Shqiptari Pano Ruçi njoftoi vendimin e tij për t’u rikthyer çdo ditë në Sheshin Syntagma dhe në Monumentin e Ushtarit të Panjohur, në qendër të Athinës në Greqi, për të kujtuar djalin e tij, Denisin dhe viktimat e tjera të aksidentit hekurudhor të Tempit. Ai do të qëndrojë në vendin ku është shkruar me bojë të kuqe emri i djalit të tij dhe i të gjithë fëmijëve që humbën jetën në mënyrë të pafajshme në atë aksident tragjik.

Njëkohësisht, Pano Ruçi u bëri thirrje atyre që e mbështetën gjatë kësaj kohe, që të vazhdojnë të jenë pranë tij çdo natë, për të nderuar emrat e viktimave dhe për të mbajtur gjallë kujtimin e tyre.

“Nga sot, që tani e tutje, do të jem në Sintagmë çdo natë, pikërisht në vendin ku ishte shkruar me bojë të kuqe emri i fëmijës tim dhe i të gjithë fëmijëve të tjerë”, shprehet ai ndër të tjera.

Aktualisht drejtësia ka pranuar kërkesat e tij për zhvarrosje, autopsi të trupit të të birit dhe analiza ADN-je, pasi ai pretendon se në arkëmort nuk ndodhet trupi i 22-vjeçarit dhe kërkon të dijë shkakun real të vdekjes.

Hetimet zbuluan se aksidenti ndodhi për shkak të një gabimi njerëzor dhe problemeve të thella në sistemin hekurudhor. Përgjegjësia kryesore i ra shefit të stacionit të Larisës, i cili pranoi se kishte drejtuar trenin e pasagjerëve në të njëjtin shinat me trenin e mallrave.

Ngjarja shkaktoi zemërim të madh në Greqi, me protesta të shumta kundër neglizhencës shtetërore për sigurinë hekurudhore. Ministri i Transportit dha dorëheqjen, dhe qeveria u zotua të përmirësojë sistemin e transportit hekurudhor. Ky aksident sipas raportimeve të mediave greke nxori në pah mungesën e sistemit automatik të sinjalizimit dhe menaxhimit të trafikut në hekurudhat greke, duke çuar në një debat të gjerë mbi nevojën për modernizimin e infrastrukturës.