Homoseksuali shqiptar: Ja
si jetonim në kohën e monizmit

Homoseksuali shqiptar: Ja <br />si jetonim në kohën e monizmit
TIRANE- E ka përjetuar homoseksualitetin e tij edhe nën diktaturën e monizmit, ku, nëse pikasej dënohej me 10 vjet burg. Më 1994, pavarësisht situatës së egër që ekzistonte kundër komunitetit të tyre në vendin tonë, ai krijon shoqatën e parë të Gay Albania, që pas largimit të tij nga Shqipëria jo vetëm u shkatërrua, por edhe u keqpërdor. Që nga 1997 ka marrë azil në Amerikë dhe kur është kthyer në Shqipëri shumë vite më pas, një pjesë e madhe e shokëve të tij kanë vdekur nga infektimi me AIDS dhe stigma e turpit. Në një intervistë të dhënë për gazetën e LGBT "Xhulia" rrëfen edhe për betejën e asaj kohe për të ndryshuar ligjin që dënonte "pederastinë".

Kur e keni kuptuar orientimin tuaj seksual dhe si e keni përjetuar këtë zbulim?
Mesa mbaj mend, që në moshë fare të vogël e kuptoja që isha ndryshe nga të tjerët. Megjithëse shoqërohesha me djem, shpesh isha i tërhequr dhe ndodhte që të luaja me vajzat dhe me lodrat e tyre, ndërkohë që isha shumë pak i interesuar për lojrat "tipike" të djemve, si për shembull futboll, etj. Në moshën 12-13 vjeçare fillova të ndjehesha konfuz rreth ndjenjave të mia, megjithëse pëlqeja vajzat disi, ndjehesha më shumë i tërhequr emocionalisht drejt të njëjtës gjini. Kjo periudhë shumë e trishtuar vazhdoi deri në moshën 20 vjeçare. Shpesh ndjehesha i izoluar dhe depresiv, duke qenë se nuk kisha ndonjë informacion ose asistencë emocionale. Në fillim mendoja se unë isha i vetmi në botë që kisha këto ndjenja, por me kalimin e viteve fillova të njihja edhe njerëz të tjerë si unë dhe njëkohësisht fillova të kem lidhje të vërteta dashurie, disi të fshehta, por të mbushura me emocione dhe drama, të cilat duke qenë se zgjatën për vite të tëra, më formuan emocionalisht dhe më bënë më të fortë për të përballuar realitetin dhe paragjykimet e mykura të asaj kohe. Vendosa t'i qëndroj besnik vetes sime, të jetoja jetën time ashtu siç ma kishte falur Nëna Natyrë dhe jo siç e kërkonte i ashtuquajturi "Kodi i Shoqërisë" shqiptare.

A kishte në atë kohë persona që guxonin t'a shprehnin hapur orientimin e tyre seksual dhe nëse po, çfarë ndodhte me to?
Po, më kujtohen disa prej tyre që pata fatin t'i njoh personalisht nëpër vite. Disa prej tyre kishin histori shumë të trishtuara e të dhimbshme, të cilat në momente të veçanta e kthenin dramën e hidhur të jetës së tyre në humor e gëzim të sinqertë, momente këto që më kanë lënë mbresa të paharrueshme. Shumë prej këtyre njerëzve ishin të braktisur nga familjet e tyre dhe tashmë nuk kishin më kontakte me to. Shoqëria i përbuzte dhe i diskriminonte dhe si për pasojë gjendja e tyre ishte gjithmonë e dëshpëruar. Shpesh alkooli ishte ngushëllimi i tyre i vetëm. Është për të ardhur keq që disa prej tyre patën një fund tragjik e të dëshpëruar. Shumë njerëz si ne, në fushën e artit dhe të kulturës, por edhe në aspektet e tjera të jetës, duke qenë disi të hapur rreth seksualitetit të tyre, kishin humbur vendet e punës, të drejtën e ushtrimit të profesionit të tyre, si edhe kishin bërë vite të tëra burg, bazuar në Nenin 137 të "Kodit të Procedurës Penale" të RPSSH-së, që dënonte 'pederastinë' me 10 vjet heqje lirie. Vlen këtu për t'u sqaruar se termi 'pederast' ishte përdorur gabimisht në këtë kod. Ky term ishte huazuar nga frëngjishtja dhe në këtë gjuhë ka kuptimin e një të rrituri në moshën ligjore, i cili kryen marrëdhënie me të mitur, me pak fjalë ajo që sot quhet pedofili.

Me ardhjen e demokracisë si filloi ta ndjejë veten komuniteti LGBT dhe çfarë perspektivash u hapën?
Shumë gjëra filluan të ndryshojnë. Me hapjen e kufijve, u hapën edhe mendjet e njerëzve dhe lëvizja e lirë drejt perëndimit filloi të sillte njëfarë ndryshimi në konceptimin e jetës dhe të fenomeneve shoqërore që në Shqipëri deri në atë kohë ishin tabù. Komuniteti LGBT filloi disi më hapur të shoqërohej dhe të mblidhej mbrëmjeve në pika të caktuara në Tiranë. Shpesh vinin edhe nga rrethet dhe njiheshim me njëri-tjetrin, por shumica emigroi për të pasur një jetë më të mirë dhe sigurisht më të lirë.

Çfarë ju nxiti të organizoheshit? Cili ishte qëllimi i organizatës dhe si filluan organizimet e para? Si u prit krijimi i organizatës nga vetë komuniteti, shoqëria dhe institucionet?
Me ndryshimin e sistemit të qeverisjes, shumë gjëra filluan të ndryshonin në çdo aspekt. Në shtypin e shkruar të përditshëm lexohej dhe diskutohej tashmë rreth çdo aspekti të jetës. Të qenurit 'ndryshe', më dha një shtysë të shkruaja një artikull në gazetën "Playboy", në Mars 1994. Ishte një artikull i thjeshtë, por i sinqertë. Vendosa të përdor pseudonimin "Xhulia" për ta bërë artikullin edhe më interesant (emrin Xhulia e zgjodha nga seriali televiziv "Disperatamente Giulia" që transmetohej asokohe në tvsh, drama e të cilit ishte e mira në luftë kundër së keqes). Pas botimit të artikullit, u krijuan shumë polemika dhe shihja tanimë njerëzit që diskutonin me pasion. Albanologu i famshëm shqiptar, R.E., i cili ndodhej me punë në Shqipëri ato ditë, i kërkoi disa miqve të mi të njihej me mua. Pas një takimi dhe bisedash të gjata, u dha ideja që të organizoheshim dhe të krijonim një shoqatë për të drejtat e homoseksualëve. Pasi ramë dakord, u organizuam 7-8 vetë në mënyrë sekrete, në një hotel të Tiranës ku unë punoja dhe diskutuam për situatën dhe perspektivat, pa harruar se ende ishte në fuqi ligji që dënonte homoseksualizimin. më 29 Mars 1994 ne vendosëm të krijojmë Shoqatën "Gay Albania" (sga), organizata e parë në historinë e Shqipërisë që do të punonte për të drejtat e komunitetit lgbt. Qëllimi kryesor i sga përqendrohej në:Mbështetjen e interesave të homoseksualëve (meshkujve dhe femrave së bashku) si edhe lufta për barazinë e plotë dhe integrimin e tyre në shoqërinë shqiptare; përhapja e informacionit pozitiv dhe objektiv mbi pakicën homoseksuale, si edhe lufta kundër paragjykimeve, fanatizmit, injorancës dhe urrejtjes; mbështetje kundër përhapjes së hiv/aids-it. Pasi përgatitëm materialin me gjithçka më sipër e postuam në të gjithë shtypin qendror të asaj kohe si dhe në një sërë agjensi lajmesh të huaja ku njoftonim formimin e sga-së. Vërtet ishte një lajm sensational. Kudo diskutohej e debatohej sigurisht në mënyrë negative, por të paktën diskutohej dhe kjo tregonte që ne ekzistonim, kishim ekzistuar dhe do të ekzistonim.
Për ne u shkruajt në Reuters News, Associated Press dhe në tërë shtypin qëndror të asaj kohe, që lexohej me fanatizëm. Frika ishte e madhe, por ne vazhduam. Njëkohësisht filluan te vinin letra e ftesa për intervista. U tallën me ne, na kërcënuan, na ndoqën, por as vetë nuk e di ku e gjenim guximin për të vazhduar.

Cilat ishin sfidat më të vështira që hasët në punën tuaj?
Është për të të ardhur keq, por dua të jem i sinqertë. Ishte komuniteti ynë ai që gjatë gjithë punës sime me sga-në më krijoi sfidat dhe vështirësitë më të mëdha.

Çfarë rruge ndoqët për ndryshimin e ligjit deri në aprovimin e ligjit të ri, si edhe për legalizimin e sga-së në Gjykatën e Tiranës?
Gjatë një konference në Budapest, takuam Scott Long, përfaqësues i International Gay and Lesbian Human Rights Commission (iglhrc) dhe e ftuam në Shqipëri. Me ardhjen e tij në mënyrë tepër sekrete në vendin e punës ku punoja, u zhvillua një takim i gjatë ndërmjet tij dhe kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, mesa më kujtohet, PD-ja ishte në pushtet asokohe, me z. A.S. Atij iu shpjegua qartë situata e komunitetit tonë në Shqipëri dhe iu kërkua të shfuqizohej Neni 137, ku 'pederastia' dënohej me 10 vjet heqje lirie, si edhe shfuqizimi i Nenit 114 të projektligjit të ri të Procedurës Penale që po punohej në atë kohë, ku shprehimisht thuhej se 'Pederastia dënohet me gjobë, ose me 3 vjet heqje lirie'. Njëkohësisht iglhrc, ilga, eurocaso, Amnesty International etj, ndërmorrën një aksion ku nga shumë vende të botës u dërguan nota proteste në organet më të larta të shtetit shqiptar dhe parlamentit shqiptar, ku bëhej e qartë që do të pengohej hyrja e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, deri sa të formulohej një ligj ku të mos dënohej, por të mbrohej komuniteti lgbt në Shqipëri. Personalisht kam qenë në kontakt të përditshëm me deputetë të parlamentit shqiptar, të cilët me vunë në dijeni dhe kërkuan opinionin tonë rreth ligjit të ri që po formulohej. Sga shkroi një peticion dhe ja dërgoi atë 15 deputeteve të PD-së, ku kërkohej ndihma dhe përkrahja e tyre për shfuqizimin e ligjit të vjetër dhe aprovimit të ligjit të ri. Në pamje të parë duket e lehtë, por të bëje listën e 15 deputetëve që do të merrnin guximin të flisnin hapur për të drejtat tona në Parlament ishte shumë e vështirë. Kurrë nuk do harroj momentin kur Kryetari i Komitetit të Ligjeve zoti H.Sh. më solli projektligjin dhe diskutuam personalisht për formulimin e tij. Formulimi i ligjit të ri në Procedurën Penale u vendos në Seksionin viii, Akte kriminale ndaj moralit dhe dinjitetit, në Nenin 116 ku thuhej: Marëdhëniet homoseksuale të kryera me dhunë, me të mitur, ose me persona që nuk mund të mbrojnë vetveten dënohet deri në 5 vjet heqje lirie. Ky ligj hyri në fuqi më 1 Qershor 1995. Dua të theksoj që kaq patëm mundësi të bënim për këtë ligj, por që ka nevojë për tu ndryshuar e përmirësuar sepse koha ka ndryshuar dhe kërkesat e komunitetit lgbt janë më të evoluara. Ndërsa Shoqata Gay Albania (sga) u regjistrua si shoqatë ligjore pranë gjykatës së rrethit të Tiranës me datën 2 Qershor 1995 ku dorëzoi dhe depozitoi statusin e saj në dy gjuhë, anglisht dhe shqip dhe nga kjo ditë ne mund të zhvillonim aktivitetin tonë të lirë, sipas ligjeve shqiptare.

Mund të na thoni diçka më tepër rreth punës dhe aktiviteteve që zhvilloi sga?
SGA pati si qëllim gjithmonë të jepte intervista e lajme rreth aktiviteteve tona në shtypin e asaj kohe dhe të shpjegonte në mënyrë pozitive se çfarë ishte homoseksualizmi dhe se në çfarë raporti ishte komuniteti lgbt në Shqipëri me atë nëpër botë. Pata fatin të marr pjesë në një diskutim në Radio Tirana rreth një filmi me temën tonë, njëkohësisht të jap dy herë intervistë në tvsh (sigurisht me shpinë pa treguar fytyrën) rreth të drejtave të homoseksualëve ku kërkohej mirëkuptimi dhe toleranca e mbarë opinionit shqiptar. Morëm pjesë në shumë takime pune, trajnime e seminare që na kualifikuan në punën tonë. Ndihmesë të madhe na dha punonjësi i Pnud-it, i ndjeri Eff Nass, si edhe Doris Frank etj. Me anëtarët e shoqatës, sigurisht me ata që pranonin të njiheshin me anëtarët e tjerë, bëmë disa party, si dhe më kryesorja festuam një vjetorin e sga-së në një hotel të madh në Tiranë, ku morrën pjesë rreth 70 vetë. Ne Tetor të vitit 1996, OKB organizonte një konferencë për të drejtat e komunitetit lgbt dhe nga Evropa Lindore duhej të merrte pjesë një person nga Rusia ose Shqipëria dhe personi që merrte vizën i pari fitonte të drejtën e pjesëmarrjes. Fati favorizoi personin nga Rusia, por marrja e vizës më bëri që të largohem nga Shqipëria për një periudhë një vjeçare. Pas një fatkeqësie familjare u ktheva ne Shqipëri. Pasi u ktheva, sga-ja pothuaj nuk funksiononte më. Ishte viti 1997. Me rënien e skemave piramidale, vendi hyri në një kaos pothuaj luftë civile. Asgjë nuk funksiononte, ambasadat e huaja u mbyllën. Iglhrc për punën time me SGA më akordoi çmimin ndërkombëtar "Felipa De Souza", çmim ky që u jepet personave ose organizatave në mbarë botën për punën e tyre për të drejtat e komunitetit lgbt. U desh ndërhyrja personale e administratës së Presidentit Clinton dhe personalisht të Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, për të marrë vizën dhe ne fund të majit 1997 të largohesha përfundimisht nga Shqipëria. Me largimin tim, Shoqata Gay Albania pothuajse nuk funksionoi më dhe personat që në mënyrë të pa drejtë u morën me drejtimin e shoqatës, abuzuan e folën në emër të saj, por pa sukses dhe si pasojë e kësaj, patën një fund të trishtuar.

Përse u detyruat të largoheshit nga Shqipëria?
Aktiviteti im me sga dhe të qenurit i hapur rreth seksualitetit tim më bëri që të humb vendin e punës dhe mendoj se qëllimet e mia i arrita në drejtimin e sga dhe se ishte momenti që jeta ime të merrte një drejtim tjetër, sigurisht për të qenë më i sigurtë. Me mbërritjen time për të marrë çmimin e akorduar nga iglhrc në SHB mu ofrua e drejta për të marrë azil politik.
Çfarë mendimi keni për situatën e komunitetit LGBT në ditët e sotme në Shqipëri?
Për vite të tëra nuk erdha në Shqipëri dhe nuk kisha asnjë kontakt përveç familjes. Kur u ktheva vërtet u ndjeva keq, sepse kisha humbur një pjesë të shokëve e miqve. Disa prej tyre kishin humbur jetën si pasojë e infektimit të tyre me Aids dhe stigma e turpit për të mos u identifikuar ose për të kërkuar ndihmë i la ata të shuhen në dhimbje e vetmi. Shumë të tjerë kishin marrë rrugën e emigrimit për një jetë të lirë e të sigurtë. Me një shokun tim në orët e vona të natës m'u dha mundësia për të vizituar disa pika të ndryshme që frekuentoheshin nga komuniteti jonë, të cilat shërbenin edhe si dhe pika prostitucioni. Ishte vërtetë për të të ardhur keq se sa pak informacion kishin rreth std, vërtetë një pjesë e tyre ishin të pa edukuar, por sa mirë do ishte që dikush t'i këshillonte e ndihmonte. Me punën time me sga, pata fatin që të njihja e bisedoja me shumë njerëz gay, që nga ministra, deputetë, artistë dhe deri tek njeriu i rrugës qe njihej dhe tallej nga të gjithë, por këto njohje shërbyen që të ndihmonim njëri tjetrin me informacione dhe ndihmë morale.
Komuniteti lgbt në Shqipëri tani mendoj që është një gjeneratë tjetër më i emancipuar që shpesh nëpërmjet shtypit e rtv dëgjon të flitet rreth homoseksualitetit në biseda, ose filma dhe media elektronike jep informacione të shumta, të cilët i ndihmojnë ato t'i qëndrojnë besnikë vetvetes dhe të edukohen në çdo aspekt sidomos ato që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me stilin e jetës sonë.

Çfarë politikash pranimi e pjesëmarrjeje duhet të ndjekë lëvizja LGBT?
Mendoj që kjo lëvizje është në rrugë të mbarë. I ndjek me vëmendje aktivitetet e saj për të sensibilizuar e edukuar opinionin shqiptar rreth homoseksualizmit. Në lëvizje mendoj që duhet të pranohet kushdo që nga personat straight, ata gay friendly, familjarët dhe sigurisht çdo individ i komunitetit tonë. Gjithsesi duhet pasur kujdes i veçantë për të ruajtur anonimatin e çdokujt, sepse jo të gjithë njerëzit duan të identifikohen, por në çdo rast atyre duhet t'i garantohet e drejta e pjesëmarrjes në aktivitete.

Cili është mesazhi që i jepni ju komunitetit LGBT?
Qëndroni të bashkuar, miqësorë si dhe mbështesni njëri-tjetrin. Qëndrojini besnikë vetvetes dhe mos u mundoni të ndryshoni për hir te opinionit. Jetojeni jetën ashtu siç ju a ka dhënë Zoti dhe jo siç e duan mendjet e mykura të mentalitetit mesjetar shqiptar. Mundohuni të merrni edukimin e duhur, merrni sa më shumë informacione të cilat ndihmojnë në ngritjen tuaj intelektuale e morale. Shikojeni jetën pozitivisht dhe beni një jetë të gëzuar siç dihet ne e kemi në gen që kemi shije te mrekullueshme për muziken e artin, mënyrën e të veshurit, dekorimin dhe gatimin. Respektoni më të moshuarit dhe duajini prindërit dhe familjen.Asgjë nuk zgjat pafundësisht dhe siç dihet jeta është e shkurtër.
Dashuri dhe paqe!!!
(Shkrimi eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Sarandë, arrestohet grabitësi serial, vodhi marketin (EMRI)

Sarandë, arrestohet grabitësi serial, vodhi marketin (EMRI)