VIDEO/ Shqipëria bën lojën, Suedia golin! Kombëtarja disfatë 1-0 në Stockholm, dy humbje në tre ditë

FT/ Suedi 1-0 Shqipëri (Nilsson 62')

Miqësore, 'Friends Arena', Stockholm

Arbitër: Marcel Birsan (Rumani)

Kombëtarja e futbollit harron të shënojë dhe të fitojë. Kuqezinjtë e Sylvinhos humbën 1-0 kundër Suedisë në Stockholm, teksa kjo është disfata e dytë në tre ditë pas asaj me Kilin. Kuqezinjtë "futën ujë" në prapavijë duke pësuar katër gola në pak ditë, duke mos shënuar asnjë.

Dueli në "Friends Arena" nisi më mirë për vendasit e Tomasson, që kishin disa raste me Isak dhe Forsberg, me këtë të fundit që goditi edhe shtyllën e Strakoshës. Pas minutës së 15-të kuqezinjtë "u ndezën" dhe me një Armando Broja në formë shtynë përpara.

Djaloshi kërkoi një penallti pas rrëzimit në zonë, teksa kryesori vijoi lojën. Më pas Shqipëria provoi edhe me Bajramin dhe Laçin, por pa shënuar. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, për të vijuar me fraksionin e dytë.

Duhej minuta e 62-të kur një krosim nga Kulusevski gjeti të papërqëndruar prapavijën, me Mihaj që nuk largoi dot dhe Nilsson përfitoi me kokë, duke bërë që Strakosha të mposhtej pas disa pritjeve të mira.

Më pas tanët morën lojën në dorë dhe provuan në sulm, me Sylvinhon që hodhi në fushë edhe Baren, Hysajn, Hoxhën, Cikalleshin, Muçollin dhe Muçin, por pa sukses.

Kështu, pas humbjes 0-3 në miqësoren e tre ditëve më parë kundër Kilit, tanët pësojnë sërish humbjen e radhës. Kamabanat e alarmit kanë filluar të bien, me Kombëtaren që do zhvillojë edhe dy miqësore në qershor para finaleve të Euro 2024.

Statistikat/ Sa i përket përballjeve me përfaqësuesen nordike, kjo ishe hera e gjashtë që tanët u përballën me ta. Në të kaluarën Shqipëria dhe Suedia ishin sfiduar vetëm një herë në një ndeshje miqësore që është fituar nga kuqezinjtë me rezultatin 2-1 në vitin 2004.

Sfidat e tjera kanë qenë të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror, ku Suedia ka fituar tre takime dhe një ndeshje është ndarë në barazim pa gola 0-0, në stadiumin “Qemal Stafa” në vitin 2008. Kështu, në gjashtë takime mes dy skuadrave Suedia ka fituar katër takime, ka barazuar një herë dhe në një rast kanë fituar tanët.

Komenti minutë pas minute:

90+5' Mbyllet 1-0 ndeshja miqësore.

90' Pesë minuta shtesë.

82' Muçolli dhe Muçi në fushë, dalin Asani dhe Ramadani.

77' Bajrami i bën vend Hoxhës, Broja hapësirë për Cikalleshin.

72' Qazim Laçi i bën vend Keidi Bares.

67' Qazim Laçi provon nga jashtë zone, topi del jashtë.

62' Suedi 1-0 Shqipëri. Vendasit kalojnë në avantazh me Nilsson. Lojtari vendas përfiton nga vendosja jo e mirë e Mihaj.

55' Jasir Asani s'e kalibron si duhet të majtën, sfera del jashtë.

49' Isak i rrezikshëm, goditja nga jashtë zone shkon jashtë.

46' Nis pa zëvendësime pjesa e dytë.

45+2' Mbyllet 0-0 pjesa e parë. Suedia kontrollon 52 përqind topin, kundrejt 48 të tanëve.

45' Dy minuta shtesë.

41' Strakosha i thotë "jo" Isak dhe Olsson në pak sekonda.

24' Laçi ka shansin e artë, nuk shënon mesfushori.

23' Armando Broja shënon në portën e Suedisë, gjithçka anulohet për pozicion jashtë loje.

21' Nedim Bajrami gjuan nga goditja e dënimit, devijon në këndore Olsen.

19' Forsberg godet shtyllën, Strakosha me fat.

12' Armando Broja hyn në zonë dhe rrëzohet nga kundërshtari, arbitri rumun vijon lojën. Nuk ka penallti. Tanët pretenduan për faull në zonë (VIDEO).

9' Isak provon goditjen e parë të ndeshjes nga jashtë zone, ndal Strakosha në pozicion.

1' Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga vendasit.

Formacionet zyrtare:

Suedia (4-2-3-1): Olsen; Krafth, Staflelt, Lindelof, Augustinsoon; S. Olsson, Sam. Gustafson; Kulusevski, Forsberg, Isak; Nilsson Trajner: Jon Dahl Tomasson

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Mitaj, Mihaj, Gjimshiti, Balliu; Ramadani, Asllani, Laçi; Bajrami, Asani; Broja Trajner: Sylvinho.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:04
'Ndihemi keq që humbëm', Nedim Bajrami: Luaj ku do trajneri, shënoj në Europian


Nedim Bajrami nuk e ka problem rolin në fushë, duke treguar se luan ku do trajneri. Për Supersport fantazisti foli pas humbjes 1-0 të Kombëtares në Suedi. Për të ndeshja e sotme ishte e mirë.

"Me Kilin e dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë, por u ndëshkuam dy herë në fund, gjë që nuk duhej të ndodhte. Edhe sot bëmë mirë, por u mposhtëm. Kishim më shumë raste dhe na vjen keq që humbëm.

Kështu është futbolli, por shpresoj që të shënojmë në Europian.

Unë mund të luaj kudo ku ka nevojë trajneri. Më pëlqen më shumë të luaj si mesfushor pas sulmuesve, pra numër 10, por nëse Sylvinho do që të spostohem në krah, nuk ka problem për mua.

Kemi kohë edhe tre muaj për Europianin dhe duhet të japim maksimumin nëpër klubet tona, për t’u rikthyer gati dhe në formën më të mirë", tha lojtari i Sassuolos për Supersport.

Ora 21:57
'Ne e dimë objektivin', Kristjan Asllani: Luajtëm një superndeshje

Humbja 1-0 me Suedinë nuk e ul besimin e Kristjan Asllanit, mesfushorit të Kombëtares dhe Interit. Pas ndeshjes në Stockholm ai tha se bënë një paraqitje të mirë dhe shumë kilometra.

"Nuk shkoi që humbëm ndeshjen. Ekipi luajti mirë, luftoi. Pas ndeshjes me Kilin humori ishte i ulët. Kemi bërë një superndeshje. Objektivi jonë është Europiani, po punojmë dhe do t’ia arrijmë sa më mirë.

Unë besoj që sot kam bërë ndeshje të mirë, mua më intereson ekipi, çfarë mendon trajneri, presidenti dhe stafi jonë. Për mua nuk ka problem, luaj me të gjitha modulet.

Kam luajtur para mbrojtjes, sot bëra këtë rolin tjetër. Si unë si Laçi sot kemi bërë shumë kilometra. Objektivi jonë e dinë të gjithë kush është”, u shpreh Asllani pas ndeshjes për Supersport.

Ora 21:45
Kambana alarmi në Kombëtare, vetëm një goditje në portë në 180 minuta


Dy humbje në tre ditë, këto janë statistikat e Kombëtares. Kuqezinjtë u mposhtën 0-3 nga Kili dhe 1-0 nga Suedia, duke mos gjetur rrugën e rrjetës. Kambanë alarmi mund të jetë goditja në portë, teksa në 180 minutat e këtyre dy miqësoreve tanët goditën vetëm një herë portën (me Suedinë). Kundër Suedisë këtë të hënë sulmi provoi edhe tetë goditje jashtë porte.

Ora 21:42
NOTAT/ Thomas Strakosha më i miri në fushë, Kombëtarja vuan në mbrojtje

Thomas Strakosha me notën 7.8 ishte lojtari më i mirë i ndeshjes Suedi 1-0 Shqipëri. Tanimë "Sofascore" ka nxjerrë edhe notat për të gjithë lojtarët, teksa bie në sy se prapavija jonë, përjashto Gjimshitin dhe Mitaj nuk kanë nota kaluese. Edhe Laçi me Asanin poshtë pritshmërive.

Ora 21:28
'Sot duhej të fitonim, s'kam çfarë t'i them ekipit', Sylvinho: Lojtarët janë në ankth për listën, shpejtësia e Brojës ka rëndësi për ne


Për Sylvinhon ekipi bëri një lojë të mirë paçka se Kombëtarja u mund 1-0 nga Suedia. Braziliani i stolit pas ndeshjes tha se nuk ka çfarë t'u thotë lojtarëve pasi kanë bërë një paraqitje të mirë. Tekniku ka cekur të gjithë lojën, duke vlerësuar paraqitjen.

“Lojtarët janë pak në ankth pasi 23 prej tyre do të shkojnë në Europian. Kemi bërë një rrugëtim shumë të mirë, duke u kualifikuar me ndeshje të mira. Duhet të jemi të kënaqur e të lumtur që jemi kualifkuar në Europian.

Asani dhe Bajrami kishin një rol të dyfishtë nga krahët. Kjo skuadër është e re, lojtarë si Asllani, Mitaj që po marrin eksperiencë. Ne e pamë që Muçi mund të bënte më shumë, të ishte një sulmues në këtë rast. Kemi edhe lojtarë të rinj si Muçolli e Hoxha që janë në fillimet e tyre e mund të japin shumë për Kombëtaren.

Ky është momenti për të vlerësuar lojtarët, rezultati është i rëndësishëm, por jo më i rëndësishmi. Sot bëmë një tjetër paraqitje nga ajo me Kilin. Mund ta kishim merituar fitoren.

Sot provuam diçka ndryshe për të arritur te goli. Kishim shpejtësinë e Brojës, nje penallti që na u mohua, e vështirë kur luan pa VAR pasi ja si shkojnë gjërat. Shpejtësia e Brojës ishte shumë e rëndësishme sot.

Balliu ka luajtur disa ndeshje me ne, ndaj Moldavisë nuk ka qenë pasi ishte i dëmtuar. Ka marrë minutat e tij.

I kënaqur me atmosferën e lojtarëve në grumbullim? Absolutisht shumë i kënaqur. Lojtarët kanë një atmosferë dhe konkurrencë të shëndetshme. Tani kthehen në klubet e tyre dhe kanë 2 muaj kohë për t’u përgatitur. Normal kanë pak tension apo ankth për listën por ky është futbolli.

Raporti që ata kanë me stafin është shumë i mirë. Kemi punuar shumë në këtë pjesë, gjerat thuhen në sy dhe kështu kemi krijuar një marrëdhënie të shëndetshme me të gjithë.

Ndaj Kilit i zemëruar, po sot si ndihem? Jam i trishtuar për fatin që nuk fituam apo barazuam. Nuk kam çfarë t’i them lojtarëve për atë që bënë në fushë. Luajtëm me zemër dhe tifozët e bënë të ndiheshim si në shtëpi. Duhet t’u transmetojmë shpirtin dhe zemrën në fushë”, tha Sylvinho për Supersport.

Ora 21:16
'Rezultati jo i drejtë', Mario Mitaj: E vërteta për interesimin e Juventusit


Kombëtarja e futbollit humbi 1-0 me Suedinë, teksa pas ndeshjes për Supersport mbrojtësi Mario Mitaj tha se rezultati nuk ishte i drejtë.

"Një ndeshje e mirë, por sërish humbim. Çfarë ndodhi?

Ishte një ndeshje shumë e mirë për ne, pavarësisht rezultatit, që besoj se nuk është i drejtë. Mund të kishim marrë edhe më shumë, por duhet të jemi të lumtur për paraqitjen që bëmë si skuadër.

Në aspektin personal ke bërë mirë në fazën mbrojtëse, por mos ndoshta duhet të shohësh më shumë në gjysmëfushën kundërshtare?

Unë bëj në fushë atë që më kërkon trajneri. Nëse ai më thotë që të qëndroj më shumë mbrapa dhe të fokusohem në aspektin mbrojtës, atë duhet të bëj.

Është folur për një interesim të Juventusit. Cili është informacioni që keni ju?

Unë kam ditur vetëm që do të kishte disa skautë nga Juventusi dhe asgjë tjetër. Unë duhet të luaj futboll, të argëtohem dhe përmirësohem. Të tjerat janë aspekte që nuk lidhen me fushën dhe nuk kam çfarë të shtoj", tha Mitaj.

Ora 20:23
VIDEO/ Pasiguri në prapavijë, Suedi 1-0 Shqipëri

62' Suedi 1-0 Shqipëri. Vendasit kalojnë në avantazh me Nilsson. Lojtari vendas përfiton nga vendosja jo e mirë e Mihaj.

Ora 19:26
VIDEO/ Armando Broja i shënon Suedisë, arbitri 'ngrin festën'

23' Armando Broja shënon në portën e Suedisë, gjithçka anulohet për pozicion jashtë loje.

Ora 18:40
Projektohej nga minuta e parë, Sylvinho lë në tribunë lojtarin veteran


Ishte projektuar nga minuta e parë, por Etrit Berisha ka përfunduar në tribunë për miqesoren Suedi - Shqipëri. Gardiani 34-vjeçar dhe zv.kapiteni i ekipit s'ia ka dalë të lërë pas dëmtimin dhe paçka se u stërvit me grupin është jashtë ekipit për këtë duel.

Lojtarët e gatshëm:

Në stol: 1 Sherri (GK), 12 Kastrati (GK), 4 Hysaj, 5 Veseli, 7 Bare, 8 Manaj, 15 Seferi, 16 Çikalleshi, 17 Muçi, 18 Mersinaj, 19 Mucolli, 24 Kumbulla, 25 Aliji, 26 Hoxha

Ora 18:31
VIDEO/ Me flamurin kombëtar dhe atë të Kosovës, tifozët kuqezi 'ndezin' Stockholmin

Për më pak se 30 minuta në Stockholm luhet miqësorja mes Suedisë dhe Shqipërisë në futboll. Më shumë se 2 mijë pritet numri i tifozëve tanë në "Friends Arena". Tanimë ka nisur futja e tyre në impiant, teksa gjithçka është "stolisur" kuqezi, duke mos munguar as flamuri i Kosovës.

Ora 17:37
FORMACIONET ZYRTARE/ Ndryshim skeme në Kombëtare, Sylvinho forcon mesfushën! Broja nga minuta e parë

Suedi - Shqipëri është miqësorja që merr jetë këtë të hënë në 19:00 në "Friends Arena" të Stockholmit. Trajneri Sylvinho ka bërë me dije edhe formacionin zyrtar në këtë duel. Skemë e re 4-3-3 nga braziliani që i jep një fanellë titullari Armando Brojës.

Formacionet zyrtare:

Suedia (4-2-3-1): Olsen; Krafth, Staflelt, Lindelof, Augustinsoon; S. Olsson, Sam. Gustafson; Kulusevski, Forsberg, Isak; Nilsson Trajner: Jon Dahl Tomasson

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Mitaj, Mihaj, Gjimshiti, Balliu; Ramadani, Asllani, Laçi; Bajrami, Asani; Broja Trajner: Sylvinho.

Në stol: 1 Sherri (GK), 12 Kastrati (GK), 4 Hysaj, 5 Veseli, 7 Bare, 8 Manaj, 15 Seferi, 16 Çikalleshi, 17 Muçi, 18 Mersinaj, 19 Mucolli, 24 Kumbulla, 25 Aliji, 26 Hoxha

Ora 17:01
VIDEO/ Suedezët e presin Shqipërinë me... Ibrahimovicin


Në orën 19:00 në "Friend Arena" të Stockholmit, kombëtarja shqiptare e futbollit përballet me Suedinë në një test miqësor. Tanimë kuqezinjtë janë rrugës për në stadium, teksa dyert e impiantit janë hapur. Gjithçka duket gati dhe kushtet janë përfekte për këtë duel. Suedi e pret Shqipërinë me portretin e Ibrahimovic, teksa portreti i ish-sulmuesit gjendet mes atyre të legjendave në korridoret e stadiumit.

 

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ilir metaj ne maje te thanes: 26/03/2024 12:25

    individualiste dhe arrogante ja vlersimet qe duhet per ekipin ton

    Përgjigju
  • serxho: 26/03/2024 09:56

    Arbiter i ndyr arixhi pisanjos qe nuk dha penalltine qe ishte flagrante.

    Përgjigju
  • Ne sybet: 25/03/2024 22:55

    Se fluturuam ne presh...mire na u be. Me Brojen jemi Ok fare. Super jemi. AI NUK DUHET FUTUR FAAAARE NE EKIP. ESHTE INDIVIDUALIST, DILETANT, I PAPJEKUR, ARROGANT... AI TE JEP SHIJEN E HUMBJES SA HERE LUAN. Sot Gjimshiti, Laci, Mitaj dhe Strakosha ishin supeeer. Pse duhet te marrin humbjen keta lojtare nga nje ibdividualist si Broja? Humbja i takon vetem Brojes.

    Përgjigju
  • nox: 25/03/2024 21:35

    Dy ndeshje.Kater gola te pesuar. Asnje gjuajtje ne kuadratin e portes kundershtare. Pese sulmues te aktivizuar.

    Përgjigju
    • God save the Queen: 26/03/2024 03:52

      Nuk ka as gjak, as deshire, as stategji, as fantazi. Lojtaret tane fshiheshin mbrapa kundershtareve, nuk kerkojne topa! Goli aty mund te vinte vetem nga konfuzioni ose fati… Ne Europian do na bejne tabele qitjeje per te fryre statistikat e kundershtarve! Pacim Fat dhe meshirojme kundershtaret te na kursejne poshterimin!

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI