Ai flet vazhdimisht për hije, madje edhe romani në fjalë e merr titullin prej tyre. Janë hijet e njerëzve që e kanë ndjekur nga pas, me psherëtima, heshtje, me ulërima e kërcënime, hije ditëve e netëve, në forma njerëzore. Sidomos në rininë e hershme, por edhe gjatë jetës; janë hijet e diktaturës. Ai ka një histori jo shumë të veçantë për të rrëfyer, duke na u shfaqur si një përfaqësues tipik i “brezit të humbur”, i atyre studentëve që studiuan dikur, për pak kohë, në vendet e ish-Bllokut Lindor, nga Bashkimi Sovjetik deri në Bullgari, nga RDGJ-ja e deri në Hungari, nga Polonia, deri në Rumani.
Pak a shumë i të njejtit brez me Kadarenë apo Agollin, por që nga mesi i tyre, siç na thotë, nuk është se ka dalë më pas ndonjë “emër i madh”. Më vonë do të ktheheshin të gjithë, por ai pati fatin e keq që u kthye edhe më parë: bashkë me disa shokë të vetët, u detyrua të shkelte përfundimisht në “atdhe” në vitin 1959, pasi faji i vetëm ishte se kishte krijuar lidhje dashurore dmth. njerëzore me një vajzë gjermane gjatë kohës së studimeve. Po shokët e tij? Edhe ata të gjithë kishin nga një “cen”; dikush kishte dëgjuar radiot perëndimore, dikush kishte folur diku, me dikë, e kështu me radhë.
Fjalët për bëmat e tyre ishin përcjellë me kohë në qendër, sigurisht nga hijet që regjimi i Tiranës i kishte kudo, edhe tek vetë shokët e kursit, atje në tokën e largët e të ftohtë, në Lajpcig, në RDGJ. “Gjermanka biondinë” që e shtyrë nga dashuria, besimi dhe llogjika njerëzore, se lidhjen mes dy njerëzve në martesë nuk mund ta ndalonte dot as feudalizmi, vjen të shohë vetë si qëndronte puna, duke e parë realitetin në sy. Këmbëngul, kërkon shpjegime, nuk do të kuptojë...dhe ndahet në Rinas, për të mos u parë më me njeriun që donte, në vitin 1960. Ardhjen e saj në Kombinat, në lagjen punëtore të sapokrijuar, madje e mbajnë mend shumë dëshmitarë edhe sot e kësaj dite, si një legjendë të largët. Gjithsesi, jeta e desh që ata të takoheshin sërish, në dy realitete plotësisht të reja, si për gjermanët, ashtu dhe për shqiptarët. Tashmë muret kishin rënë. Ajo çka kishte mbetur pas, ishte vetëm nostalgjia.
* * *
Z. Hodobashi, cila është origjina juaj? Ku i keni kaluar vitet e fëmijërisë e rinisë, ku jeni shkolluar?
Me origjinë jam nga Spathari, një fshat në Skrapar, ku janë përplasur gjithmonë kohërat, kanë kaluar përherë pushtuesit. Kam lindur në 1935. Në vitin 1940 u larguam nga fshati, sepse ajo zonë u bë asokohe arenë e luftës italo-greke dhe u kthyem sërish në 1944. Isha tetë vjeç e gjysëm kur fillova shkollën fillore në vitin ‘45 duke e mbaruar në 1949. Në vitin 1949 me doli bursa për studimet e mesme për në gjimnaz. Në fillim më ofruan një vend për t’u bërë oficer, në Shkollën e Bashkuar, në Tiranë. Por në fund u regjistrova në Gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, i vetmi në atë kohë në kryeqytet. E refuzova ofertën e parë, pasi nuk doja të bëhesha oficer, gjë e cila nuk mund të refuzohej dhe aq lehtë, por ia mbusha mendjen me arsyetimet e mosdëshirën time. Maturën pastaj e mbarova në Shkodër, në 1956.
Po bursa për në RDGJ? Si ndodhi? Kur e morët?
Më pas, më doli bursa për studimet e larta; në fillim për Bullgari e pastaj ma kthyen për në Gjermaninë Lindore. Gjithçka erdhi pa ndërhyrje, nuk pati dorë njeri, le të themi, pasi në atë kohë akoma nuk kishte nisur një luftë klasash në përmasat që njohëm më vonë dhe kërkesa për kuadro ishte e madhe. Çdo gjë erdhi si pasojë e rezultateve të mia të mira në mësime. Plus duhen shtuar këtu rrethanat, në një kohë kur Shqipëria ishte pjesë e ish-Bllokut të Demokracive Popullore dhe të paktën në dukje i imitonte ata. Ishte një kohë e artë, në kontekstin e atyre kohëve të paktën, të cilën e kujtoj me nostalgji.
Cili vend përthithte më shumë shqiptarë atëherë për studime, përveç Bashkimit Sovjetik?
Ishin vende të tilla si Bullgaria, që ishin mundësisht sa më larg ndikimit perëndimor, por pati edhe në RDGJ e Hungari, Çeki e Poloni. Gjithsesi, në Gjermaninë Lindore, numri ishte më i kufizuar; për shembull, rreth 20 veta ishim ne që na dolën bursat në atë vit. Ishte edhe një kontigjent i parë, 20 para nesh, pastaj u ndërprenë dërgimi i studentëve atje.
Mbani mend ndonjë ish-koleg, emri i të cilit sot mund të tingëllojë emër i njohur?
Jo nuk mbaj mend. Ndoshta nga ato breza që studiuan në ish-RDGJ, vlen të përmendet i ndjeri Ali Dhrimo ( ish-Dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë dhe përkthyes e studiues i njohur). Sigurisht se secilin prej nesh pastaj e mori rrjedha e jetës, duke hasur e krijuar karrierra normale në shumë fusha.
Cili ishte profili i studimeve që ju zgjodhët, ose më mirë, ju caktuan?
“Inxhinjeri metalesh”, në fakt kundër dëshirës sime. Unë doja të studioja shkenca humane. Kërkova të ma ndryshonin edhe në Ambasadë, në Berlinin Lindor, edhe në Tiranë, por më thanë: Ose këtë, ose lëri fare studimet!.
Pasi ishit i detyruar të pranonit, si vijoi më pas?
U vendosëm fillimisht në Lajpcig, për një vit, sepse atje ishte Instituti i Gjuhës, pasi na duhej më parë të mësonim gjuhën. Deri atëherë, nuk ia kishim fare idenë gjermanishtes; as që kishim patur ndonjëherë rast ta dëgjonim. Nëpërmjet rusishtes, me të cilën merreshim vesh nga pak me stafin e pedagogët gjermanolindorë vijuam derisa mësuam dalëngadalaë gjuhën.
Patët ndonjë çudi apo tronditje kur patë atje atë botë, që nuk ishte perëndimore, por gjithgsesi, shumë e ndryshme nga e jona?
Natyrisht që atje çdo gjë ishte e ndryshme. Gjermanët kishin investuar në atë vend me shekuj dhe mua më bënin përshtypje zhvillimi shumë i madh, autostradat, shumica e të cilave në fakt ishin bërë në kohën e Hitlerit, siç ishte edhe ajo Lajpcig-Berlin. Një gjë që binte në sy ishte pakënaqësia e atij populli me pushtimin sovjetik. Sidomos njerëz të moshave madhore e shprehnin pakënaqësinë ku mundnin, dhe shihej qartë një kokëulje shumë jodinjitoze për gjermanët, të mësuar siç dihet me një lloj supremacie në marrëdhënie me gjithë të tjerët në botë, sidomos me popujt lindorë.
Spiunllëku, përndjekja, mbikqyrja, “Stasi” tek e fundit, si ishte?
Jo, nuk ishte në përmasat që ne mund ta mendojmë sot. Ne nuk ndjenim në atë kohë asgjë, sidomos kur e krahason me Shqipërinë. Këtu çdo gjë ishte tjetër, ishte një tmerr që nuk kishte lidhje fare as me botën lindore, për nga mënyrat, represioni, volumi dhe presioni. Megjithatë, edhe në atë masë e formë që ishte, kam hasur plot njerëz me të cilët bisedoja në konfidencë që më ankoheshin se: Vetëm komunizmi arriti të bëjë që gjermani të spiunojë gjermanin, dhe as nazizmi e as një regjim tjetër më parë, nuk ia kishte dalë dot në atë mënyrë!.
Cili ishte perceptimi për Shqipërinë, sidomos nga ana e popullit gjermanolindor?
Popullata kishte shumë pak dijeni për Shqipërinë, kurse dikush tjetër (një doktoreshë, e cila më ka mbetur në mend) e përkufizonte kështu: Shqipëria është një fshat i prapambetur! - Ndërkohë që kultura e shkuar kishte mbetur, gjurmët e shkatërrimeve ndjeheshin akoma, si në Lejpcig, ashtu dhe në periferi. Ishin pra gjurmë të luftës, pasi s’kishte dhjetë vjet që kishin kaluar nga fundi, ose siç e quante zyrtarisht propaganda: “çlirimi”.
Në atë kohë rezulton të jetë shfaqur edhe filmi “Skënderbeu” në RDGJ?!
Është shfaqur në Lajpcig, e kemi parë edhe ne në atë kohë me shokët, me një lloj emocioni e krenarie, sigurisht. I mëshohej shumë faktit se ai ishte bashkëprodhim shqiptaro-sovjetik. U prit mirë, por jo ndonjë atmosferë siç mund ta kenë përshkruar në atë kohë mediat ish-gjermanolidnore, të paktën atje ku unë isha.
Shkaku pse u kthyet? – Pse ua ndërprenë bursën?
Ishte se unë kisha lidhje me një vajzë gjermane. Ajo ishte nga Lajpcigu, por vinte edhe në Dresden. Ambasadës sonë në Berlin, kur i ra në vesh, sidomos mbaj mend një shef sigurimi, Mehmet Caka nga Kukësi, i cili jeton edhe sot në Tiranë.... E kam përshkruar edhe në libër komunikimin me të, ashpërsinë e tij kur komunikoi me mua, tronditjen që më ndoqi edhe më vonë, kur kujtoj ato skena.
Shkonit shpesh në Ambasadën tonë në Berlin Lindor?
Jo nuk shkonim, fare, por ata kishin hijet e tyre pranë nesh. Ishin vetë shokët tanë, fatkeqësisht. E kuptova me kohë që kishte njerëz që më ruanin nga pas. Kur dilja apo shkoja shëtitje etj. Dhe çdo informacion, mbi mua shkonte i ngrohtë pra në Ambasadën tonë në Berlin. Por s’kisha se çfarë të bëja. Unë pata probleme me ulçerën asokohe dhe shkova në spital, ku shoqja ime dhe një fqinj i saj u kujdesën shumë për mua. Më vonë m’u desh që dy netë të qëndroja në shtëpinë e shoqes sime gjermane nën përkujdesjen e saj, për shkak të hemoragjisë që pësova një herë, çka m’u kthye më pas në një problem shumë të madh, pasi pak ditë më vonë më organizuan një “gjyq special”, le të themi, në fakt një mbledhje partie, ku kryesonte një sekretar partie, ish-shok i yni.
Po historia kur biondja gjermane erdhi në Kombinat? – Kam njohur njerëz që dëshmojnë edhe sot e kësaj dite se si i gjithë Kombinati asokohe ziente nga kjo prani e rrallë..!
Po. Ndonjëherë ma kujtojnë edhe sot e kësaj dite duke më ngacmuar me shpoti. Ajo në fakt fillimisht u përpoq të vinte direkt nga Bullgaria për të qëndruar disa kohë në Shqipëri me vizë, por më në fund erdhi vetëm si “turiste”. Kishte këmbëngulur gjatë, sepse nuk i besonte dot letrave të mia, arsyeve false që unë rendisja për një ndarje aq të papritur. Dola dhe e prita në Rinas, pak muaj pasi unë isha kthyer dhe kisha nisur studimet për gjuhë-letërsi në Tiranë, ndërkohë që qëndroja tek shtëpia e vëllait tim në Kombinat. U habit nga shikimet dhe vëzhgimi që i bënte Sigurimi, duke më pyetur shpesh se ç’janë këto gjëra? Qëndroi disa ditë. E prisja para Hotel Dajtit dhe shkuam bashkë edhe në Durrës. Ndërsa rrija me të e mundohesha t’i shpjegoja realitetin në breg të detit, më thërrasin në rajonin e policisë së plazhit e më kërcënojnë ashpër. Aty e pashë për herë të parë diktaturën në stilin e saj origjinal, atë të hekurave, ashtu kërcënuese, të drejtpërdrejtë.
Si e kishte emrin gjermania, shoqja juaj?
Kjo s’ka ndonjë rëndësi. Në libër e kam quajtur Gertrudë.
Si u ndatë me të?
Ia bëra të qartë në mënyrën time se ne nuk kishim të ardhme në këtë vend. Nuk doja që edhe ajo të vuante për shkakun tim. Arrija të parashikoja fare qartë se si mund të shkonin punët. Përfundimi mund të ishte shumë i keq, çka e tregoi edhe koha me të gjithë ata që s’kishin hequr dorë nga gratë apo dashuritë e tyre të huaja, me pak përjashtime. Ajo në fakt u përpoq edhe në rrugë zyrtare, sepse nuk e konceptonte dot atë marrëzi që po ndodhte. Gjithsesi, e përcolla në Rinas dhe u ndamë.
Kur u ndërpre bursa, si e përjetuat?
Ishte në verë të vitit 1959, kur ndodheshim me pushime në vendlindje. Një pjese nga ne “lajmi” iu komunikua në një mbledhje si gjyq, se na ishte ndërprerë bursa pra, me arsye fare të kota. Njërit i thanë se ka dëgjuar radiot perëndimore, mua se kisha krijuar lidhje me një të huaj etj., dhe na thanë të paraqiteshim në Tiranë, te Ministria e Arsimit. U futa më pas në kombinat, punoja natën dhe vazhdoja universitetin ditën, sepse më thanë që s’me jepnin dot bursë. Në vitin 1962 mbarova fakultetin për Gjuhë-Letërsi pastaj e më nisën menjëherë me punë në një zonë të thellë të Skraparit. Në Backë-Staraveckë. Një vend ku po ta shohësh, të zë frika. Atje kisha përndjekje dhe isha nën vëzhgim të Sigurimit gjatë gjithë kohës. Nën këtë atmosferë e kam përjetuar thuajse të gjithë atë kohë, deri sa ra regjimi.
A e shtonte fakti që ju kishit studiuar jashtë, masën e presionit e të mbikqyrjes mbi ju e shokët tuaj të së njejtës “racë”?
Mbikqyrja ka qenë permanente dhe e fortë. Në ato situata që u krijuan më pas, unë u shkëputa plotësisht nga njerëzit e nuk kisha më besim as tek vëllai e as te motra, e jo më tek njerëzit.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 13 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)