Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi një takim prezantues me ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, ku u diskutua për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe projektet që po mbështesin modernizimin e policisë shqiptare.

Gjatë takimit, Hita theksoi se synimi i tij është ndërtimi i një Policie të Shtetit më të mirëshkolluar, më të trajnuar dhe më profesionale, e aftë t’u përgjigjet sfidave të sigurisë së kohës.

"Vizioni im është për një Polici të Shtetit gjithnjë e më të mirëshkolluar, më të trajnuar dhe më profesionale, për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë së kohës" tha ai.

Kreu i Policisë vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë përmes programeve dhe projekteve që po zbatohen në Shqipëri, duke veçuar Programin për Forcimin e Policimit në Komunitet, i cili do të vijojë deri në vitin 2029, si dhe kontributin në Policinë Shkencore, Policinë Rrugore dhe Akademinë e Sigurisë.

Sipas Hitës, bashkëpunimi mes institucioneve ligjzbatuese të dy vendeve ka sjellë rezultate konkrete në fusha të rëndësishme si lufta kundër terrorizmit, policimi në komunitet, mbrojtja e të miturve, lufta ndaj dhunës me bazë gjinore, hetimi kriminal dhe shkëmbimi i informacionit.

Nga ana e tij, ambasadori suedez Niklas Ström vlerësoi progresin e arritur deri tani dhe rikonfirmoi angazhimin e Suedisë për të mbështetur më tej Policinë e Shtetit në procesin e modernizimit dhe afrimit me standardet europiane.

Në takim u diskutua edhe për projektet që janë aktualisht në zbatim, të cilat synojnë përdorimin e teknologjive moderne në Policinë Rrugore, rritjen e kapaciteteve për hetimin e rasteve të dhunës seksuale dhe asaj me bazë gjinore, forcimin e policimit të drejtuar nga inteligjenca dhe përmirësimin e hetimit në vendngjarje.