TIRANE - Përpara se të përcillet për në banesën e fundit, në nderim të Lirak Bejkos do të mbahen homazhe në Institutin e ish-të burgosurve politik në Tiranë. Pas disa orësh bisedime drejtuesit e institutit dhe përfaqësuesit e grupit të grevistëve kanë rënë dakord. Trupi i Bejkos pritet të mbërrijë në Shqipëri mëngjesin e së martës në portin e Durrësit. Më pas do të dërgohet pranë familjes së tij në Laprakë të Tiranës, ku janë hapur dyert e mortit. Ish-koordinatori i grevës së urisë Skënder Tufa ditën e sotme ishte në presidencë, ku dorëzoi një kërkesë për dekorimin e Lirak Bejkos.

“Sapo dorëzuam kërkesën për dekorimin e heroit të demokracisë Lirak Bejko dhe një njoftim me të njëjtin tekst, që do t’i drejtohet të gjitha organizmave diplomatike të akredituar në Shqipëri, popullit shqiptar, besimeve fetare për të marrë pjesë në homazhe në datën 7 në orën 11:00 deri 13:00 tek instituti i të përndjekurve politik. Këto homazhe do jenë paqësore për të respektuar martirin e demokracisë dhe për të dhënë një shembull qytetar që ne të burgosurit dimë të nderojmë e respektojmë në mënyrë paqësore qytetare bashkëvuajtësin tonë, heroin e gjithë shqiptarëve, Lirak Bejko”, tha Tufa.

Lirak Bejko ndërroi jetë pak ditë më parë në spitalin e Barit në Itali. Ai ishte ish i përndjekuri i dytë i cili tentoi aktin e vetëflijimit në ambientet e grevës së urisë ndërsa i vuri zjarrin vetes. Djegiet në 50 % të trupit e bënë të pamundur që ai të shpëtonte pavarësisht ndërhyrjes së specializuar në vendin fqinj.

(eç/shqiptarja.com)