TIRANE - Në Ditën e Dëshmorëve, një tjetër efektiv policie i rënë në krye të detyrës shpallet dëshmor.

Selman Lena humbi jetën mbrëmjen e së shtunës në krye të detyrës në Kamëz, ndërsa kolegu i tij është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Patrulla e policisë është përplasur nga një makinë ‘BMV X5’, e cila nuk i është bindur thirrjes së policisë për të ndaluar.

Prej orës 13.00 të ditës së sotme në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të policisë, miq, të afërm, kolegë e përfaqësues të lartë të shtetit vijojnë homazhet në nderim të efektivit të policisë të rënë në krye të detyrës.

Kreu i qeverisë duke shprehur ngushëllimet për familjen, vuri theksin në rëndësinë e vendosjes e përgjegjësve para ligjit. “Shpreh dhimbjen dhe pikëllimin për rënien në krye të detyrës së Selman Lenës. Një inspektor i shkëlqyer i efektivave të rendit, prind shembullor, qytetar i mrekullueshëm, biri i shquar i një familje, por edhe i gjithë vendit. Lutem së bashku me ta, që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar, sikundër kam besimin e madh, se ligji do të japë përgjigjen e merituar ndaj këtij akti kriminal, shumë të rëndë.”

Kryeministri i uroi gjithashtu shërim të shpejtë efektivit tjetër të policisë, i cili mbeti i plagosur rëndë pas aksidentit të një dite më parë. Më tej Berisha, garantoi forcat e rendit për mbështjetjen e qeverisë në përmbushjen e plotë dhe me sukses së detyrës së tyre.

KUSH ISHTE INSPEKTORI SELMAN LENA

Inspektor Selman Lena, i datëlindjes 05.07.1970, ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë, vajza.

Inspektor Selman Lena është pranuar në strukturat e Policisë së Shtetit, në vitin 1991 në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.

Inspektor Selman Lena ka shërbyer në strukturat e Policisë së Shtetit nga viti 1991 deri në vitin 2013. Gjatë kësaj periudhe ka kryer detyra të ndryshme në strukturat e policisë në strukturat e sigurisë publike në Komisariatet e Policisë Tiranë.

Nga 14.10.2012, ka kryer detyrën e oficerit të patrullës së përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë nr.5.

Inspektor Selman Lena, gjatë karrierës së tij 22 vjeçare në strukturat e Policisë së Shtetit, është shquar për profesionalizëm, përgjegjësi e përkushtim në përmbushjen e detyrës në shërbim të komunitetit, deri në çastin kur më datë 04.05.2013 humbi jetën në krye të detyrës.

(arsh/ad.ti/e.s/shqiptarja.com)