Manifestuesit kërkojnë falje për shqetësimin, pastrojnë mbeturinat e tyre dhe bëjnë detyrat që u takojnë.

Manifestuesit pro demokracisë që kanë bllokuar rrugët e Hong Kong-ut e respektojnë me skrupolozitet shprehjen "fushatë e mosbindjes civile". Fjalë për fjalë.
Protestuesit që mblidhen me mijëra që prej të dielës së kaluar, nëpër rrugët e ish-kolonisë britanike kanë si shqetësim kryesor që protestat të zhvillohen në mënyrën më civile që të jetë e mundur.

"Na falni për shqetësimin!", lexohet në shumë pankarta të ngjitura në majë të shkopinjve.

Hong Kongu njihet për disiplinën e shtatë milionë banorëve të tij.

Njerëzit presin autobusin në radhë dhe askush nuk kërkon të kalojë tjetrin.

Sjelljet e këqija, që u atribuohen kinezëve që vijnë nga kontinenti, si të pështyrët në tokë, veprime të dënuara me gjobë, apo të lenit e fëmijëve të plotësojnë nevojat personale në mes të rrugës, shkaktojnë vazhdimisht indinjim.

Qyteti figuron mes vendeve më të sigurta në botë.

ATSH