Humori shqiptar në zi! Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare mjeshtri i madh i skenës Gëzim Kruja. Ai u shua sot paradite, ndërsa lajmi është konfirmuar nga familja. Gjendja e tij ka qenë e rënduar, ndërsa kohët e fundit e kishte të pamundur të fliste për shkak të sëmundjes. Dalja e tij e fundit për mediat ishte në festën e 80-vjetorit të lindjes në dhjetor të vitit të kaluar, që miqtë e teatrit i organizuan. Vepra e fundit që ngjiti në skenë Gëzim Krujën ishte në vitin 2018. 

Edhe pse ai i dha shumë artit dhe buzëqeshje në çdo shtëpi, fatkeqësisht koronavirusi i pengon shqiptarët, specivikisht shkodranët, që t'i japin lumtumirën ashtu siç Kruja e meriton. Aktori i njohur do të përcillet në banesën e fundit vetëm nga familja e tij, për shkak të masave të rrepta të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Humoristi shkodran lindi në 4 dhjetor 1939. Gëzim Kruja karrierën humoristike e nisi që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me estradën amatore nisën që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdoi aktivizimin në vitin 1960 me estradën profesioniste të Shkodrës. Gëzim Kruja mbaroi në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër.

Ai kaloi një jetë në skenën shkodrane të humorit, ku spikati me rolet e tij të shumta. Gëzim Kruja shkroi 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor, ndërsa interpretoi mbi një mijë role në skeçe të ndryshme në 52 vite. Në vitin 2004 mori titullin “Krenaria e Qytetit”, ndërsa një vit më pas “Naim Frashëri i Artë” dhe në 2010 “Mjeshtër i Madh”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:18
Shuhet humoristi Gëzim Kruja, Basha: Na fali buzëqeshjen në kohë të vështira

1585745600_Basha.JPG

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit të humorit Gëzim Kruja. Basha tha se Kruja u fali buzëqeshje popullit në ditë të vështira dhe nuk do të harrohet kurrë nga shqiptarët.

'Me hidhërim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Gëzim Krujës, artistit të madh shkodran të humorit që na fali buzëqeshje në ditë të vështira, e sot me dhimbje duhet t'i themi lamtumirë. Njerëz si ai mbesin përjetë mes nesh me dhuntinë për të na vënë buzagaz e për të parë më të mirën edhe në kohë vështirësish e sprovash. Ngushëllime familjes Kruja, miqve dhe kolegëve të tij artistë. U prehtë në paqe!", shkruan Basha

Ora 13:30
Hera e fundit në skenë e Gëzim Krujës, regjisori: Iku nga froni një perëndi

Për aktorin dhe regjisorin Bruno Shllaku, Gëzim Kruja ishte një perëndi. "Është një datë e keqe për humorin mbarë shqiptar. Ikën nga froni një perëndi, që për dekada me radhë dha atë që vështirë mund ta kishin dhënë të tjerët. Ai ngelet një shkollë e madhe, një virtyt, një dashuri për publikun dhe artin. Ai fron do të mbetet për shumë vite i pazëvendësueshëm për shumë vite. Ai ishte një personazh i dashur që nga fëmijët në kopshte deri te pensionistët që ishin në orët e fundit dhe që qeshnin me humorin e Gëzim Krujës. Unë kam pasur privilegj të punoj me Gëzimin në disa komedi. Gjithmonë merrja çmime kur Gëzim Kruja ishte në role". Shllaku kujton edhe vitin 2018 kur me regji të tij Kruja u ngjit në skenë për herë të fundit. "Nuk më kishte shkuar në mendje kurrë, por jeta kjo është. Ai e mbylli, e finalizoi jetën. Ai e mbylli përballë shkodranëve si radhë herë me duartrokitje sikur donte të thoshte se....' tha ai.

Ora 13:19
Shuhet Gëzim Kruja, Meta: U duartrokit nga shumë breza, do mbetet në memorie

Lajm trishtues e cilëson Presidenti Ilir Meta ndarjen nga jeta të aktorit të madh Gëzim Kruja.  "Ndarja nga jeta e Mjeshtrit të Madh të skenës dhe humorit, Gëzim Kruja është një lajm trishtues. Me talentin e spikatur, Gëzim Kruja do të mbahet mend si një prej figurave më të dashura të artit shqiptar, që falë personazheve karakteristike të interpretuara mjeshtërisht u duartrokit nga shumë breza, duke lënë pas një trashëgimi të vyer artistike. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kruja, të afërmve, të gjithë artdashësve dhe qytetarëve të mrekullueshëm të Shkodrës, për këtë humbje të pazëvendësueshme' shkruan Ilir Meta.

Ora 13:16
Zyliha Miloti: Gëzim Kruja humbje e madhe! Po na ikën artistët...S'e meriton mos i japim lamtumirën

Aktorja e mirënjohur nga Shkodra Zyliha Miloti, një nga bashkëpunëtoret e Gëzim Krujës shpreh trishtimin për largimin e tij nga jeta. Në një lidhje telefonike për Report Tv, aktorja thotë se po ikën një brez i mrekullueshëm. "Sapo morëm vesh humbjen e një artisti të madh, jo vetëm shkodran, por të gjithë Shqipërisë. Nuk ka pak minuta që fola me djalin e Gëzimit, është një humbje e madhe. Deri para një viti ka qenë i fortë, por humbje e madhe. Unë desha të ngushëlloj edhe familjet e tjera që kanë humbur të afërmit, situata është e vështirë. Por kjo e Gëzimit na ka prekur të gjithëve, më vjen keq, sepse nuk e meritonte, pasi do të ishte përcjellë me ceremoni të madhe nga të gjithë. Më vjen shumë keq.

Kohët e fundit po më thoshte i vëllai se nuk ka mundësi me ngrënë dhe pak a shumë e kemi pritur. Po na ikën artistët me radhë, një brez i mrekullueshëm. Por Gëzimi ka qenë njeri i mrekullueshëm. Nuk mund të komunikonte, por vetëm me të shkruar dicka. Gëzimi mendonte se në 80-vjetor të bënte edhe një recital, e kishte me qejf por nuk iu realizua. Gëzimi nuk ka qenë vetëm aktor, por edhe ka shkruar shumë bukur. Na vjen keq se nuk mund të marrim pjesë në përcjelljen e tij, ky është kulmi, nuk e ka merituar këtë gjë, por cfarë të bëjmë' tha ajo.

Ora 12:54
Ikja pa lamtumirë e Gëzim Krujës

Qytetarët e Shkodrës nuk do të kenë mundësi që të përcjellin Gëzim Krujën për në banesën e fundit sikur e meriton. Lamtumira dhe duartrokitja e fundit do të jetë e pamundur për shkak të koronavirusit dhe situatës që është krijuar, ku ndalohen grumbullimet. Në ceremoninë e varrimit të mjeshtrit të madh do të jetë vetëm familja.

Ora 12:53
Shuhet Gëzim Kruja! 'Teatri Migjeni': Lamtumirë Mjeshtër!

Institucioni i teatrit "Migjeni" në Shkodër, ku Gëzim Kruja ngjiti në skenë qindra role shkruan se mjeshtri do të jetë i përhershëm në skenën e shtëpisë së tij të dytë. "Lamtumirë Mjeshtër! Përulje dhe respekt për kontributin tuaj! Mjeshtri Gëzim Kruja do të jetë i përhershëm në skenën e shtëpisë së tij të dytë. Ngushëllime familjes Kruja nga kolegët dhe gjithë kolektivi i teatrit "Migjeni" shkruhet në postimin e faqes zyrtare.

Ora 12:45
Aktorja shkodrane për Report Tv: Zemra e mjeshtrit pushoi, Gëzim Kruja iku me një peng

Drande Xhaj, një nga ikonat e humorit shkodran tregon në një lidhje telefonike për Report Tv pengun e kolosit Gëzim Kruja, që sot paradite u shua. "Me keqardhje para një ore pushoi së rrahuri zemra e mjeshtrit të humorit Gëzim Kruja. Ky është një lajmi trishtë, kontributi dhe karriera e tij ka qenë e shpërndarë në të gjitha viset dhe vendet ku ka shqiptarë. E mora këtë lajm të trishtë me shumë keqardhje. Ai ka qenë një njeri i mrekullueshëm dhe një mësues për mua.

Ai prej disa vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë. Hera e fundit që u takuam ishte 80-vjetori, në atë gjendje, por më mirë, se e kemi si kujtim atë ditë. Ai fatkeqësisht nuk e kaloi këtë sëmundje. Gëzim Kruja do të mbetet në historinë e humorit shqiptar dhe do të jetë një nga artistët më të dashur të humorit në Shqipëri. Cilat ishin pengjet e Gëzim Krujës? "Është e vërtetë që në portretin e tij dukej se kishte pengje, një ishte festimi i 80-vjetorit me një premier të re, me materiale të reja. Dhe iku me këtë peng, por ai ka materiale të jashtëzakonshme që do të mbështesin në historinë e humorit shqiptar" tha ajo.

1586083596_DrandeXhaj.jpg

Ora 12:37
Jeta në foto e kolosit të humorit, Gëzim Kruja