BULQIZE - Një fëmijë 8-vjeçar humbi jetën pasditen e sotme pasi u përplas për vdekje nga një automjet.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:10 në segmentin "Rruga e Arbërit" në Bulqizë.

Vogëlushi po kalonte në anën tjetër të rrugës që lidh qytetin e ri me qytetin e vjetër, kur u përplas nga një makinë tip Audi me targa AA 747 ER.

Drejtuesi i mjetit, Ergys Balliu u shoqërua në ambientet e komisariatit të Bulqizës, ndërsa trupi i pajetë i 8-vjeçarit Shkëlqim Keta u dërgua në morgun e qytetit të Bulqizës.

Ngjarjet aksidentale i kanë marrë jetën edhe dy personave të tjerë vetëm gjatë kësaj të shtune. Një 60-vjeçar nga qyteti i Fierit ndërroi jetë mëngjesin e sotëm pasi u përplas nga një furgon në vendin e quajtur Kthesa e Patosit. Viktima e dytë u shënua në rrugën e Kombit ku dalja nga rruga e një autoboti nafte rezultoi fatale për drejtuesin, një 45-vjeçar nga Kosova.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)