Pasi fituan 1-3 kundër Cagliarit në transfertë, Milani i Stefano Piolit luan nesër në 18:00 me Lazion në "San Siro" për javën e shtatë në Serie A. Para ndeshjes për mediet foli edhe trajneri i kuqezinjve, që ka besim te forma e Rafael Leaos dhe 'shkundja nga humbja në derbi'. Për të Juventusi është një nga favoritët për të fituar titullin kampion.
"Miqësore të rëndësishme në verë? Duhej t’i luanim këto lloj ndeshjesh, na mësuan shumë. Disa ndeshje të nivelit të lartë kërkojnë përqendrim të lartë dhe ne do të duhet të bëjmë të njëjtën gjë kundër Lazios nesër. Ne ndihemi mirë dhe duam të jemi konkurrentë. Gjithsesi, nesër është ndeshja e rëndësishme, në të cilën duhet të përqendrohemi. Të gjitha situatat i kemi përjetuar me ekuilibër. Përvoja e keqe e derbit ishte një fillim i ri, nga i cili do të mësojmë sërish. Sot për sot nuk jemi perfektë, por duhet të bëjmë paraqitjen më të mirë për të fituar", tha Pioli.
Më pas trajneri foli edhe për sulmuesin Leao, që u kritikua shumë për një rast të humbur në derbi.
"Nëse dikush gabon në një pasim, ai nuk e merr domosdoshmërisht lehtë kundërshtarin e tij. Megjithatë, nga dikush si Leao duhet të presësh që të bëjë gjithnjë e më pak gabime. Ne jemi vetëm në fillim të rrugëtimit dhe ngjitjes sonë. Do të ketë ende shumë ndeshje për t’u përballur dhe vështirësi për t’i kapërcyer. Jam i bindur për cilësinë dhe qëndrimet e lojtarëve të mi. Ajo që po shoh është pozitive, por duhet të ecim përpara me forcë, bujari dhe vëmendje", vijoi trajneri.
Për Piolin skuadra e Juventusit është mes rivalëve që do synojë të shkojë te titulli kampion në Serie A.
"Statistikat janë pjesë e së shkuarës dhe nuk do të merremi me to. Në fund të majit do të shohim se kush është skuadra më e fortë, por unë shoh favorite Juventusin, që nuk ka aktivitete të tjera dhe do të përqëndrojë të gjithë forcën te kampionati", tha trajneri i Milanit mes të tjerash.