Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Hoxha e cilëson takimin si shumë miqësor dhe rikonfirmon se Kosova mbetet një prioritet i padiskutueshëm i politikës së jashtme të Shqipërisë.

 “Një takim shumë miqësor me Ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi. E sigurova, siç ia kam konfirmuar më parë edhe Ministrit Konjufca, se Kosova mbetet një përparësi e padiskutueshme e politikës sonë të jashtme.

Rikonfirmuam angazhimin e palëkundur për thellimin e partneritetit të ngushtë e të veçantë si dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, përmes koordinimit të ngushtë institucional, rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe avancimit të projekteve të përbashkëta me rëndësi strategjike në fushat e sigurisë, energjisë, infrastrukturës dhe arsimit.

Shqipëria nuk do të reshtë së mbështeturi forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe integrimin e saj euroatlantik”, shkroi Hoxha në X.