Një javë nga gjetja e tyre të vdekur në hotel ‘Gloria’ në Kavajë, trupat e 4 turistëve rus që u gjetën të janë tërhequr ditën e sotme nga morgu i Tiranës. Ka qenë djali i familje, Aleksandër Burenkov, i cili ka tërhequr trupat e prindërve të tij Nataliia Burenkova, 58 vjeçe dhe Sergei Burenkova, 60 vjeç, si dhe të motrës Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe dhe partnerit të saj Nikita Belousov, 37 vjeç.

Në një reagim në mediat sociale, ambada Ruse thotë se sipas legjislacionit rus, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre.

Vdekja e tyre vijon që të mbetet mister, ndërkohë që hetimi për zbulimin e shkaqeve që çuan në humbjen e jetës së tyre po vijojnë. Një prej personave që ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me viktimat, guida që i shoqëronte ukrainasja Maria Buchakchyiska ka hedhur poshtë mundësinë se mund të jenë helmuar me ushqimin. Ajo ka zbuluar me detaje itinerarin që kanë ndjekur, si edhe ka rrëfyer se për asnjë moment nuk ka parë shqetësim nga ana e viktimave.

Dyshime janë hedhur edhe nëse vdekja e tyre mund të ketë ardhur nga sasia e tepërt e klorit në ujin e pishinës. Mirëpo, punonjësi për hetuesit tha se ai ka bërë pastrimin si çdo ditë dhe pishinës i ka hedhur vetëm një gotë me klor.

Grupi hetimor ka marrë edhe pamjet filmike nga kamerat e sigurisë, ku nga sa thuhet në dosje 'deri në momentin e futjes në ambientet e SPA-së turistët kanë qenë në gjendje të rregullt fizike’.

7 ditë pas vdekjes së rusëve që policia fillimisht tha se u asfiksuan brenda saunës, u përfol për përdorim të lëndëve narkotike dhe alkolit, apo edhe helmimit me agjentë biologjikë, humbja e familjes që erdhën të pushojnë në Shqipëri, është ende një ekuacion i pazbërthyer, në pritje të shkakut zyrtar të vdekjes që mund të nxjerrin ekspertët mjeko-ligjore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:15
Vdekja e 4 turistëve, ambasada ruse: Do kryejmë ekspertizë mjeko-ligjore në Rusi

Ambasada ruse thotë se në Rusi do të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes 4 turistëve rusë në Qerret të Kavajës.

‘Në mëngjesin e hershëm të 22 tetorit trupat e pajetë të shtetasve rusë, të cilët humbën jetën në 15 tetor në territorin e Republikës së Shqipërisë, u nisën në Rusi me një fluturim të rregullt.

Sipas legjislacionit rus, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre.

Shpresojmë në marrjen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare, si edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë të organeve ligjzbatuese ruse dhe shqiptare për sqarimin e rrethanave të tragjedisë.’- njofton ambasada ruse.