Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka dhënë një përgjigje të fortë ndaj kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për të ndalur tregtinë me Spanjën, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj luftës dhe asaj që e quajti “shkelje e së drejtës ndërkombëtare”.

Në një fjalim 10-minutësh, Sánchez bëri një reflektim mbi luftërat në Ukrainë dhe Gazë, si dhe mbi Luftën e Irakut mbi 20 vjet më parë, duke thënë se “s’do të përsërisim gabimet e së shkuarës” dhe se “qëndrimi i qeverisë mund të përmblidhet me dy fjalë: Jo luftës”.

Në fjalimin e tij të transmetuar nga rezidenca e kryeministrit në La Moncloa, Sánchez theksoi se një “paligjshmëri” nuk mund të pasohej me një tjetër.

Ai foli për “katastrofën” e luftës në Lindjen e Mesme, dy ditë pas apelit të tij për të dy palët që të tërhiqeshin nga konflikti dhe të respektonin të drejtën ndërkombëtare.

“Bota, Europa dhe Spanja e kanë përjetuar këtë tashmë 23 vjet më parë, kur një administratë tjetër amerikane na tërhoqi në një luftë në Lindjen e Mesme, një luftë që në teori, sipas asaj që u deklarua atëherë, kishte për qëllim eliminimin e armëve të shkatërrimit në masë të Saddam Husseinit, sjelljen e demokracisë dhe garantimin e sigurisë globale, por që në realitet prodhoi efektin e kundërt, duke shkaktuar valën më të madhe të pasigurisë që ka përjetuar kontinenti ynë që nga rënia e murit të Berlinit”, theksoi kryeministri, duke shtuar se lufta në Irak “ka sjellë një rritje drastike të terrorizmit xhihadist, një krizë të rëndë migracioni në Mesdheun lindor dhe një rritje të përgjithshme të çmimeve të energjisë dhe kostos së jetesës”, tha Sánchez.

Trump kërcënoi të vendoste një embargo të plotë tregtare ndaj Spanjës si përgjigje ndaj refuzimit të Madridit për të lejuar SHBA-të të përdornin bazat e përbashkëta në Morón dhe Rota për sulme ndaj Iranit.

“Spanja është treguar e tmerrshme,” tha Trump gjatë një takimi me Kancelarin gjerman Friedrich Merz të martën. “Ne do të ndërpresim të gjithë tregtinë me Spanjën. Nuk duam të kemi të bëjmë me Spanjën,” shtoi ai.

Merz tha më vonë se i kishte thënë qartë Trumpit se ai nuk mund të nënshkruante një marrëveshje të veçantë me Gjermaninë ose me gjithë Europën, por jo me Spanjën.

Trump gjithashtu ka akuzuar Spanjën si një “partner të tmerrshëm” në NATO, për shkak se nuk ka rritur buxhetin e mbrojtjes në përputhje me objektivin prej 5% të prodhimit ekonomik (PBB-së).