A1 Report Zonja Teuta Hoxha thotë se nuk ka mbërritur një padi në lidhje me dorëshkrimin?
Bujar Hudhri: Media punon më shpejt sesa posta, letra nuk ka mbërritur. Kjo nuk e ndryshon thelbin e kërkesës për marrjen e dorëshkrimit të autorit.
A1 Report: Kur e kuptoi zoti Kadare që dorëshkrimi nuk ishte në arkivat e shtetit por në banesën e të vesë së Hoxhës?
Bujar Hudhri: Pas viteve 1990 Kadare ka kërkuar me të drejtë t’i kthehet ky dorëshkrim. Ai ka menduar se duhej të ishte në arkivin shtetëror, ka kontrolluar në rrugë institucionale dhe rezultoi se dosja nuk ka ekzistuar. Janë gjetur nja 30 faqe të romanit, “Dimri i vemtisë së Madhe” që ishin marrë nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Kur u kërkua ky dorëshkrim u faktua se ishte te zonja Nexhmije Hoxha. Kadare e kërkon këtë dorëshkrim prej më shumë se 10 vitesh. Në replikë me zonjën Teuta Hoxha: Nuk ka rëndësi nëse ka ardhur fleta e gjyqit. Problemi dihet. Ka vite që ai e ka kërkuar.
A1 Report: Ka kontaktuar vetë shkrimtari me zonjën Nexhmije Hoxha dhe a e ka takuar ndonjëherë personalisht Kadare Nexhmijen Hoxhën dhe a ia ka kërkuar personalisht dorëshkrimin?
Bujar Hudhri:Këto nuk janë cështje personale që mund të zgjidhen në mënyrë shoqërore. Mund të ishte një rrugë, por nuk ka kontaktet të tilla, dhe Kadare si njeri që respekton shtetin ligjor i është adresuar rrugës ligjore për të zgjidhur cështjen.
A1 Report: Shkrimtari Kadare nuk ka kontaktuar asnjëherë në këto 10 vite?
Bujar Hudhri: Nuk ka pse Kadare ta takojë personalisht. Edhe po ta takojë kjo nuk e ndryshon thelbin që ne kërkojmë. Kadare kërkon një dorëshkrim. Kjo është një gjë e shenjtë për çdo autor dhe sidomos për një autor botëror. Është e drejtë e tij. Dhe unë habitem, kur shoh dhe komentet në shtyp sesi një gjë e tillë kaq e thjeshtë nuk kuptohet.
A1 Report: Dorëshkrimi është apo nuk është dhuratë?
Bujar Hudhri:Kur dikush të jep dhuratë nuk shkon t’ia marrësh në shtëpi.
A1 Report: Mund të jetë një dhuratë e nxitur nën trysninë e diktaturës?
Bujar Hudhri: Nuk është fare dhuratë. Në diktaturë kur nuk ka pasur pronë private, afërmendsh që shkrimtari ia ka dorëzuar, jo dhuruar sepse ia ka kërkuar zonja Hoxha, e cila duke qenë në arkivin e partisë, e cila ishte dhe arkiva e shtetit, ia ka dhënë në ruajtje, jo ia ka dhuruar. Asnjë shkrimtar në botë nuk ia dhuron dorëshkrimin, sepse është diçka e papërfunduar dhe akoma nuk ka parë dritën e botimit, dhe nuk ka logjikë tia dhurosh. Kjo është mjaft e qartë, nuk ka pse të ndërlikohet.
Autori kërkon dorëshkrimin. Aq më tepër që është bërë me daktilografi dhe ka shënimet e autorit. Ajo që ka shumë rëndësi. Pse u kërkua? Po jua them unë:
U kërkua sepse ne kërkojmë të botojmë veprën e plotë të Kadaresë, dhe është normale të gjejmë dorëshkrimin, sepse është e drejtë legjitime e cdo autori që deri sa është gjallë të përpunojë veprën e tij artistike. U kërkua dhe nuk u gjet. U insistua që të merret një fotokopje jo në rrugë institucionale, por me të tretë, me profesorë, dhe shkrimtarë të njohur (s’është nevoja ti citoj emrat), dhe u arrit një marrëveshje mes arkivit e shtetit dhe Nexhmije Hoxhës, që në këmbim të dorëshkrimit të romanit t’i jepeshin sendet e Enver Hoxhës nga muzeu shtetëror. U duk se kjo do të kishte marrë zgjidhje dhe mund të mbetej te fotokopja, por problemi është që fotokopja nuk është e saktë. Fillon romani, deri në faqen 300- 400 më pas përzihet me përpunimin e romanit, botimin e 1978, pra nuk është kopje e saktë.
Romani ka vlerë sepse në atë roman, ku është dora e autorit ka rreshta të tërë që janë fshirë, janë retushuar. Ky libër është një minierë për studiuesit, autorin për çdo kënd, për të kuptuar se çfarë vlonte në shpirtin e shkrimtarit, i cili shkruante për njeriun më të fuqishëm në vend. Ajo është pasqyruar në dorëshkrim. Kjo është vlerë kombëtare dhe nuk mund të jetë pronë e askujt, përveç autorit i cili e jep ose jo në arkiv...
A1 Report: Ku ndodhet aktualisht shkrimtari i madh?
Bujar Hudhri:Kadare ndodhet në rezidencën e tij në Malin e Robit. Po përpunon përfundimisht librin e tij “Mosmarrëveshja” variantin përfundimtar, si dhe po interesohet të botojë arkivin e tij i cili do të jetë në kuadrin e një projekti prej 7 vëllimesh.
A1 Report: A ka njohur shitje këto ditë ““Dimri i vetmisë së madhe”
Bujar Hudhri:Po ka njohur shitje, sespe ka kaluar 40 vjet kur ky libër u botua. Ka breza që nuk e kanë njohur këtë libër dhe të rinjtë të nxitur nga ky debat ka shtuar kuriozitetin për të lexuar këtë libër.
(sg/shqiptarja.com)