HUNGARI - Qindra emigrantë të bllokuar në stacionin hekurudhor të Budapestit për ditë më radhë janë nisur në këmbë drejt Austrisë.
 
Autoritetet hungareze thonë se po përpiqen të frenojnë mijëra njerëz të dëshpëruar që kërkojnë të arrijnë Europën Perëndimore. Skenat kaotike në Hungari, një prej vendeve kryesore transit për emigratët që kërkojnë të përfitojnë azil në Gjermani apo vende të tjera të Europës Perëndimore, vazhdojnë.
 
Në mungesë të trenave, emigrantët në stacionin e Budapestit Keleti thonë se kanë ndërmend të ecin për 240 km deri në Vjenë. Ndërkaq situatë e tensionuar vazhdon në një tjetër stacion hekurudhor të kryeqytetit hungarez, pasi emigrantët refuzojnë të shkojnë nëpër kampe.
 
Raportohet për dhjetra forca policie që ndodhen në stacion dhe për grupe emigrantësh të cilët janë larguar. Qindra të tjerë arritën të dalin me forcë nga një kamp në Roszke, pranë kufirit me Serbinë ndërsa ndiqen nga policia. Mijëra të tjerë janë ende brenda në përpjekje për tu arratisur.
 
Ndërkohë shtetet anëtare të BE-së vazhdojnë diskutimet për të rënë dakord mbi një strategji të përbashkët për të përballuar krizën.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)