TIRANE- COD është emërtuar hyrja në sallonin e Kryeministrisë, që tashmë do të jetë një hapësirë e hapur për artistët dhe publikun, ndërsa vetëm pak kohë më parë funksiononte si një sallon i zbrazët. Tashmë multifunksional dhe i ndërtuar siç u shpreh kryeministri Edi Rama mbrëmë gjatë përurimit, si një projekt “për një infrastrukturë të fjalës së fundit të teknologjisë”, puna për COD ka ditë që është vënë re nga qytetarët e Tiranës dhe është kontestuar nga shumë vetë kur shihej se “diçka” po ndërtohej tek porta e Kryeministrisë.

Punët mbrëm duket se kishin përfunduar dhe publiku do të ketë një hyrje në COD, ku vizitorët përfundimisht do të kalojnë poshtë Markizës Tirana 2015 të realizuar nga Phillipe Parreno, dhe mbi kokë do t’u qëndrojë një skulpturë e madhe që duke ndriçuar me dritën e neonit hyrjen e godinës. Vepra u theksuar dje gjatë promovimit është bërë në një linjë me veprat e tjera të ngjashme që Ph. Pareno ka ekspozuar në Muzeun Guggenheim në Nju Jork, Pallatin e Tokios në Paris dhe në pallatin historik Grassi në Venecia.

Sigurisht që është një “krisje” në elementin klasik të godinës së kryeministrisë, por Markiza Tiranë 2015 është vendosur aty me konceptin që të shoqërojë dhe mirëpresë publikun si për të ndriçuar dhe për të vënë në pah kufirin ku takohen kultura dhe politikat, dituria dhe mendimi kritik, mjedisi i jashtëm dhe i brendshëm.

Publiku i pranishëm dje e ndjeu këtë, tek hapësira CO takoheshin ambasadorët e atashuar në Shqipëri, artistë nga Shqipëria dhe Kosova, personazhe të njohur publik, deri tek ata më vanitozët, stilistët e arkitektët. Përurimi i COD në hollin e ndërtesës së Kryeministrisë pas prezantimit të projektit u përshëndet nga vetë kryeministri Rama.

Nismën e qeverisë për të ofruar qasje të lirë në institucionet dhe dokumentet publikë dhe për t’i vënë ato në dispozicion të qytetarëve, si dhe institucioneve artistike dhe kërkimore brenda e jashtë vendit kryeministri Rama e ka lidhur me bashkëpunimin me artistët më të njohur të botës që kanë dhuruar veprat e COD. Duke u shprehur mirënjohje, Rama tha se pavarësisht nivelit të tyre stratosferik, ata sollën për Shqipërinë një kontribut vullnetarë. Kryeministri Rama theksoi se kjo hapësirë do të vihet “në dispozicion të artistëve, të botuesve, të njerëzve të filmit, të muzikës dhe të protestuesve.

Dhe për ata që do të protestojnë kundër qeverisë do të jetë mundësi që  të rezervojnë këtë hapësirë, ku do të dërgojnë përfaqësitë e tyre dhe të rezervojnë edhe ministrat përkatës apo, edhe pse jo, dhe kryeministrin për të ballafaquar argumenett dhe për të shkurtuar kohën televizive të qeverisë. Sigurisht kjo bëhet për të bërtitur këtu brenda, se mund të bërtasin jashtë, por të vijnë këtu brenda për të folur dhe për të ballafaquar”. Përveç kësaj Edi Rama i konsideron si pasuri të paçmuara veprat që janë vendosur në hapësirat e COD. Po cilat janë këto vepra.
 
COD mbrëmë i hapi dyert me disa prezantime të spikatura, si me një ekspozitë me veprat e artistëve të famshëm ndërkombëtarë Thoma Demand, Cartsten Holler, Philllipe Parreno dhe një projekt i kuruar nga Zef Paçi, profesor i Artit në Universitetin e  Arteve në Tiranë. Duke iu afruar hyrjes shfaqet kërpudha gjigante me tri pjesë, vepër e 2015-s, e vendosur në hapësirën e gjelbër në të djathtë të kryeministrisë. Tri pjesët janë elementë të kërpudhave të ngrënshme, ku njëra pjesë është helmuesja, që nënkupton komentin për politikën shqiptare.

Pastaj kalohet poshtë Markizës Tirana 2015, dhuratë  e artistit të madh Ph. Parreno. Më tej në mjediset e COD ishin tri vepra të Thomas Demand që emërtohen Haraçi, Joshja, Simboli. Simboli shpreh konceptin e partneritetit midis njerëzve të botës. Markiza e Tiranës 2015 dhe Tri Kërpudhat janë dhuratë e artistëve ndërkombëtarë,  ndërsa tri veprat e Demand janë kortezi e artistit.

Videot e Zef Pacit dhe dokumentet e AQSH, që nga vitet 1920,  duket se zgjerojnë hapësirat e e një komunikimi shumë dimensional. COD ka qëllim të demistifikojë një institucion i cili deri më sot ka qenë i mbyllur për qytetarët. “Ta bëjmë këtë qendër të jetueshme dhe të jetuar nga të gjithë së bashku”, tha Edi Rama, duke i ftuar studentët, studiuesit, artistët, kuratorët, gazetarët e aktivistët e shoqërisë civile, si dhe publikun e gjerë “të vijnë në një vend, ku idetë e tyre marrin formë”. 

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)