Kryeministri hungarez në largim, Viktor Orban, ka deklaruar se nuk do të zërë vendin e tij në Parlamentin e ri, pas humbjes dërrmuese në zgjedhje.

Sipas mediave të huaja, Orban pretendon ta ketë marrë këtë vendim, pasi do të përqëndrohet në riorganizimin e ‘lëvizjes patriotike’ të vendit.

Të shtunën, përmes një video-deklarate të shpërndarë, Orban tha se mandati parlamentar që ai fitoi si kreu i listës Fidesz-KDNP “është në fakt mandati parlamentar i Fidesz” dhe se për këtë arsye ai ka vendosur ta “kthejë atë”.

“Tani nuk më nevojitet parlamenti, por riorganizimi i lëvizjes patriotike”, tha mes të tjerash Orban.

Ky veprim vjen më pak se dy javë pasi partia Fidesz e Orbanit, e cila dominonte prej kohësh, u mposht në zgjedhje nga partia Tisza e Peter Magyar, e cila fitoi 141 nga 199 vendet në zgjedhjet parlamentare të Hungarisë më 12 prill.