Historia e trishtë e autorit të këngës ‘Qingji i vogël’: Si u arrestua Zef Lekaj, pas pushtimit të Çekosllovakisë

Historia e trishtë e autorit të këngës ‘Qingji i vogël’: Si u arrestua Zef Lekaj, pas pushtimit të Çekosllovakisë

Zef Lekaj

Në 4 korrik të vitit 1979 në Kuçovë (“Qyteti Stalin”), ndodhi një ngjarje e bujshme, e dhimbshme, që tronditi mbarë opinionin e atij qyteti. Në sallën e kinemasë së qytetit, banorët ishin mbledhur, sipas njoftimit, për një mbledhje. Në mënyrën më të pabesë, më të paturpshme, gjatë mbledhjes, arrestohet qytetari Zef Lekaj, artist kompozitor, poet, me akuzën: “Agjitacion, propagandë kundër pushtetit popullor”! Kam patur fatin e mirë ta shoh dhe ta dëgjoj nga afër kompozitorin dhe poetin e talentuar Zef Lekaj, në referencat e tij, për krijimet muzikore, për krijuesit, talentet e rinj…! Kam patur fatin e mirë gjithashtu, të njoh nga afër, djalin e tij, muzikantin e talentuar, si edhe vetë ati i tij, Sokol Lekaj, të më shoqëronte në fizarmonikë, ndërsa unë këndoja.

Edhe pse në ato vite të largëta, kur unë në atë kohë isha në moshën time të adoleshencës edhe pse kanë kaluar shumë vite, ende i ruaj në kujtesën time, bisedën e ngrohtë, zërin e njeriut të artit, Zef Lekaj. Burrë i urtë, kolos në pamje, i qeshur, shumë miqësor me të gjithë, njeri i ndershëm, i respektuar nga të gjithë, bashkëshort, baba shembullor.

Artisti i talentuar dhe fatkeq, artisti, që në kulmin e krijimtarisë së tij muzikore, jo vetëm u dënua nga komunistët dhe partia që ata i shërbenin, por edhe u diskreditua pa të drejtë. (Me paturpësinë, me poshtërsinë më të madhe, Artisti Zef Lekaj, arrestohet në mbledhjen e Këshillit Popullor të lagjes…).

Sa herë e kishim dëgjuar zërin e prezantuesve në koncertet e ndryshme, në festivalet e rretheve dhe ato kombëtare të muzikës sonë popullore, kur përmendnin titullin e këngës dhe autorët e saj: “Teksti dhe muzika Zef Lekaj, këndon…”! Ndërmjet krijimeve të shumta të këngëve për fëmijë, të muzikës së lehtë dhe asaj popullore, sot, edhe pse kanë kaluar shumë vite, të gjithëve na kujtohet kënga; “Qingji i vogël”, prodhim i mjeshtrit të talentuar, Zef Lekaj.

Qyteti Kuçovës (para viteve ’90-të quhej; “Qyteti Stalin”) pati fatin e madh të kishte në gjirin e tij, një artist të talentuar të lindur për art, për të bërë muzikë, këngë, etj., Zef Lekaj-n. Partia dhe komunistët bashkë, në mesin e viteve ‘70-të, dënuan dhe burgosën në atë kohë Zef Lekaj-n, viktimën e pafajshme të radhës të artit shqiptar, e bashkë me Zefin, u dënua edhe vetë qyteti Kuçovës, u dënua edhe njëherë Kultura dhe Arti Shqiptar.

Ishte fati i keq i artistit Zef Lekaj dhe familjes së tij, të binte viktimë e pafajshme çmendurisë së shfrenuar komuniste shqiptare. Për vitet që Zefi dhe familja e tij jetuan në Kuçovë dhe që i dhanë shumë artit dhe kulturës së atij qyteti, meritojnë nderim dhe respekt…! Në kujtim të jetës, krijimtarisë dhe shpirtit të artistit Zef Leka, mendova të bashkëbisedoj në formën e një interviste, me djalin e tij, zoti Leon Lekaj.

Zoti Leon! Ju jeni një nga fëmijët e artistit Zef Lekaj. Meqenëse jeni njëkohësisht edhe autori i monografisë për të, (‘Një artist nën pentagrame të kryqëzuara’), a mund të flisni ju lutem, pak më gjerë për fëmijërinë dhe për formimin e tij si artist?

Është një pyetje e shkurtër, por që kërkon një volum të madh. Ka tre emra, të cilët, sipas meje, ndërruan rrjedhën e jetës së tij si artist. Dom Ndre Mjeda, që e regjistroi atë në Kolegjin Saveriane, shkollë për të cilën studiuesin amerikan Edvin Zhak (Edëin Jacques) në librin e tij të njohur “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia e deri në ditët e sotme”, do të shprehej: “…dhjetë vjet para Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës, në qytetin e Shkodrës, kishte edhe një qendër me ndikim për arsim të lartë, kolegji i shën Françesk Saverit, që pajiste me arsim teknik e tregtar rreth 400 studentë…”!

At Kornolo, një pianist dhe pedagog i shkëlqyer. Prej tij, im atë Zefi, do të mësonte muzikën gregoriane, si dhe fratel Buiati, një ish violinist i Scala-s së Milanos, prej të cilit im atë mësoi solfezh, harmoni, kontrapunkt dhe fugë. Gjatë këtyre viteve, ai qëndroi gjatë mes një dileme përzgjedhjeje, kur në ditarin e tij të viteve të rinisë. pyet se me kë do të bashkë-udhëtojë; “…Danten, Shekspirin, Petrarkën, Manxonin, Mjedën, apo me Bet’hovenin, Moxartin, Verdin…”, dhe përgjigjet: “…edhe tingujt edhe vargjet më pëlqejnë” .

Si e gjetën Zef Lekën vitet e pasçlirimit?

– Si të robëruar! Im atë nuk besoi asnjëherë në komunizmin, edhe pse vinte nga një shtresë e varfër. Në vitin 1946, ai merr pjesë në kryengritjen e Postribës, si e para lëvizje antikomuniste në Europën Lindore, e cila u dekonspirua, u tradhtua dhe më mbrapa pasojat dihen. Vëllai i tij Gjoni, dënohet fillimisht si pjesëtar i kryengritjes dhe në këto kushte, im atë arratiset përtej kufijve, në Mal të Zi. Aty detyrohet për trembëdhjetë muaj, të flejë i fshehur në një varr, sepse në atë kohë, Enver Hoxha dhe Josif Broz Tito, kalonin periudhën e “muajve të mjaltit” dhe prej kësaj kohe, ai përndiqej në të dyja anët e kufirit.

Si i kujton vitet e tua të hershme në një familje, me një baba artist e muzikant?

Jo fort të lehta. Im atë punonte në atë kohë, tek Klubi i Rinisë “Heronjtë e Vigut”, i cili ishte ngjitur me Kishën Franceskane. Ishte koha kur çdo lëvizje e intelektualëve, përgjohej, sepse po përgatitej dora e hekurt e diktaturës, për të shfarosur çdo lloj besimi, dhe për ta çuar kështu në nivelin e zotit, besimin ndaj diktatorit Enver Hoxha. Edhe pse të vegjël, ne e ndjenim atë lloj shtypjeje, sepse im atë na pyeste shpesh: – “J’u pa kush, kur hytë në kishë”?

Më pas kur ne u transferuam në Kuçovë, lufta e klasave na rrinte mbi kokë. Imagjinoni, për të marrë një të drejtë studimi, sime motre, iu desh të endej fushave të fshatrave përreth, në çmendurinë e asaj, që quhej stazh. Ndërsa dëshira ime për shkollë të lartë, u anashkalua për shkak se nuk shihej me sy të mirë, që të kishte nga dy të tillë për familje. Ç’kohë e poshtër! Të vështira për nënën time, e cila përtej të qenurit nënë e pesë fëmijëve të artistit, ishte edhe një bashkëshorte dhe bashkë udhëtare ideale e tim ati.

Ati juaj, Zefi, ishte besimtar?

Sigurisht! Themeli i edukatës së tij, qe i mbështetur gjithmonë në besimin tek Zoti. Në atë kohë im atë, pati lidhjen e tij serioze, me një vajzë nga familje myslimane (Fatbardha Jaho), por kjo nuk e pengoi që martesën e tij, ta celebronte në kishën katolike, në vitin 1952) Edhe mënyra se si ai mbërriti të krijonte një familje të madhe, me shumë fëmijë, (pesë) ndërkohë që miqtë e tij artisë, mjaftoheshin me një e me dy, çon ujë tek ai fakt.

“Mos i bëj kujt, atë çka nuk do të doje të ta bënin ty, është një prej devizave që e udhëhoqi atë në jetë. Ndërkohë gjatë gjithë jetës, ai punoi me ndershmëri edhe pse kjo lloj ndershmërie, prej njerëzve të pandershëm, iu shndërrua atij në një kurth, pikërisht në vitet e fundit të jetës së tij.

Përse familja juaj u transferua për të jetuar në Kuçovë?

Ishin disa arsye, të cilat e detyruan tim atë, të largohej nga vendlindja e tij, Shkodra e dashur. E para, kishte të bënte me të shkuarën e tij. Im atë qe kthyer në Shqipëri, pas një amnistie, që pushteti i atëhershëm, kishte shpallur për pjesëmarrësit e Kryengritjes së Postribës. Një amnisti, nuk mjaftonte që komunistët të flinin të qetë. Im atë përgjohej. Ai e ndjeu këtë gjë, deri në ditën që iu vunë prangat. Arsyeja e dytë, kishte të bënte me anën ekonomike. Në Kuçovë i propozuan rrogë më të lartë, si dhe edhe një vend pune, për bashkëshorten e tij.

Mendoj se arsyeja e tretë, ishte se në vendin e ri të punës, ai do t’i kishte më të lira duart, që të vinte në vend, ato çka kishte ëndërruar gjatë viteve. Pa e menduar se do të binte “nga shiu në breshër”, ai lë Shkodrën, jo pa dhimbje dhe i bindet një propozimi të ardhur nga Bashkimet Profesionale të asaj kohe, për t’u emëruar shef i muzikës në Kuçovë (ish-“Qyteti Stalin”).

Gjatë qëndrimit në Kuçovë, në vitet ‘70-të, babai juaj Zef Lekaj pati një shpërthim në krijimtarinë e tij. Ku qëndronte sekreti i këtij suksesi?

Mendoj se thelbi i sekretit të suksesit të tij në ato vite, qëndronte tek e shkuara. Qysh në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, ai mbërriti të drejtonte korin e shkollës, për të cilin duhet thënë, se kishte kërkesa mjaft të larta. Vite të larta përvoje, të cilat e çuan të sigurt e të pa lëkundur drejt suksesit, jo vetëm personal të tij, por edhe si ansambël artistik, të cilin ai e drejtonte.

Një arsye tjetër, po kaq i rëndësishme ishte bashkëpunimi i tij me diletantët, apo siç quheshin në atë kohë; “grupet amatore”. Kishte një marrëdhënie të shkëlqyer midis tij dhe grupeve amatore. Do të thosha pa asnjë hezitim, se im atë adhurohej prej tyre dhe njëkohësisht, ai i respektonte ata. Edhe në ditët e tij më të errëta, ata do të gjenin një rast e një skutë të fshehtë, që ta përshëndesnin fshehtas mjeshtrin e tyre. Në atë kohë, kjo vlente shumë.

Me një karrierë të pasur në krijimtarinë e tij muzikore, babai juaj në ato vite, u vlerësua disa herë me çmime të ndryshme. Mund të përmendim disa suksese të tij?

Im atë njihet në publikun e gjerë, si autori i këngës “Qingji i vogël”, por ajo këngë, është vetëm njëra pjesë e vogël e suksesit të tij. Unë do të doja të rendisja disa këngë, të cilat fatkeqësisht, edhe pse duhej të ishin në fondin e ndaluar të arshivës, u zhdukën me një urdhër nga lart. Sidoqoftë më duhet të bëj të njohur publikisht, se im atë është autori i tekstit të njërës prej këngëve më të njohura në Shqipëri “Kur perëndon dielli”, (viti 1958), “Thuaje mos e zgjat”, tekst e muzikë (fituesja e çmimit të dytë të Festivalit të Parë të muzikës së lehtë të zhvilluar në Shqipëri në Shkodër 1962), “Lumja unë për ty”, një arie e mrekullueshme, kënduar mrekullisht prej Luçie Milotit dhe Pjetër Gjergjit.

Gjatë kësaj kohe që ju përmendni, ka shkruar edhe shumë këngë të tjera si; “Jemi naftëtarë”, (kënduar nga trio; Mula, Tukiçi, Gjoni, “Sot ke festë i shtrenjti Atdhe”, këndur nga Ramiz Kovaçi në Radio-Tirana, “Mirëmëngjesi Naftëtarë”, me tekst të Pal Nikollës, “E lirë buçet kjo këngë”, e kënduar në anketën e Radio- Tiranës, dhjetor-1965 – janar 1966, “Ardiana”, një këngë plot ndjenjë, me temën e dashurisë, fituese e Çmimit të Parë në Festivalin e Naftëtarëve, “Shokët po na presin” dhe “Fluturim të mbarë”, kënduar nga Frosina Vasili, “Përpara naftëtarë” – kompleks për burra, çmimi i parë, “Nënave Shqiptare”, viti 1973, “Baballarët”, me tekst të Dritëro Agollit, kënduar nga Ruzhdi Karaj, këngë, të cilat kanë marrë vlerësime kombëtare dhe lokale nëpër festivalet e fëmijë, e shumë të tjera, për të mbërritur tek vlerësimi maksimal, që i bëhet në prill të vitit 1969 ansamblit të Pallati të Kulturës së Kuçovës, të drejtuar prej tij, me “Flamurin e Festivalit”, duke lënë pas, emra të shquar të ansambleve të asaj kohe.

Në kulmin e suksesit të tij krijues muzikor, në fundin e viteve ‘70-të, ndodhi një ngjarje e dhimbshme, që do ndryshonte komplet jetën e të gjithë familjes suaj. Si e gjykoni sot arrestimin e atit tuaj, Zef Lekaj?

Sigurisht, si një lëvizje të vonuar të regjimit të atëhershëm. Kujtoj se deri në vitin 1979, të gjithë bashkëmoshatarët e shkollës së tij, kishin pasur fate të hidhura. Ose qenë pushkatuar, ose arratisur, apo ishin dënuar me burgje dhe internime. Ishte një strategji më e rreptë se ajo, që Sigurimi i Shtetit, ndoqi me shkollën Teknike Amerikane të drejtuar nga Harry Fultz. Im atë, qe “i fundmi i mohikanëve”.

Qe një lëvizje që shokoi një qytet të tërë, një shoqëri të madhe. Unë do t’iu tregoj vetëm një pjesë nga ditari i tij, se si e përshkruan atë ditë. “…Xhip’-si udhëtonte drejt Degës së Punëve të Brendshme të Kuçovës dhe njeriu që më kishte venë prangat, pyeti plot ironi:

– ‘Hej, o mendjemadh, si të duket kjo punë? Ndoshta s’e ke ditur se kjo mendjemadhësi, të ka prurë në këtë derë? Ti nuk më përshëndesje kurrë, kur më takoje në rrugë’.

– ‘Më falni, – i thashë, – unë nuk ju njoh, kush jeni ju’?!

– ‘Si ka mundësi, të mos njihni operativin e zonës? – më tha dhe pastaj shtoi, – s’prish punë, mirë që më njohe tani, se kush jam’.

Dhe me mendjemadhësi, si një triumfues, hyri në Degën e Punëve të Brendshme.

Mbas një ore më dërguan në burgun e Beratit.

Ç’faj paskam bërë, që nuk kam njohur operativin e Zonës?!”

Gjithçka ndodhi, vetëm tre ditë përpara daljes së tij në pension. Besoj se do të ishte e kotë, të komentohej ky fakt.

Ju kujtohet, shprehte pakënaqësi babai juaj në atë kohë në familje, kundër regjimit komunist?

Po, shprehte rregullisht. Im atë, nuk ishte prej atyre që ngopeshin me lugën boshe, të propagandës komuniste. Duke qenë njohës i shkëlqyer i gjuhës italiane, mbante lidhje të rregullta me atë çfarë ndodhte në botë. Madje, kujtoj që një ditë e patën thirrur në Komitetin e Partisë, sepse kishte dhënë lajmin e pushtimit të Çekosllovakisë, më parë se këtë gjë, ta bënte propaganda zyrtare. Mua, ndoshta më shumë se vëllezërve dhe motrave të mia, më ka takuar të debatoj. Por sot e them me bindje të plotë. Pak kush si ai, dinte ti vinte pikat mbi “i”-të komuniste.

Dihet tashmë, se, arrestime me akuza të tilla, kishin pasoja të rënda për familjarët. Ç’ ndodhi me familjen tuaj, pas arrestimit të babait?

Na duhet ta quajmë veten fatlum, që kishte shumë pak kohë, që ishte hequr vendimi i internimit, por edhe ashtu, ishim pothuajse të internuar, të izoluar të vetmuar. E para që provoi “kamxhikun” e diktaturës, qe ime më. Nga ekonomiste, e çuan pastruese me tre turne. E pasoi ime motër, të cilën edhe pse studente e shkëlqyer, e përjashtuan nga universiteti, për të përfunduar tek unë, që sapo prisja një emërim si mësues muzike, më “dhuruan” një emërim të ri; punëtor në guroren e Urës Vajgurore.

Pas viteve ‘90-të, pra, kur komunizmi filloi të bjerë në Shqipëri, cili ishte fati i familjes së artistit Zef Lekaj?

Ishte i njëjti fat, i cili qe miku i njerëzve të ndershëm si ai. Me niciativën e tij, si edhe me ndihmën e mikut të tij, Gjosho Vasija, ai rikthehet në vendlindjen e tij. Deri në vitin 1992, ai mundi ta sistemojë familjen e tij, tashmë të madhe, në Shkodër. Të rraskapitur prej persekutimit politik dhe atij ekonomik, e cila ishte praktikë e sistemit komunist, të gjithë ne, fëmijët e tij, mbërritëm në qytetin e lindjes, me duart në xhepa, por të dehur prej lirisë dhe me etje për dije e kulturë. Por kaq nuk mjaftonte. Asnjë prej fëmijëve të tij dhe aq më pak ai vetë, nuk dinin të çirreshin e të bërtisnin, për padrejtësitë që iu bëri sistemi komunist. Kështu, na u desh të paguanim faturën e ndershmërisë, me harresë.

Cili është raporti i letërsisë dhe muzikës tek Zef Lekaj?

Po të ndjekësh me vëmendje këngët e tim ati, do të shohësh se pjesa më e madhe e teksteve, janë të tijat. Hidhini një sy këngës, “Kur perëndon dielli”! Është e shkruar në vitin 1958, me porosi të autorit të muzikës, Leonard Deda, dhe më gjeni (tej modestisë kjo), një tekst të ngjashëm me të, në ato vite. Si njohës i mirë i muzikës dhe letërsisë, ai dinte si pak kush, që një tekst të muzikohet, kërkon ritëm, kërkon muzikalitet, kërkon përshtatje. Janë dy arte që ndërthuren, vetëm kur i njeh mirë.

Është dëmshpërblyer ai dhe familja juaj, për vuajtjet e viteve të burgut politik?

Ai vetë nuk gëzoi asgjë. Deri më tash, tej propagandës që bën partia që është në pushtet, kemi marrë vetëm, një këst prej tetë milion lekësh (të vjetra), në kohën kur qeverisnin demokratët.

A ka ndonjë vlerësim babai juaj, në vitet e demokracisë?

Në vitin 1995, Zef Lekaj dekorohet nga Presidenti i Republikës, (Prof. Dr. Sali Berisha), me titullin “Pishtar i Demokracisë”. Me rastin e 75 vjetorit të lindjes (post-mortum), me 16 tetor 1999, Bashkia e Shkodrës, e nderoi me titullin; ”Krenaria e Qytetit”, ndërsa mbas pesë viteve, Bashkia e Kuçovës, i dha titullin “Qytetar Nderi”./ Memorie.al

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Formula 1/ Verstappen nderon titullin kampion, fiton në garën e Katarit! Ferrari lë pas McLaren

Formula 1/ Verstappen nderon titullin kampion, fiton në garën e Katarit! Ferrari lë pas McLaren