Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Nju Jork në një drekë pune të organizuar nga Kaja Kallas me liderë dhe ministra të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në qendër të diskutimeve ishte perspektiva e anëtarësimit të rajonit në Bashkimin Europian, si dhe bashkëpunimi për sigurinë dhe stabilitetin.

Hoxha tha se gjatë takimit u theksua nevoja për ta kthyer perspektivën europiane të vendeve të rajonit në hapa konkretë, për të ruajtur ritmin e procesit të zgjerimit dhe për të çuar përpara reformat.

" Kënaqësi të takohem me Kaja Kallas, Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, për një shkëmbim përmbajtësor mendimesh. Diskutimet tona u përqendruan në situatën dhe dinamikën aktuale në Ballkanin Perëndimor, sfidat me të cilat përballet rajoni dhe rëndësinë e koordinimit të ngushtë të vazhdueshëm në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Ne nënvizuam rëndësinë e konkretizimit të perspektivës së BE-së për të gjithë rajonin, ruajtjen e momentit të procesit të zgjerimit, avancimin e reformave dhe ankorimin e fortë të Ballkanit Perëndimor brenda familjes evropiane. Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të saj të vazhdueshëm të anëtarësimit në BE dhe për të kontribuar në mënyrë konstruktive në bashkëpunimin rajonal, si dhe në një Evropë më të fortë, më të bashkuar dhe më të sigurt" shkroi Hoxha në X. 
 


Lajmi kryesor:

Takimi i Bordit të Paqes në New York, Hoxha: Shqipëria kontribut aktiv në përputhje me planin 20-pikësh të Presidentit Trump