Nexhmije Hoxha: Ku isha, kur rrëzuan monumentin e Enverit!

Nexhmije Hoxha: Ku isha, kur rrëzuan monumentin e Enverit!

Enveri dhe Nexhmije

Dy evenimente mbizotëruan ditën e sotme dhe emisionet e televizionit: Dita e Bajramit dhe pesë vjetori i rrëzimit të monumentit të Enverit. Për Bajramin, gratë u veshën e u lyen, kënduan e kërcyen. Ishte për to ditë feste, kurse për mua ditë zije. 20 shkurti më dyndi valë e kreshta kujtimesh nga më të hidhurat e jetës sime. Kaq shumë i kam përjetuar ngjarjet e asaj dite, ditët e netët që e pasuan e i kam shkuar nëpër mend në këto pesë vjet në vetminë e burgut, sa nuk jam e sigurt nëse i kam shkruar në letër apo i kam të shkruara e të pashlyera në kokë. Do t’i shënoj vetëm si kronikë, pa u ndalur në emocionet e mia e të njerëzve të familjes sime, se vetëm kujtimi i tyre më trondit.

Isha në zyrën time, nuk mbaj mend sa ishte ora, veçse ishte pak para drekës, kur erdhën më thanë: “Shoku Ramiz tha të shkoni në sallonin e pushimit të Byrosë Politike (ku anëtarët e saj pinin kafe në intervalet e seancave të mbledhjeve). Aty ishin: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Kiço Mustaqi, Xhelil Gjoni, Sofo Lazri e s’mbaj mend kush tjetër. Të gjithë ishim në dijeni të se ashtuquajturës grevë e urisë të studentëve, për t’i hequr emrin e Enverit, Universitetit. Hekurani rrinte me një talki-valki në dorë e në vesh e vinte e njoftonte se ç’po ngjiste jashtë. Erdhën e mjaftuan se një grup grash, me në krye të shoqen e Abdi Baletës, ishin ngulur para Presidencës e kërkonin takim me Ramiz Alinë.

Ky dha porosi t’i presë Eleni Selenica, si anëtare e Presidiumit. Kjo ishte edhe nën presidente e Bashkimit të Grave të Shqipërisë dhe Zv. Kryetare e Gjykatës së Lartë. Ato nuk pranuan të takoheshin me të dhe insistonin e kërkonin takim me Ramiz Alinë. Xhelil Gjoni tha: “Po sikur të shkonit ju, shoku Ramiz." Ramizi nuk iu përgjigj, nuk tha as po, as jo. Erdhi sekretari i ri i Partisë për Tiranën, që unë e shihja për herë të parë e nuk më bëri përshtypje të mirë, madje më çuditi me pamjen e tij aspak të shqetësuar, aspak të mobilizuar, sikur ai nuk kishte të bënte fare me gjithë ato që po ndodhnin në qytetin e Tiranës.

Raportoi me një ton të qetë që masa të mëdha qytetarësh dhe nga ndërmarrjet e Tiranës po ngjiteshin drejt sheshit të qytetit të studentëve.

“Po tani çfarë do të bëjmë?” tha Ramizi. Këtë pyetje e pasoi një heshtje, që e theu Kiço Mustaqi (atëherë Ministër i Mbrojtjes) duke nxjerrë nga xhepi një letër të palosur, që e lëmoi me pëllëmbë e tha: “Ja ku e kam tekstin e vendimit të Presidiumit të Kuvendit Popullor për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, por pa u firmosur nga Presidenti unë nuk jap asnjë urdhër e nuk marr asnjë masë”. Ramizi, si gjithnjë, i pavendosur për të marrë përgjegjësi personale, tha: “Të mbledhim përsëri Plenumin e KQ”. Natyrisht ky në fakt nuk mund të ishte veçse një Plenum i cunguar, se koha nuk priste, u tha dhe u dha porosi që të njoftoheshin anëtarët e KQ që janë në Tiranë për një mbledhje urgjente në ora 14:00. Plenumi i KQ ishte mbledhur një ditë më parë dhe, pas diskutimesh të zjarrta e kontradiktore, pranoi (nuk mund të them vendosi se nuk u votua) një formulë kompromisi që u propozua, jo pa dijeninë e Ramizit, që Universiteti të ndahej në dy degë, në atë shoqërore e teknike. Vendimi i Qeverisë qe të mos hiqej emri i Enverit. Natyrisht, unë për çështjen që po diskutohej veçse mund të heshtja, me një dhimbje e keqardhje të thellë në zemër. Dukej se po shkohej drejt lëshimit.

Në ora 14:00 në sallën e madhe të mbledhjeve të KQ kishin ardhur anëtarët e KQ që ishin në Tiranë dhe ndoshta edhe nga Durrësi, sepse mbaj mend që ishte dhe Moikom Zeqo, që ishte sekretar i Komitetit të Partisë për Durrësin, por jo anëtar i KQ. Në Presidium ishin ulur Ramiz Alia, Adil Çarçani, Xhelil Gjoni e nuk më kujtohet kush tjetër. Ramizi informoi pjesëmarrësit për gjendjen e krijuar dhe kërkoi nga to se si mund të dilej nga kjo gjendje. Nuk kish kaluar shumë nga fillimi i diskutimeve e i debatit, kur ndihmësi i Ramizit i dorëzoi këtij një copë letër, ai e lexoi vetë, pastaj na e lexoi neve: “Demonstruesit në sheshin Skënderbej kanë rrëzuar monumentin e shokut Enver." dhe e ktheu letrën përmbys mbi tavolinë, duke përplasur pëllëmbën mbi të dhe kaq. Asnjë fjalë a koment për këtë akt barbar, veçse: “Siç e shikoni, shokë, gjendja po acarohet...” me një fjalë “duhet të tërhiqemi...”(ç’u tha konkretisht në këtë moment e ç’u diskutua më pas unë nuk e di...).

Aty ku isha ulur, fillova të qaj në heshtje, me lot të nxehtë që rridhnin vetë, koka më buçiste fort nga rrahja e tëmthave. Nuk kaluan veçse disa minuta kur Ramizit i dorëzuan një njoftim të dytë, ai e lexoi dhe tha: “Monumentin po e heqin zvarrë për ta çuar të studentët në grevë...”. Unë nuk durova më dhe jo vetëm nga dhimbja, por shumë e revoltuar nga kjo farë lloj mbledhje forumi, gjoja kolegjial, mblodha shënimet, i futa në çantë, u ngrita e pa marrë leje, dola nga salla. Jam penduar shumë që, para se të largohesha, nuk iu drejtova Ramizit e t’i thosha: “Çfarë bëhet kështu, shoku Ramiz, në rrugë po heqin zvarrë monumentin e udhëheqësit tonë, Enver Hoxhës, për t’ua çuar “kurban” studentëve gjoja në grevë urie e ne rrimë diskutojmë këtu si t’i kënaqim ata duke hequr dhe emrin e Universitetit që ai ngriti...”. Po ndoshta nuk do të arrija t’ia thosha gjithë këto, sepse isha shumë e ngashëryer. Kur dola nga dera e kalova gjithë korridorin e deri te ashensori, punonjës të aparatit, shokë e shoqe, oficerët shoqërues të sigurimit, më përqafonin, më hidhnin dorën në sup, por unë as u ndala, as fola, vazhdova rrugën me kokën lart. Kur dola nga dera e madhe, njëri nga oficerët e shërbimit donte të më shoqëronte deri në shtëpi, por unë e falënderova e shkova vetë, në këmbë, në shtëpi që, siç dihet, nuk ishte larg.

Sa u futa brenda më dolën përpara fëmijët e mi e njerëzit e familjes e më përqafuan. Kur vdiq Enveri ata qanin, unë jo, isha e ngurtësuar e s’doja ta jepja veten, kurse tani ata nuk qanin, kurse unë shpërtheva, pa e përmbajtur veten as në lot, as në fjalë, gjer edhe duke bërtitur: “Jo, jo! Kjo nuk duhej të ndodhte! Kjo nuk duhej lejuar!”. Se çfarë kam thënë të tjera as nuk i mbaj mend e as nuk dua t’i shënoj. Veçse duhet të them që, atë ditë, me përmbysjen e monumentit dhe egërsinë që po silleshin turmat e ndezura nga forcat e errëta, të brendshme e të jashtme, realizova se edhe në vendin tonë u ça diga e sistemit socialist, duke humbur dhe çdo iluzion e shpresë për të ruajtur fitoret e arritura me aq gjak e djersë nga populli, nën udhëheqjen e Partisë sonë të Punës.

Cilat qenë mendimet dhe iluzionet e mia mbi çfarë po ngjiste në vendin tonë, cila është përgjegjësia e udhëheqësit kryesor të Partisë e shtetit tonë, Ramiz Alisë, e Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror dhe imja personale, si anëtare nga më të vjetrat të këtij, do të analizohen në një kapitull të veçantë. Këtu do të vazhdoj kronikën e ngjarjeve që ndodhën pas 20 shkurtit (1991) jo në gjithë vendin, por më shumë lidhur me familjen e veten time.

U ngrys ajo ditë e përzishme dhe askush nuk më erdhi, askush nuk më mori në telefon, asnjë nga anëtarët e Byrosë Politike a sekretarë të KQ, asnjë nga shoqet më të ngushta. Unë tashmë e kisha mbledhur veten plotësisht. Nga kjo braktisje e panik i shokëve e shoqeve më të afërm, më mbeti veç një shije neverie dhe e ndjeva se më duhej të notoja vetëm në dallgët e këtij vërshimi kundërrevolucionar e antikomunist, të mbaja e të shpëtoja familjen time, fëmijët e mi e të vegjlit e tyre, që nuk mu ndanë, që pa shumë fjalë, më shumë me sjelljen e tyre, donin të më tregonin që s’ishin fare të frikësuar.

Atë natë, bashkë me dy djemtë dhe një nga oficerët e brendshëm që ndihmonte edhe Enverin në lëvizjet e mbartjen e dosjeve, iu vumë seleksionimit të arkivit familjar, atij të Enverit e timit, duke ndarë veç ato që ishin origjinale e në dorëshkrim, nga ato të daktilografuara a të fotokopjuara. Punuam kështu deri në 4 të mëngjesit. Kur u hapën zyrat, menjëherë pas orës 7, oficeri në fjalë i çoi në KQ gjithë dosjet kryesore që seleksionuam, si dorëshkrime etj., të cilat i depozitoi për ruajtje e në siguri. Për mua, tashmë ishte fare e qartë që do të largohesha jo vetëm nga shtëpia e madhe, por edhe nga shtëpia e vogël, ku banuam për 30 vjet, pas çlirimit, të cilën, me vendim të firmosur nga Kryeministri Adil Çarçani, ma linin mua për banim, kurse fëmijët ishin në kërkim të apartamenteve për strehimin e tyre.

Prandaj gjithë mëngjesin u mora me sirtarët, librat e sendet e tjera të mia.

Banda huliganësh rrethojnë shtëpinë

Afër drekës, oficeri dezhurn, më njoftoi se po flitej që në drejtim të shtëpisë po vinë banda nga ato që djegin e shkatërrojnë. Unë kisha dëgjuar për kërcënimet e bandave të Azem Hajdarit dhe PD-istëve të ekzaltuar të Kavajës që bërtisnin e shkruanin mureve të qyteteve: “Për shkatërrimin e çerdhes së familjes së Enver Hoxhës”, “familja Hoxha në burg”, “Nexhmije Hoxha në litar”, por nuk ma merrte mendja se puna mund të arrinte vërtetë në këtë pikë. Duke ruajtur gjakftohtësinë, i thashë oficerit të lajmërojë prindërit e të vegjëlve, djemtë etj., që të vinin në shtëpi sa më parë. Me të ardhur, u thashë: “Merrni fëmijët tuaj dhe shkoni në familjet e krushqve dhe në qoftë se nuk jeni as aty të qetë, mund të ngjiteni në ndonjë familje të mirë po në atë shkallë”. Dhe ata u larguan nga shtëpia duke i shtrirë fëmijët në fundin e gazit. Kurse unë zbrita për të biseduar me kunatën time, Sanon. Aty gjeta mbesën e Enverit, Kanerinën, e cila qe martuar me një aviator, që në këtë kohë, megjithëse akoma i ri, kishte dalë në pension për arsye shëndetësore. Ishte 14 vjeç kur kishte dalë partizan. I them: “Shko thuaji E. (të shoqit) a pranon të strehohemi te ju për ndonjë ditë, unë e Sanoja”. Sa iku ajo, gjendja precipitoi. Vjen oficeri i rojës dhe më thotë: “Shoqja Nexhmije, duhet të largoheni nga shtëpia se te kryqi i rrugës janë grumbulluar disa huliganë, me thasë në krahë (si duket për të grabitur ç’mund të grabisnin) dhe bërtasin “do ta djegim shtëpinë e Enver Hoxhës”. Te hyrja e shtëpisë shtoi ai: “Ka ardhur një autoblindë e gardës, me ... filanin, që t’ju dërgojë diku jashtë qytetit...”.

“Jeni në vete – i thashë – unë të hipi e të largohem me autoblindë...!!! Jo! Kurrë!”. Unë, tani që kisha larguar fëmijët, për vete nuk kisha më frikë. Kthehem te kunata e i them: “Vishu shpejt se do shkojmë te shtëpia e Partisë” (kjo shtëpi ishte vetëm disa hapa larg shtëpisë sonë, përpara kishte zyrat e KQ të Partisë e në krah shtëpinë e Presidentit Ramiz Alia). Mendova: “Në qoftë se ka ardhur puna që as aty të mos jesh e sigurt, në dreq të vejë...!”.

Këtu po shtoj vetë atë që u kam thënë katër oficerëve të shërbimit brenda shtëpisë, që erdhën vullnetarisht të armatosur në mbrojtje të shtëpisë, që fëmijët dhe ndonjë nga oficerët e kanë shkruar në kujtimet e tyre: “Në asnjë mënyrë nuk duhet të derdhet gjak në shtëpinë e Enver Hoxhës. Lërini ta djegin!”.

Dolëm nga porta anësore dhe hymë në shtëpinë e Partisë. Ndërkohë banditët i qenë afruar shtëpisë me thirrje të egërsish, por një breshëri-qitje në ajër – nga autoblinda, që kish rrëzuar përdhe gjethet e drurëve të blirit të rrugës, i kish vënë në ikje me vrap huliganët e paguar, që panë se nuk ishin plumba gome, si ato të policisë së Hekuran Isait dhe nuk ishin të vendosur të linin kokën në këtë aventurë të shëmtuar. Siç më thanë oficerët e shërbimit të brendshëm të shtëpisë, të katërt, jashtë turneve të tyre, kishin ardhur menjëherë në krye të detyrës dhe të armatosur me automatikët e tyre, do ta mbronin shtëpinë, po të guxonin banditët të hynin brenda. Gjithashtu shoku ... filan, Shefi i Gardës nuk kish marrë asnjë urdhër nga lart, por kishte ardhur me iniciativën e tij dhe kishte thënë se “kjo bënte pjesë në detyrat e Gardës... ç’ndryshim ka nëse ky kërcënim nuk vjen nga jashtë, por nga brenda?”.

Ky ushtarak trim e besnik i betimit që kishte bërë për mbrojtjen e Republikës e të Socializmit, me mençurinë e tij, ai e dinte se përpara tij nuk kishte kundërshtarë idealistë, të vendosur për të derdhur edhe gjakun e tyre, por banda hajdutësh e vrasësish të lëshuar si qentë e tërbuar nga hekurat e burgjeve, prandaj mjaftonte një a dy breshëri në ajër dhe evitohej një akt barbar dhe skandal, i turpshëm për shtetin tonë socialist. Po pse, a nuk mund të veprohej po kështu edhe me Monumentin e Enverit, i cili ishte i mbrojtur edhe me ligj? Pse u lanë autoblindat a tanket, (nuk e di sa ishin, dy a tre) të fshehur pas Muzeut Historik dhe nuk u lejuan ato të vendoseshin anash e përpara monumentit dhe me prezencën e tyre t’u thoshin turmës së grumbulluar në Sheshin Skënderbeg: “Këtu mos guxoni të vini dorë mbi të se është një akt barbar, që mbrohet e dënohet me ligj”. A nuk do të ishte një vendim më i mençur që t’u jepej urdhër drejtuesve të këtyre mjeteve që “në asnjë mënyrë të mos qëllonin mbi turmën a grup personash të veçantë në veprim, por veç të qëllonin në ajër për “intimidim”, frikësim./ dritare.net

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë