HOLANDE - Mbretëresha Beatrix e Holandës ka njoftuar tërheqjen e saj nga froni për t’ja pasuar djalit të saj, Princ Willem-Alexander. Në mesazhin e saj drejtuar popullit ajo tha se do të qëndrojë zyrtarisht në fron deri më 30 prill.

Mbretëresha, e cila së shpejti do të mbushë 75 vjeçe tha se kishte menduar në lidhje me këtë moment edhe disa vite më parë dhe se tani ishte "momenti për të dorëzuar pushtetin”.

Mbretëresha Beatrix ka qenë në krye të mbretërisë që nga viti 1980, kur nëna e saj i dorëzoj kurorën. Në deklaratën e shkurtër televizive, mbretëresha tha se ishte koha që froni të mbahet nga "një brez i ri", duke shtuar se djali i saj ishte i gatshëm që të bëhej mbret.

Princi Willem-Alexander, 45 vjeç, është martuar me një ish-bankiere investimesh nga Argjentina dhe ka tre fëmijë. Ai është një pilot i trajnuar mirë dhe një ekspert në menaxhimin e burimeve ujore. Ai do të bëhet mbreti i parë i Holandës që kur Willem III vdiq në vitin 1890.

Sipas ligjit holandez, monarkët kanë pak pushtet dhe shumë ceremonialitete.

Redaksia online
(eç/lç/shqiptarja.com)