të tyre dhe pse të dëbuara nga Jugosllavia”. Sipas opinionit të Këshillit, zgjidhja e këtij problemi mund të bëhej në këtë mënyrë: murgeshat të dërgoheshin në Izrael për të plotësuar manastirin femëror Gornenski në Jeruzalem. Por dërgimi në Izrael nuk ndodhi, pasi u shpreh kundër MPJ e BRSS-së.

LARGIMI NGA SHQIPËRIA, RREZIKU NGA EPISKOPI ANTIKOMUNIST IRENEJ

Në qershor 1952 murgeshat iu drejtuan sërish patriarkanës së Moskës me lutjen që të lejoheshin të iknin nga Shqipëria në BRSS ose përkohësisht në Bullgari ose Poloni. Këshilli për çështjet e KOR-it iu drejtua MPJ-së së BRSS-së, duke kërkuar të bëhej i qartë mendimi i ambasadës sovjetike në Varshavë mbi përshtatshmërinë e vendosjes në manastiret ortodokse polake të murgeshave dhe mbi mundësinë e shtrimit të kësaj çështjeje para qeverisë së Polonisë. Më 28 qershor 1952, në letrën e G.G. Karpovit drejtuar ministrit të punëve të jashtme të BRSS A.J. Vishinskij (1883-1954), thuhej: “Lënia e mëtejshme e këtij grupi murgeshash në Shqipëri ështe e mbarsur me thellimin e “përçarjes” që ka nisur të midis murgeshave, lidhjet e skhiigumenes Maria Dohtorova me episkopin e kishës shqiptare Irenej, që ndodhet atje “në prehje”, pasi është arrestuar për veprimtari kundër regjimit popullor-demokratik, dhe prandaj lutja e murgeshave për t’i larguar nga Shqipëria meriton vëmendje”. Çështja për dërgimin e murgeshave në Poloni u hoq shpejt: murgeshat e manastirit femëror ortodoks në fshatin Grabarka të distriktit të Belostokut ndodheshin në kushte jetese tejet të vështira, ato nuk kishin tokë, jetonin me lëmosha.

MË NË FUND NË BULLGARI

Varianti i ri i zgjidhjes së problemit u propozua nga skhiigumene Maria. Në një letër dërguar patriarkut Aleksij më 3 shtator 1952 ajo kërkonte leje për dërgimin e 12 murgeshave dhe ieromonahut Irakli (82 vjeç) në Bullgari, kurse ajo vetë me tri murgesha të shkonte në Çekosllovaki tek mitropoliti Elevfreri. Sinodi i Shenjtë bullgar në mbledhjen e 7 shkurtit 1953 vendosi të pranonte 12 motrat me priftin e tyre dhe t’i sistemonte në manastirin e virgjëreshës së Petropavlloskit afër qytetit Laskovec të eparhisë së Tërnovës. Më 30 gusht 1953 murgeshat mbërritën në Bullgari dhe më vonë u vendosën në manastirin e Shën Nikollaj Kapinovskit. Katër murgeshat me në krye skhiigumenen Maria, që kishin mbetur në Shqipëri, gjithashtu shprehën dëshirën të shkonin në Bullgari, gjë për të cilën në nëntor 1953 u mor miratimi i Kirillit të Bulllgarisë.

Nuk mund të thuhet se Aleksij I nuk veproi: u dërguan si ndihmë 10 mijë rubla, u bë kërkesë zyrtare për hyrjen e murgeshave në BRSS dhe vendosjen në një prej manastireve. Por fjala e fundit i përkiste atij, por të Këshillit për Çështje të Kishës Ortodokse Ruse, pa lejen e të cilit asgjë nuk mund të bëhej. Në vitin 1951, ministri i jashtëm A. J. Vishinski informoi thatë G.G. Karpovin se dikasteri i tij është dakord me mendimin e Këshillit për karakterin e papërshtatshëm të hyrjes së murgeshave dhe priftit në territorin e BRSS. Në këtë situatë, motrat, pasi nuk pranuan të shkonin në Francë apo në SHBA, kërkuan ndihmë për t’u vendosur në Bullgari, ku ato arritën në vitin 1954, në afërsi të Sofjes, në manastirin e shën Parashqevisë.

Letra: Mikpritja në Durrës, por duam riatdhesim

5 maj 1950.

Tërëshenjtërisë së Tij, Fortlumturisë Aleksij,

Patriarkut të Moskës dhe gjithë Rusisë

Tërëshenjëtëria Juaj,

Fortlumturia Episkop!

Me përvuajtje i drejtohemi Tërëshenjtërisë Suaj, qofshi i mëshirshëm ndaj nesh, si Ati ynë Qiellor mëshirëplotë, skhiigumenia mëkatare, prifti tetëdhjetëvjeçar hieromonak i [manastirit të] Valaam-it dhe 16 murgesha.

25 vjet jetuam ne në Jugosllavi... në vitin 1945 unë mora nga patriarkane serbe një akt, në të cilin propozohej pranimi i nënshtetësisë jugosllave. Ne u përgjigjëm se kemi nënshtetësinë sovjetike. Papritur, për ne, në shkurt të vitit 1950, morëm nga autoritetet civile / shtetërore kërkesën për t’u larguar nga Jugosllavia brenda pesë ditësh. Unë iu drejtova patriarkanës me lutjen për të na ndihmuar. Fortlumturia patriark, Sinodi dhe episkopi ynë eparkial bënë të gjitha përpjekjet që të na linin në Jugosllavi ose të shtynin afatin, në mënyrë që të mund të përgatiteshim për largimin, por nga ministria e punëve të brendshme u përgjigjën që tashmë ishte vonë: duhej që para një viti të pranonim nënshtetësinë. Teksa në Beograd po përpiqesha për shtyrjen e afatit, policia kishte nxjerrë motrat nga manastiri, dhe, kur u ktheva nga Beogradi, takova gjysmën e motrave në stacionin më të afërt me manastirin; i kishin dëbuar vërtet për gjysmë ore pa sendet, duke mos i lejuar madje të merrnin bukë për rrugë. Motrat e tjera i takova afër manastirit, dhe m’u desh t’i ktheja, kështu që këto motra arritën të merrnin diçka nga gjërat në domosdoshme, aq sa mund të mblidhnin për dy orë. Gjithçka e çmuar: gjithë biblioteka apostolike, ikonat, veshjet kishtare, instrumente të ndryshme, makinat, që i përkisnin vëllazërisë sonë, të cilat u sollën nga Besarabia, si dhe petka murgeshash – gjithçka mbeti në Jugosllavi. U transportuam kësaj radhe në Shqipëri. Këto na priti me shumë ngrohtësi kleri. Kjo zbuti disi hidhërimin e asaj që përjetuam në Jugosllavi. Mitropoliti i Shenjtë Paisi me dashamirësi dhe në mënyrë atërore na priti, pasi shprehu bashkëvuajtjen e tij, kërkoi që të ndjeheshim në Shqipëri, jo si mysafire, por si në atdhe. Autoritetet civile / shtetërore u sollën gjithashtu me dashamirësi, na dhanë triska ushqimesh dhe na ndihmuan të sistemoheshim. Përkohësisht na vendosën në një manastir mashkullor të martirit shenjëtor Vasili / Vlash, 5 km nga Durrësi. Nga dritarja në qelës sime shihet deti dhe dy herë në javë anija avullore që vjen nga Rusia.

Tërëshenjtëria Juaj! Juve, zemrës së Orthodhoksisë, i drejtohemi, kuptojeni brengën tonë dhe dëshirën për t’u kthyer në atdhe, na pranoni nën mbulesën tuaj mëshirëplotë dhe na ndihmoni të kthehemi në atdhe, kurse atje ne do t’i jepemi vullnetit të Perëndisë dhe Tuajit. Konsulli ynë në Tiranë na tha: “Mos i humbni shpresat për t’u kthyer”, - dhe në shpresojmë në ndihmën Tuaj. Një gjë dëshirojmë, dashtë Perëndia, të jemi sërish në Rusi dhe të jetojmë nën mbulesën Tuaj.

Lutemi pranoni nga ne këtë dhuratë për të kujtuar dashurinë ndaj Jush nga të mërguarat e largëta. Kërkojmë lutjet dhe bekimet Tuaja të shenjta.

Shërbestaret e përulura të Tërëshenjtërisë Suaj

Këtu nuk kemi libra shërbesash në gjuhën kishtare sllave. Nuk kemi Tetëtingullshin, as Kremtoret, as Tekste-Kremtoret, as libra apostolikë.

Lista e murgeshave, që ndodheshin më 1 nëntor 1950 në manastirin e Shën Vlashit

1. Igumene Diodora Aleksandrovna Dohtorova 1896 Kiev

2. Hieromonak Iraklij Kullak nga manastiri i Vaalamit 1871 Minsk

3. Murgeshë Maria Stepanovna Leskoviç 1893 Grodno

4. –“– Uriila Stepanovna Shtunj 1896 Volinj

5. –“– Filareta Markovna Çumak 1904 Odesa

6. –“– Elikanida Ivanovna Lipovskaja 1896 Kameneck-Podoskij

7. –“– Evpraksija Mihajllovna Nalivajko 1892 Grodno

8. –“– Ekaterina Timofejevna Selickaja 1892 Mogilev

9. –“– Makarija Danillovna Jakimçuk 1874 Grodno

10. –“– Anjisija Ivanovna Shçemer 1875 Grodno

11. –“– Agnjija Ivanovna Koprinjuk 1886 Grodno

12. –“– Nadjezhda Nikitiçna Cafuta 1895 Penza

13. –“– Magdalina Vasilevna Ofrasimova 1887 Pskov

14. –“– Nina Mitrofanovna Ballackaja 1906 Qarku Hotinskij

15. –“– Paraskjeva Jakovlevna Njepomnjashçaja 1894 Besarabia

16. –“– Ulita Gotmanova 1908 –“–

17. –“– Glikjerija Buzhak 1909 –“–

18. –“– Maria Vasiljevna Sinjko 1910 Bukovini

Shkrimi i dy anëtarëve të delegacionit, që takuan murgeshat sovjetike

DELEGACIONI I PATRIARKANËS (SË MOSKËS) NË SHQIPËRI

Në gusht të vitit 1950 Patriarkanën e Moskës e vizitoi primati i Kishës Orthodhokse (Autoqefale) të Shqipërisë, Kryepeshkopi Paisi (1881-1966), kurse në maj të këtij viti (1950), Patriarku i Shenjtë Aleksij ka dërguar në Shqipëri një delegacion, të cilin e ngarkoi t’i dorëzojë Kryepeshkopit Paisi, klerit orthodhoks shqiptar dhe besimtarëve përshëndetjen e tij të Pashkëve.

Delegacioni patriarkal, i përbërë nga episkopi i Hersonit dhe Odesës Nikon dhe administratori i Qarkut 2 të Moskës protojerej ati Pavel Cvetkov, u nis më 17 maj nga Moska në Odesa, prej nga ku më 20 maj u drejtua me rrugë detare për në Shqipëri.

Një javë lundrim nëpër gjashtë dete - dhe mëngjesin e 27 majit, ne, përfaqësuesit e Patriarkut të Moskës dhe gjithë Rusisë Aleksij mbërritëm në portin shqiptar të Durrësit.

Takimi që na priste ishte shprehje e mikpritjes dhe vëmendjes më të gjerë ndaj nesh nga autoritetet civile / shtetërore dhe kishtare. Kryepeshkopi i gjithë Shqipërisë Paisi na përshëndeti ngrohtësisht për ardhjen tonë dhe, pasi dëgjoi urimet më të mira të peshkopit Nikon, ai tregoi përkujdesje të madhe që udhëtimi ynë i mëtejshëm në kryeqytetin e Shqipërisë, të ishte i këndshëm dhe aspak i lodhshëm.

... Pas vizitës në muzeun Historik, në hotelin ku qëndronim, erdhën përfaqësues të klerit mysliman. Në përshëndetjet e tyre, ata shprehën respekt të madh ndaj Kishës Orthodhokse Ruse për kontributin e saj aktiv në kauzën e forcimit të paqes në të gjithë botën. Ne e pritëm me kënaqësi këtë përshëndetje të myslimanëve, të cilët i bashkonte me ne synimi i përbashkët i njerëzve për paqe dhe prosperitet, pavarësisht ndryshimit të feve.

... Ditën tjetër, më 29 maj, pasoi një udhëtim i paharrueshëm për ne në manastirin e vogël të vjetër të Shën Vlashit, që ndodhet afër Durrësit. Makinat tona ndaluan rrëzë kodrës dhe filluam të ngjiteshim më këmbë deri në manastir. Në këtë kohë, nga manastiri përpara na dolën murgeshat ruse që jetojnë përkohësisht këtu, të udhëhequr nga igumenia Maria, duke kënduar "Engjëlli..." dhe "Do të ndrisë ..." Me atmosferë pashkësh hymë në kishën e manastirit dhe e bëmë liturgjinë Hyjnore. Pas lutjes së shkurtër (moleben, paraklesis) për Shën Vlashin na ofruan një vakt manastiri, kurse pastaj vizituam mjediset e manastirit. Kur u drejtuam pastaj tek makinat tona, murgeshat na përcollën mu rrëzë kodrës duke kënduar kanonin e Pashkëve.

Nga manastiri delegacioni ynë u drejtua për në Durrës. Jo shumë larg kishës katedrale, në sheshin kryesor të qytetit, na takuan përfaqësues të klerit, autoritetet e qytetit dhe shumë njerëz. Të shoqëruar nga brohoritje dhe tingulli i kambanës, hymë në katedrale, ku nga kreu i saj u bë një shërbesë e shkurtër lutjesh. Pas shkëmbimit të fjalimeve përshëndetëse, na morën me vete të vizitonim qytetin, kurse pastaj u kthyem në Tiranë.

... Deri në fund të së njëjtës ditë, delegacioni ynë, i shoqëruar nga Kryepeshkopi Pais, protoierej Aristoteli, sekretari i Sinodit të Shenjtë Niko Çane dhe të tjerët, u drejtua në portin e Durrësit, që po me anijen avullore "Çiaturi", me të cilën erdhëm, të ktheheshim në atdhe. Kur u ndamë, Kryepiskopi Paisi na dha një kuti argjendi me mbishkrimin për t’ia dorëzuar Patriarkut të shenjtë Aleksij.

Duke u larguar nga brigjet e Shqipërisë, ne morëm me vete jo vetëm kujtimet e mira për vendin mikpritës, por edhe bindjen e qartë se Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, së bashku me të gjithë popullin e saj, lufton me pasion për mirëqenien e tij dhe paqen në mbarë botën.

EPISKOP NIKON DHE PROTOJEREJ P. CVETKOV

Përkthehet me pak shkurtime. Marrë nga revista “Zhurnall Moskovskoj Patriarhii” (Revista e Patriarkanës së Moskës), № 09 sentjabr (shtator) 1951.

Përkthimi i tre dokumenteve, sqarimet në kllapat dhe transliterimi i emrave rusë sipas drejtshkrimit të gjuhës shqipe janë të autorit të dossierit.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja