Lajmi i ndarjes nga jeta të Flavio Mankollari, një 16-vjeçari, një nxënësi ekselent, i cili edhe pse luftoi për jetën për 15 ditë, nuk mund t’ia dilte, hidhëroi të afërmit, miqtë e shumë njerëz.
Gjimnazi “Qemal Stafa”, ku Flavio studionte ka shprehur ngushëllime për vdekjen e 16-vjeçarit. Në një mesazh tepër të ndjerë në rrjetet sociale, mësuesit shkruajnë se Flavio ishte nxënës i dalluar dhe kishte përfunduar vitin e parë me të gjitha 10-ta.
“Shumë lot sot në shkollën tonë nga nxënës e mësues, kësaj here jo lot gëzimi por lot trishtimi, për një humbje të parakohshme.
Me keqardhje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të një nxënësi të shkëlqyer ekselent i cili ne, shokëve dhe shoqërisë do të na mungojë shumë Flavio Mankollari, si pasojë e një aksidenti automobilistik …
Një nxënës ekselent, një fëmijë i kompletuar, një yll djalë i cili i dha dhe kishte shumë për ti dhënë shoqërisë. Një nxënës që mbylli me 10.0 klasën e 10-të, i cili do të shijonte bursën e ekselencës si një qemals sivjet dhe që gjatë gjithë jetës së tij shkollore nuk njeh një notë 9-të të marrë dhe vetëm sjellje shembullore dhe një zë i ëmbël, i fuqishëm në jetën shkollore, promovues i vlerave dhe virtyteve njerëzore!
Të duam shumë Flavio, do të të kujtojmë gjithmonë me mall në çdo moment të bukur të jetuar për këto kohë që kaluam bashkë! U prehsh në paqe yll i bukur!”, thuhet në postim.
Flavio Mankollari humbi jetën jetën në spital, 15 ditë pas aksidentit të rëndë që ndodhi në rrugën e Patokut në Kurbin, ku dy mjete u përplasën me njëra-tjetrën, ndërsa 4 persona mbetën të plagosur.
Komente











