Vdekja e foshnjës në Elbasan, babai flet në 'Pa Gjurmë': Do bëj denoncim, mjekët ia matën vetëm një herë temperaturën! Do ta çoj deri në fund të drejtën e vajzës

Zbardhen të tjera detaje nga vdekja e foshnjës Ajsi Islami pak ditë më parë në qytetin e Elbasanit. I revoltuar për shkakun e vdekjes, i ati i saj, Agim Islami, rrëfen për emisionin 'Pa Gjurmë' në Report Tv çdo moment të së voglës në spital, ndërsa vijon me akuzat ndaj bluzave të bardha.

Agimi, sjell edhe foton e fundit të vajzës, që është shkrepur mbrëmjen e datës 13 janar, 5 ditë përara se e bija të ndërronte jetë. Sipas tij, e bija gëzonte shëndet të plotë.

"Vajza ka gëzuar shëndet shumë të mirë. Të dielën më datë 16 janar vajza po shfaqte shqetësim tek ushqimi dhe acarohej, qante. E marr dhe e dërgoj tek mjeku Gentjan Alla, i cili i bëri një vizitë. Unë mendova se kishte bajame, por ai më tha se nuk ka gjë me rëndësi dhe se ishte thjeshtë një virozë. Vajza kishte kollë dhe pasi mjeku i bëri 10-15 minuta avull ajo u qetësua. Më pas shkova tek farmacistja dhe mora ilaçet."-thotë Islami.

Ai akuzon mjekët për mjekim të gabuar dhe pakujdesi në trajtimin që i është bërë duke thënë se dy orët e qëndrimit të vajzës në spital, mjekët ia matën vetëm një herë temperaturën.

"Pas dy ditëve, të martën e datës 18 janar vajza bëhet keq dhe i nxihet buza nga njëra anë. E dërguam menjëherë në spital dhe mjekët nuk i bënë vizitë, por e futën menjëherë në serum, vajza shkoi me gojë, me frymën e vet, por pas 5 minutave nuk foli më. Ia matën vetëm një herë temperaturën, sapo mbërritëm në spital dhe e kishte 36.7, më pas i morën analizat e gjakut dhe pritëm 40 minuta për të marrë përgjigjen, por kur u ktheva vajza ishte bërë akull. Nga ora 09:30 deri në orën 22:00 vajza qëndronte e shtrirë në krevat dhe nuk reagonte më. Dy mjekë ishin prezent dhe askush nuk ia mati më temperaturën, që nga hera e parë, se në atë moment u kishte humbur edhe termometri. Ay ishte dhe doktoreshë Irena. Ndërkohë që mjekët na kërkuan ta dërgonim në spitalin e Tiranës, vajza nuk merrte më frymë. Mjekët i bënë një ultrakorten dhe ishte me oksigjen dhe me dy serume. Nuk e di çfarë ndodhi."-thotë ai.

Ndër të tjera, Islami shprehet se ende nuk e ka bërë një denoncim në polici përveç dëshmisë që ka dhënë, por shumë shpejt do ta bëj një gjë të tillë.

"Unë do ta bëj një denoncim se dua të shkoj deri në fund për të drejtën e vajzës"-shprehet ai.

Babai deklaron se pas asaj që ndodhi me vajzën nuk mori më informacion nga bluzat e bardha, përveç një dokument nga morgu ku shkruhej: ‘Vdekje e menjëhershme pa shkak’.

"Nuk mora më informacion nga bluzat e bardha, mjekët më thanë mos u mërzit se kështu ka qenë e shkruar. Kujt i shkonte mendja se do të më vdiste vajza. Nga dokumenti që mora nga morgu shkruhej: ‘Vdekje e menjëhershme pa shkak’.

Ishte vajza e vogël. Nuk flas dot, të iki vajza brenda 5 ditëve ? Pa bërë gjilpëra asnjëherë. Mua më ka vdekur gruaja e parë, me të cilën kam një vajzë, me gruan e dytë kam shtatë fëmijë dhe kjo ishte më e vogla.

Unë nuk kam takuar askënd nga mjekët vetëm në polici dhashë dëshminë. Për çfarë t’i takoj, ata më shkatërruan. Unë ia kam lënë shtetit këtë çeshtje se kam edhe 6 të tjerë për të rritur. Vetëm në media kam bërë denoncimin kërkoj vetëm drejtësi shkakun pse më iku fëmija. Unë do ta bëj një denoncim se dua të shkoj deri në fund për të drejtën e vajzës’’- rrëfen babai Agim Islami.

Në dosjen e siguruar nga Report Tv janë të gjitha dëshmitë, edhe të mjekut nën akuzë, edhe të prindërve, por edhe të mjekëve të urgjencës, të cilëve foshnja i vdiq në duar. Ajsi Islami, 2-vjeç, ndërroi jetë në spitalin e Elbasanit, mbrëmjen e 18 janarit. Mjeku Gentian Alla, ditën kur vajza ka shkuar në spitalin rajonal e që më pas ndërroi jetë, ka qenë mjek dhe sipas dyshimeve nuk i ka dhënë ndihmën e duhur mjekësore. Për pasojë, sot 47-vjeçari është vënë në hetim për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.

1643383716_pagjurmii.jpg
2-vjeçarja, 5 ditë përpara se të ndërronte jetë në spitalin e Elbasanit dhe i ati, Agim Islami

 

 

Vidio emisioni i plotë

/AV/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë