Mahfooz, mësuesja në shkollën publike ushtarake për femra në Peshawar të Pakistanit, humbi të birin e saj 14-vjeçar Ahmad Elahi, në tragjedinë e së martës kur militantët talebanë sulmuan shkollën ushtarake duke vrarë rreth 148 persona, kryesisht nxënës, raporton Anadolu Agency.
Militantët sulmuan shkollën gjatë përgatitjeve të ceremonisë së diplomimit, ndërsa siç raportohet e dogjën gjallë një mësuese. Talebanët kanë thënë se sulmi është një hakmarrje ndaj sulmeve gjashtë mujore të ushtrisë në Viziristanin verior.
Mahfooz thotë se nuk dëshiron të kthehet në shkollën ku ndodhej kur një kolegë i saj i tregoi lajmin tragjik, duke i këshilluar edhe prindërit e tjerë t'i mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi. "Kam menduar se ky do të ishte një sulm i zakonshëm dhe se ushtria pakistaneze do ta mbante në kontroll, kështu që qëndrova në shkollën time", thotë ajo.
Një orë më pas, kur kanë filluar të raportojnë për numrin e viktimave, Mahfooz filloi të shqetësohej. "Kisha frikë dhe i kërkova kolegut tim të më zëvendësonte pasi kam dashur të shkoj në vendin e ngjarjes ku dy bijtë e mi Ahmad dhe Mohammad vijonin mësimin", thotë Mahfooz, duke shtuar se pasi ka mbërritur në shkollë dëgjoi të shtëna armësh dhe shpërthime.
Ajo morri një telefonatë nga djali i saj më i ri, të cilin e gjeti në tokë përballë ndërtesës së shkollës. Ata pritën për dy orë për Ahmadin dhe më pas u këshillua të shkonte në Spitalin e kombinuar ushtarak ku ishin dërguar shumë të plagosur dhe të vrarë.
"Në listën e të plagosurve nuk ishte emri i birit tim. I kërkova një ushtari të më tregojë listën e të vrarëve. Emri i birit tim ishte në fund të listës. Teksa i lexonte emrat zemra më ishte copëtuar kur në një moment ai e lexoi emrin e birit tim", tregon Mahfooz për atë që e përjetoi duke theksuar në atë çast e ka humbur vëmendjen.
- "Ajo nuk ishte vetëm mësuesja jonë, por edhe nëna, engjëlli jonë mbrojtës"
Tahira Qazi ishte drejtoresha e shkollës. Kur sulmuesit taleban e sulmuan shkollën ajo duke i mbrojtur nxënësit e saj e sakrifikoi jetën. Trupi i Qazi-s ishte gjetur pas një kërkimi të gjatë. Familjarët e saj në fillim nuk kanë mundur ta njohin trupin e saj në mesin të vdekurve, por e kanë njohur nga stolitë që mbante. Nëna e katër fëmijëve, e cila vjen nga një familje ushtarake, në vitin 2012 u nderua me çmimin "drejtoresha më e mirë".
Sipas zyrtarëve të Forcës së sigurisë ajo ia doli të shpëtojë, por institoi se nuk mund ti lë fëmijët vetëm. "Nuk e dimë as se si arriti fshehurazi të kthehet për t'iu ardhur në ndihmë fëmijëve, pa qenë e vetëdijshme se ndoshta këtë herë nuk do të dalë e gjallë", theksoi një zyrtar duke shtuar se trupi i saj u varros në varrezat e fshatit të saj.
Një nga nxënësit e saj, Mehran, tha se ishin mbledhur në sallën e auditoriumit në shkollë kur dëgjuan të shtëna armësh. "Ne u shqetësuam dhe e pyetëm mësuesen se çfarë është duke ndodhur, por na thanë që mos të shqetësohemi sepse është zhurma e thyerjes së xhamit dhe pastaj e mbylli derën. Por brenda një kohe të shkurtër u shfaq një i ri dhe filloi të hapë zjarr në drejtim të fëmijëve", tregon Mehran i cili po ashtu është plagosur në krah dhe në shpinë teksa ishte duke ikur.
"Nuk më kujtohet se çfarë ndodhi pastaj, e humba vetëdijen. Vetëm më kujtohet se i hapa sytë kur isha në spital", tregon Mehran duke qarë dhe duke treguar se kur të rritet do të hakmerret për humbjen e shokëve të tij.
Një tjerët nxënës i plagosur, Irfanullah tha se mësuesja e tij 24-vjeçare, Afshaan Ahmed, e cila ju rezistoi militantëve dhe kërkoi nga nxënësit e saj të ikin për të shpëtuar. "Militantët e zemëruar ashpër e kanë derdhur benzinë mbi mësuesen dhe e dogjën për së gjalli. Ajo nuk u gjunjëzua para kërcënimeve të militantëve duke përsëritur se nuk do t'ju lejojë t'i vriten fëmijët para syve të saj", theksoi ky nxënës i tmerruar nga ajo çfarë ka parë duke përsëritur se ajo nuk ishte vetëm mësuesja e tyre por nëna, engjëlli i tyre mbrojtës.
Pasi ka përfunduar hetimi dhe pastrimi i zonës në shkollën ushtarake në Peshawar të Pakistanit ju është lejuar gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile hyrja në ndërtesën ku ndodhi tragjedia e cila tronditi opinionin publik botëror dhe ku nga sulmet e terroristëve talebanë humbën jetën së paku 148 persona dhe mbi 140 janë plagosur.
Autoritete pakistaneze reaguan menjëherë, duke e kthyer në fuqi ligjin për dënim me vdekje për ata që janë përgjegjës për sulmin terrorist. Ndërkohë që policia vendase njoftoi se ka arrestuar dy të dyshuar për planifikimin e sulmeve.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)