Historiku i 1 Majit dhe puna më e paguar dhe (papaguar) në Shqipëri

Historiku i 1 Majit dhe puna më e paguar dhe (papaguar) në Shqipëri

Sot është 1 Maji, që njihet ndërkombëtarisht si dita e punëtorëve, që i ka fillesat në Çikago në 1886-n dhe më pas në 1904-n, kur sindikatat e punonjësve demostruan në mënyrë energjetike për vendosjen e ditës së punës 8 orarëshe.

115 vjet më vonë, punonjësit shqiptarë janë më të nënpaguarit e Europës (paga minimale prej 211 eurosh është më e ulëta në Europë), punojnë mesatarisht 200 orë në vit më shumë se europianët, sipas Eurostat, ndërsa ka një informalitet në tregun e punës prej rreth 30%, çka nënkupton se një në tre punonjësi ose nuk i paguhen sigurimet, ose i deklarohet paga më e ulët sesa ajo reale, sipas një vëzhgimi të fundit të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit (RCC).

Por, si ka ndryshuar paga mesatare në ekonomi katër vitet e fundit dhe cilat janë aktivitetet ekonomike (kompanitë dhe institucionet), që i paguajnë më shumë punonjësit?

Paga mesatare në ekonomi në vitin 2018 ishte 50,6 mijë lekë, ose rreth 405 euro. Sipas tabelave të publikuara nga INSTAT, në krahasim me 2014, pagat janë rritur me 11%, ose rreth 5 mijë lekë, ose me 40 euro. Por e indeksuar me inflacionin mesatar vjetor, paga mesatare në ekonomi në krahasim me 4 vite më parë është rritur minimalisht vetëm me 3.4%.

Institucionet që i paguajnë më shumë punonjësit janë organizatat ndërkombëtare. Paga mesatare në këto institucione është rreth 152 mijë lekë (rreth 1,200 euro), sa trefishi i pagës mesatare në vend. Organizmat ndërkombëtarë i kanë rritur më shumë pagat për punonjësit e tyre në vlerë absolute vitet e fundit, me gati 200 euro më shumë në raport me 2014-n.

Në vend të dytë renditen bankat e sigurimet, me pagën mesatare prej rreth 106 mijë lekë (850 euro) në muaj. Edhe bankat e sigurimet i kanë promovuar vit pas viti punonjësit e tyre, me pagat mesatare që janë 130 euro më të larta në raport me 2014-n. Por, ritmet e rritjes janë ngadalësuar dy vitet e fundit, teksa sidomos sistemi bankar nuk po zgjerohet dhe ka qenë në një proces të ethshëm shit-blerje. Në banka ka diferenca të larta nga rreth 300 euro për nivelet e ulëta (arka), në 7-10 mijë euro mesatarisht për nivelet e larta menaxheriale.

Organizmat ndërkombëtare, Bankat dhe sigurimet janë aktivitetet që shpërblejnë me paga relativisht të kënaqshme punonjësit e tyre, ndërsa sektorët e tjerë i paguajnë mesatarisht me më pak se 80 mijë lekë në muaj.

Në vend të tretë janë Aktivitetet Profesionale, Shkencore dhe teknike, me pagë mesatare 79 mijë lekë në muaj, me rritje 15% në raport me katër vjet më parë.

Aktiviteti i Furnizimit me Energji Elektrike, Gaz e Avull paguan mesatarisht 79 mijë lekë në muaj, me rritje 14% në katër vitet e fundit. Ndonëse përgjithësisht janë kompani shtetërore, që operojnë në këtë sektor, ato funksionojnë si shoqëri anonime, dhe rezultojnë me fitime të larta, ndërsa paguajnë mesatarisht më shumë se shteti.

Informacioni dhe Komunikacioni ka paga mesatare prej rreth 75.8 mijë lekësh në muaj. E indeksuar me inflacionin, rritja e pagave ka qenë negative për këtë sektor, si rrjedhojë e uljes së konkurrencës, pas daljes nga tregu të operatorit të katërt.

Një tjetër aktivitet, që ka parë rënie të ndjeshme të pagave është industria nxjerrëse, që kishte një pagë mesatare prej 75.7 mijë lekësh në 2018-n, ose 30.5 mijë lekë (240 euro) më pak se në 2014-n. Ky sektor nuk ka kaluar kohë të mira vitet e fundit, si rrjedhojë e konjukturës së pafavorshme të tregjeve ndërkombëtare.

Në administrimin publik dhe mbrojtjen, paga mesatare ishte 63.7 mijë lekë, me një rënie reale prej 6.1% në raport me 2014-n.

Arsimi ka pagë mesatare prej gati 62 mijë lekësh, me një rritje reale prej 6% në raport me katër vite më parë.

Një aktivitet që ka njohur zhvillim vitet e fundit është ai i shërbimeve në shtëpi, që paguhen gati 40 mijë lekë në muaj, me rritje 23% në krahasim me katër vjet më parë.

Ndërsa ata që paguajnë më pak punonjësit e tyre në Shqipëri janë aktivitetet e akomodimit dhe të shërbimit të ushqimit, me vetëm 28 mijë lekë në muaj, ku më të papaguarit mbeten kamerierët, të cilët kompensohen nga bakshishet. /Monitor

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen