Kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban ka fituar mandatin e katërt me shumicë votash në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 3 prill. Pas fitores ai pati kritika për BE ndërsa e cilësoi presidentin e Ukrainës Zelensky kundërshtar, në një kohë që e gjithë bota e shikon si hero dhe simbolin e rezistencës ndaj pushtimit rus.

“Ne kurrë nuk kemi pasur kaq shumë kundërshtarë. Burokratët e Brukselit mediat kryesore ndërkombëtare dhe presidentin ukrainas”, tha Orban.

Edhe pse Orbani në përgjithësi e ka mbështetur Ukrainën, ai ka refuzuar që të lejojë që armët e NATO-s të transferohen përmes shtetit të tij për në Ukrainë, duke thënë se Hungaria duhet të qëndrojë jashtë luftës. Zelensky e ka kritikuar vazhdimisht vendimin e Orban për të ndalur transportin e armëve.

Pavarësisht kësaj, Orban, i cili ka lidhje të ngushta me Moskën, e ka dënuar pushtimin rus dhe ka pranuar gjysmë milioni refugjatë që nga fillimi i luftës në shkurt.

Orban, 58 vjeç, ka pasur një marrëdhënie të vështirë me BE-në, e cila konsideron se Fidesz ka minuar institucionet demokratike të Hungarisë. Hungarezët kanë votuar më 3 prill për zgjedhjet parlamentare, që paraqesin sfidën më të madhe për kryeministrin Viktor Orban në 12 vjetët e sundimit të tij.