Paga mesatare mujore në Shqipëri, ka arritur 92.150 lekë në fund të muajit qershor, nga 83.906 lekë që ishte në tremujorin e dytë të vitit të kaluar.

Për periudhën prill-qershor INSTAT thotë se rritja më e madhe është regjistruar në sektorin e ndërtimit, me 22.1%, ku duket se ka dhënë ndikim aksioni i tatimeve kundër nëndeklarimit të pagave. Pavarësisht rritjes së regjistruar në të gjithë sektorët, bujqësia e peshkimi vijojnë me rrogat më të ulëta.

PAGAT SIPAS SEKTORËVE
Bujqësia dhe peshkimi      61.224
Industria gjithsej               77.716
Ndërtimi                           83.605
Tregtia;                              74.715
Informacioni                   143.528
Aktivitetet financiare       187.267
Pasuri të paluajtshme         96.894
Administrata publike      106.606
Arte, argëtim çlodhje;       86.209

Por përpos rritjes së pagave, e cila po nxitet edhe nga mungesat për punonjës, të dhënat më të fundit tregojnë se afro 25.8% e shqiptarëve paguhen deri në nivelin e pagës minimale.

Më pas janë 25.9% që paguhen mesatarisht nga mbi 50 mijë lekë deri në 75 mijë lekë në muaj, më tej janë 16.2% që marrin nga mbi 75 mijë deri në 95 mijë lekë. Rroga mbi 120 mijë lekë rezulton se marrin 17.1% e të punësuarve në vend.

SA PAGUHEN SHQIPTARËT?
Deri në pagë minimale    25,8%
50.001- 60.000 lekë        13,1%
60.001-75.000 lekë         12,8%
75.001-95.000 lekë         16,2%
95.001-120.000 lekë         15%
Mbi 120.000 lekë            17,1%

Bazuar në të dhënat e INSTAT rezulton se minimalisht 52% e të punësuarve nuk e arrijnë pagën mesatare të vendit.  Sa i takon hendekut privat-shtet, ai vijon të jetë i lartë afro 21 mijë lekë. Paga mesatare për një të punësuar në privat është 86.094 lekë, nga 77.137 lekë që ishte në tremujorin e dytë vjet.

PAGA MESATARE NË PRIVAT
Prill-Qershor 2025      77.137 lekë
Prill-Qershor 2026      86.094 lekë
Diferenca                   + 8,957 lekë

Rritja në privat për këtë periudhë duket se ka qenë më e shpejtë se në shtet, pasi paga në sektorin privat është rritur me vetëm 7,565 lekë, krahasuar me vjet.

PAGA MESATARE NË SHTET
Prill-Qershor 2025      99.525 lekë
Prill-Qershor 2026    107.090 lekë
Diferenca                    +7,565 lekë