Hungaria do ta bllokojë paketën e ardhshme të sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Rusisë, tha ministri i Jashtëm hungarez të dielën.

Hungaria është duke bërë përpjekje ta shtyjë Ukrainën ta rifillojë rrjedhën e naftës ruse përmes një tubacioni që furnizon rafineritë hungareze.

Dërgesat e naftës ruse për në Hungari dhe Sllovaki përmes tubacionit Druzhba u ndërprenë më 27 janari, kur Kievi tha se një sulm me dronë rusë goditi pajisjet e tubacionit në Ukrainën Perëndimore.

Sllovakia dhe Hungaria thonë se është Ukraina përgjegjëse për ndërprerjen e gjatë të furnizimit. BE-ja është duke e përgatitur paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Derisa bisedimet po vazhdojnë, shumë vende anëtare dëshirojnë që paketa të miratohet në kohë për përvjetorin e katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, të martën.

“Në Këshillin e Punëve të Jashtme nesër, BE-ja synon ta miratojë paketën e 20-të të sanksioneve. Hungaria do ta bllokojë atë”, tha ministri i Jashtëm Peter Szijjarto në platformën X.

"Derisa Ukraina ta lejojë kalimin e naftës për Hungarinë dhe Sllovakinë përmes tubacionit Druzhba, ne nuk do të lejojmë që vendimet e rëndësishme për Kievin të ecin përpara", shtoi Szijjarto në postim.

Thellimi i mosmarrëveshjeve

Kjo çështje ka shkaktuar një nga mosmarrëveshjet më të ashpra midis Ukrainës dhe fqinjëve të saj, Hungarisë dhe Sllovakisë.

Të dy vendet janë anëtare të BE-së dhe NATO-s, por liderët e tyre kanë sfiduar njëzëshmërinë kryesisht proukrainase në Evropë për të krijuar marrëdhënie të ngrohta me Moskën.

Të premten, Szijjarto tha se Hungaria do të bllokojë një hua 90 miliardë euro të BE-së për Ukrainën për të financuar mbrojtjen kundër Rusisë deri në çastin kur rifillojnë dërgesat e naftës përmes Druzhba.

BE-ja duhet të ndryshojë ligjin e buxhetit për t’ia lëshuar huan Kievit – një hap që kërkon mbështetje unanime.

Hungaria dhe Sllovakia gjithashtu kanë kërcënuar se do ta ndalojnë furnizimin me energji elektrike për Ukrainën për shkak të kësaj çështjeje.

Ministria e Jashtme e Ukrainës dënoi të shtunën ato që i përshkroi si “ultimatume dhe shantazhe” nga qeveritë hungareze dhe sllovake./REL