Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, po zhvillon një vizitë në Sllovaki me ftesë të ministrit të Jashtëm të këtij vendi, Miroslav Lajcak.

Në njoftimin dërguar ATSH-së, MPJ kosovare bën të ditur se Hoxhaj ka marrë pjesë në konferencën e përbashkët të ministrave të jashtëm të katër vendeve të Vishegradit dhe të Ballkanit Perëndimor, ku ishte e pranishme edhe shefja e re e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Pjesëmarrësit kanë diskutuar për temën qendrore të integrimeve evropiane të Ballkanit përfshirë sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat do të mund të përfitonin shumë edhe nga shembulli i grupit të Vishegradit ku bëjnë pjesë Sllovakia, Hungaria, Polonia dhe Çekia.
Ministri Hoxhaj në fjalimin e tij ka thënë se është e vërtetë që krahasuar me dhjetë vjetët e fundit gjendja ka ndryshuar shumë në Ballkan, por ende mbetet shumë për të bërë jo vetëm në rrafshin ekonomik por edhe atë politik.

Si shembull ai ka sjell dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur pesë hapat që duhen ndjekur për ta përmbyllur me Traktatin e Paqes, ndërsa e ka vlerësuar mëse frytdhënëse konferencën në Bratislavë, Sllovaki."Kjo është vizita ime e tretë në Sllovaki ku gjatë ditës së sotme kam marrë pjesë në një konferencë të përbashkët të vendeve të Vishegradit që përfshijnë Sllovakinë, Hungarinë, Poloninë dhe Çekinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Temë qendrore ka qenë axhenda e integrimeve evropiane për Ballkanin dhe se si këto vende, të kenë mbështetje nga vendet anëtare të BE-së në axhendën integruese", ka thënë Hoxhaj.

Konferenca është vazhdimësi e shumë nismave rajonale të zhvilluara gjatë vitit 2014 ku në fokus ka qenë Ballkani Perëndimor dhe bashkëpunimi ndërmjet këtyre vendeve në mënyrë që ta përshpejtojnë integrimin evropian.

Pas përgatitjeve të javëve të fundit dhe diskutimeve është arritur të themelohet edhe Fondi për Ballkanin Perëndimor i cili do ta ketë selinë në Tiranë dhe fondi do të shërbejë për dhënien e granteve për projekte të ndryshme të shoqërisë civile.

Në vizitën e tretë në Sllovaki, ministri Hoxhaj ka dhënë edhe disa intervista për mediet e interesuara sllovake.

ATSH