Vepra e parkut e vendosur prej 30 vjetësh në qytetin e Lushnjës,në vitin 1984, e cila titullohet “Djali mbi buallicë” dhe ka autor skulptorin Maksim Bushi, është hequr përfundimisht nga qyteti i Lushnjës. Fillimisht, në vitin 2012, e hoqën nga vendi duke e lënë piedestalin bosh, se doli pronari i tokës. Një pjesë e artistëve dhe qytetarëve të Lushnjës reaguan për heqjen e veprës nga lulishtja në hyrje të Lushnjës. Vepra është bërë e dashur për lushnjarët dhe lidhet me një motiv të bukur simbolik të Myzeqesë. Pas këtij reagimi bashkia e çon veprën në një shesh tjetër publik, brenda këtij qyteti, përballë lulishtes së Kongresit të Lushnjës. Mirëpo, një vit më parë del një vendim tjetër nga zyra e projekteve të bashkisë së Lushnjës që në këtë lulishte do të realizohej vepra që kishte fituar për të simbolizuar Kongresin e Lushnjës. Përsëri buallica me djaloshin në kurriz, të derdhur në bronz, shkulen prej andej dhe aty i lihet vendi Memorialit të Kongresit të Lushnjës. Fati i keq e solli që vepra “Djali mbi buallicë” të ngelej fare pa vend, edhe pse në vendin ku ka qëndruar prej më shumë se 30 vjetësh nuk është vendosur ndonjë skulpturë tjetër. Aty për “forcë zakoni” lushnjarët ende vazhdojnë të thonë se “Pimë një kafe andej nga Buallica”, ose “Isha gjer tek Buallica”. Po Buallica ku është, pyesim?! Veprën me djaloshin që argëtohet mbi shpinën e saj gjigante e kanë rrasur në ndërtesën e ish-Komunales, duke ia lënë detyrë ta ruajë roja i kësaj godine. Kështu vepra me përmasa 2 metra e 30 cm e gjatë, 1 metër e 30 cm e lartë, si dhe 1 metër e gjerë gjendet në gjendje të mjerë. Zyra e urbanistikës në bashkinë e Lushnjës i ka premtuar autorit se do t’ia gjejnë vendin veprës, duke i shpjeguar se “nuk mund ta vendosin aty ku ishte, por pak më tej”. Deri tani nuk është bërë asgjë për vendosjen në destinacionin e duhur.
 

 Kush është Maksim Bushi
Autori i veprës Maksim Bushi vlerësohet nga kritikët e artit dhe kolegët si një nga skulptorët më të mirë të Shqipërisë. Karriera e tij ka nisur që prej 40 vjetësh. Ai ka ekspozuar që nga viti 1974, kur është hapur Galeria e Arteve, vepra të cilat kanë marrë edhe çmime në rang republike. Madje skulptori Maksim Bushi ka mjaft vepra në fondin e Galerisë Kombëtare. Kritika ka spikatur një imazh lirik, duke theksuar edhe talentin e tij të veçantë për të shprehur humor përmes skulpturave. Maksim Bushi është një artist që është mjaft popullor me punime të tjera në terakotë dhe shumë kompozime që gjenden parqe dhe në institucionet kombëtare, por në vendlindje është bërë i njohur për veprën “Djali mbi buallicë”, e cila është mirëpritur dhe është bërë e dashur prej tri dekadash për qytetarët e Lushnjës. Gjithashtu disa nga kryeveprat e këtij autori jo vetëm që janë vendosur në vendlindjen e tij, Lushnje, por edhe janë vepra simbol të kulturës dhe trashëgimisë së këtij qyteti, siç janë “Valle dyshe myzeqare”, “Kabaja”, etj.  

Skulpturat e parkut në dy periudha
Maksim Bushi ka bërë shumë skulptura parku në periudhën e realizmit socialist, ku dallohej liria e frymëzimit dhe një lloj stilizimi që i rezistoi kohës. “Vazhdon të bëjë edhe sot skulptura parku, me elemente realistë dhe moderne, duke i bërë natyrshëm. Në periudhën e komunizmit ai ka qenë një nga skulptorët më të vlerësuar edhe pse nuk bëri shumë figura heroike. Është vlerësuar me dhjetëra çmime dhe sidomos nga kritika e specializuar. Maksim Bushi është evidentuar gjithnjë edhe më shpesh si një ndër skulptorët më të talentuar. Ai projektonte me frymëzim veprat e tij dhe shquhej për ndjeshmëri ndaj veprës së tij.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)