E ardhmja e Alvaro Arbeloas në stolin e Real Madridit është vënë seriozisht në pikëpyetje pas humbjes 0-1 në shtëpi ndaj Getafes. Ky rezultat shënon dështimin e dytë radhazi për madrilenët në La Liga, pas humbjes së mëparshme kundër Osasunës.

Si pasojë, diferenca me kryesuesit e Barcelonës ka shkuar në katër pikë, duke shtuar presionin mbi teknikun 43-vjeçar.

Sipas të përditshmes prestigjioze 'Marca', muaji mars do të jetë vendimtar për fatin e Arbeloas. Tifozët në 'Bernabeu' kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre, me një pjesë të publikut që u largua para përfundimit të ndeshjes së fundit, ndërsa të tjerë kërkuan ndryshime në drejtimin e klubit.

Sfida e radhës nuk premton qetësi, kjo pasi Real Madridi do të përballet në derbi me Atletico Madridin, ndërsa më pas e pret përballja e dyfishtë në Champions League kundër Manchester City.