Hysen Shoshori: Sali Berisha në
gjyq kërkoi varjen time në lita

Hysen Shoshori: Sali Berisha në<br />gjyq kërkoi varjen time në lita
Më kthyen sërish në qelinë e lagësht, në bodrumet e Sigurimit të Shtetit. Xhelatët ia nisën avazit të torturave mbi trupin tim të drobitur. Ç’të nxirrja unë, nuk kisha njeri, isha vetëm fillikat.
Vjen një hetues i rrezikshëm. Ishte një trashaluq, i fortë si ari, kishte qenë prokuror në Korçë pas çlirimit të vendit. I zoti si ai. Ishte specializuar për hetime të klasit të lartë, merrej me tradhtarët e shkallës superiore, ish-anëtarë të Byrosë Politike dhe ministra të qeverisë. Xhelat dhe ekzekutor pa zemër njeriu. Edhe tani kur e kujtoj më dridhet mishi, or vëlla. Ishte N. H. prej Kolonje të Korçës. Kryehetuesi i Republikës, kështu i thërrisnin. Por kompetent për detyrën e tij. Një ushtarak i përbetuar, si mercenarët e qëmotit. Me të burgosurit kishte një komunikim ndryshe. Nuk i shihte në sy, u kthente krahët dhe ashtu i merrte në pyetje. Sigurisht, për të treguar supremacinë dhe fodullëkun e tij. “Jam bir Kolonje unë!”.

- E bëj unë që të flasë, - tha ai dhe nisi ritualin. Bëri sikur pyeste hetuesin, vartësin e tij:
- Hë, ka folur ky?
- Jo...
- Si jo, e bëj unë të flasë, - dhe fap me pëllëmbë turinjve, me grushte barkut e ku të mundë. Por goditjet në nënvete ishin më të fortat, të padurueshme. Sikur kërkonin shpirt njeriu...
- Trego shokët, në ç’organizatë bën pjesë?

Unë alivanosesha, nuk ndjeja më. Më dukej sikur goditjet binin mbi një trung të pajetë e jo mbi trupin tim. Po njeriu qenka i fortë, or zotni.
Iku ai dhe erdhi një hetues tjetër, më impulsiv, llafazan.
- E bëj unë që të flasë, - u lavdërua përpara shokëve ai. Ishte F. Sh. që, më vonë, edhe ai u arrestua dhe u pushkatua si tradhtar. Por edhe ky nuk nxori gjë prej meje, se s’kisha njeri tjetër, e thashë disa herë.

I fundit për të më bërë hetuesinë, mbaj mend, erdhi bashkëqytetari im, K. I. Ky përdori një formë shtrëngimi të padëgjuar. Më mbylli në arkivolin e të vdekurve. E pa besueshme, do të thuash, por është e vërtetë. I gjalli mbyllur brenda në arkivolin e të vdekurit. Jo një herë, por disa ditë rresht, që unë të hapja gojë, të rrëfeja bashkëpunëtorët dhe organizatën.
- Kështu do të vdesësh, - më thoshin, e unë gojëkyçur. Duroja. Si nuk vdiqa nga gjithë ato tortura çnjerëzore atëherë?! Do të kisha shpëtuar njëherë e mirë.
 
 8.
Isha bërë kockë e lëkurë, një grusht njeriu, sa dhe veten nuk e njihja. Qelia, lagështia, torturat fizike e psikologjike, ushqimi, gjendja shpirtërore më kishin bërë gjysmë njeriu. Jeta ime ishte në rrezik.
Doktor Bujar Shkaba ishte mjeku që vizitonte të burgosurit në rëntgen, përpara se t’i dërgonin në kampet e punës. Po unë qesh bërë keq fare.
- Tjetri, tjetri, - ia bënte doktori dhe ndizte e shuante llambën e kuqe në dhomë.
Kur erdhi radha ime, bërtiti:

- Ç’i paskeni bërë këtij? I qenka ngjitur keq brinja...
Sigurimi pranë i thotë:
- Bëji derman se na la hetuesinë përgjysmë.
- Aha, po nuk e shtruat në spital, ky njeri do të vdesë, - tha doktor Bujar Shkaba i vendosur. Edhe ai ishte tiranas, nga soji i mirë.

Më shpunë në spitalin e burgut. Atje u ndodhën disa mjekë e infermiere zemërmirë, që treguan kujdes. Më vizitonin dhe më kuronin çdo ditë. Bëja gjilpëra dhe pija ilaçe, edhe ushqimi ishte i mirë. Në krye të 40 ditëve e kisha marrë veten dhe më kthyen sërish në qeli. Më shëruan jo se u vinte keq për mua, por donin të përfundonin hetimet dhe të më nxirrnin në gjyq. Për të më marrë me të mirë, hetuesit më thoshin:
- E sheh si je bërë tani? Ne do të të godasim se na vjen keq për ty. Prandaj të shtruam në spital, ta dish...
 
 9.
Kishin kaluar gjashtë muaj dhe tani erdhi koha e gjyqit. Aq ishte afati i hetuesisë dhe respektohej rigorozisht. Kishte ligje të forta për të gjithë. S’të pyeste njeri, diktaturat vendosin ligje dhe rregulla të rrepta. S’kishte fjalë atëherë!...
Më veshën e më ujdisën dhe makina autoburg, e zezë, e përforcuar nga disa “Gaze” para dhe mbrapa, më shpuri në derën e gjyqit. Ndërtesa ndodhej në rrugën e Durrësit. Është një godinë trekatëshe, e bukur nga jashtë. Kur më zbritën, duarlidhur, hodha sytë dhe pashë në trotuar e në rrugë shumë njerëz. Qenë mbledhur kuriozët për të parë “spiunin”, “diversantin”, “armikun” etj. shtyheshin por gardhi i policëve s’i linte të përparonin.

Më ngjitën nëpër shkallë, asnjeri atje. Edhe salla ishte bosh. Erdhi trupi gjykues me çantat e zeza nën sqetull dhe kryetari, një burrë i mirë, Irakli Bozo, i tha policisë:
- Hapni derën, le të hyjë populli, - kur pa gjithë atë interesim.
S’ishte parë e dëgjuar që në kryeqytet të vendoseshin trakte kundër qeverisë, bandat e hedhura nga ajri ishin zhdukur, vetëm tek-tuk dilte ndônjë “armik”. Prandaj kureshtja ishte e madhe. Si do isha unë?

Togëkomandanti më hoqi prangat dhe nisi seanca. Prokurori mbajti pretencën, populli thërriste, unë rrija i hutuar në gjithë atë zallahi. Isha hutuar krejt, se nuk kisha parë fytyra njerëzish normale, kaq shumë veta. Të gjithë për mua. Në mesin e grumbullit fiksova një fytyrë. Ktheva kryet dhe pashë një person të gjatë, që fliste ashpër me dialektin e gegërishtes:
- Armik i popullit, në litar, në litar!
Dhe pas tij kori i fanatikëve që çirreshin e gërthisnin edhe ata:
- Me vdekje, në litar, në litar!

Atëherë ndërhyn kryetari i seancës, Irakli Bozo dhe thotë:
- E shikon ç’thotë populli? E dëgjon ç’don populli? Po unë prapëseprapë do të mendoj për ty...
Dëshmitarë nuk kisha se më kishin zënë në flagrancë dhe në sallën e gjyqit paraqiten nëntë copë traktet e mbetura pa u vendosur nga unë. Seanca ishte një ritual i zakonshëm. Kryetari drejtonte, njerëzit rrinin e dëgjonin, unë qëndroja vazhdimisht në këmbë. Pas pak, trupi gjykues u largua për të marrë vendimin dhe u kthye menjëherë. Irakliu nisi të lexonte po ato që kishte thënë pak më parë prokurori dhe më pas shqiptoi vendimin e Gjykatës:
- Qytetari Hysen Shoshorja shpallet fajtor, armik i popullit dhe dënohet me vdekje, me pushkatim!

Unë isha hutuar nga gjithë ajo ceremoni aspak e këndshme për çdo njeri të zakonshëm. Por në fakt e prisja dënimin dhe tani unë them se mua më ka dënuar me vdekje populli. Ai kërkonte, çirrej e bërtiste, mes tyre fytyra ekspresive e malësorit verior, që siç mësova më vonë ishte një nga mjekët e udhëheqjes në Bllok dhe sot lideri i të Djathtës Demokratike. Nga komunist i flaktë ai u konvertua papritur në demokrat evropian. O tempora o mores!
 
 10.
Ishte rregull atëherë që, në rastet e dënimit me vdekje nga Gjykata, çështja duhej të shqyrtohej nga Presidiumi i Kuvendit popullor. Varej, e miratonte apo jo. Kështu thoshte Kushtetuta dhe neni zbatohej një më një.
Prita në qeli një muaj. Siç veprohet në gjithë botën, më mbanin të lidhur këmbë e duar me zinxhirë dhe në kokë më vendosën një kaskë. Në krye të 30 ditëve, ndodhi e papritura...
Gardiani hapi derën dhe në qeli hynë dy veta. Siç isha shtrirë, u ngrita pakëz në bërryla, për respekt. Ishin dy djem të rinj, veshur me kostum bojë kafe. Ngjanin si dy pëllumba, si dy engjëj, që zbrisnin nga qielli. Të paktën kështu më dukej mua që nuk shihja njeri tjetër në qelitë e burgut famëkeq, veç hetuesve fytyrëngrysur dhe zemërligj.

- Epo, - thashë me vete, - erdhi fundi, ekzekutimi.
Atë prisja, asgjë tjetër. Madje e dëshiroja, që të shpëtoja njëherë e mirë nga vuajtjet dhe sfilitjet e shkaktuara nga specia njeri.
- Hiqi hekurat, - urdhëroi njëri gardianin, i cili iu bind pa fjalë urdhrit.
Ishin prokurorë, se ata kanë të drejtën të venë ose të heqin “unazat” e hekurta. Gardiani më hoqi edhe kaskën. Prisja se ç’do të ndodhte tani. Njëri nga prokurorët tha:
- Kemi parë shumë të burgosur, por si ky jo. Bobo ç’ka hequr ky i shkreti.

Tjetri hapi dosjen dhe lexoi solemnisht:
- Shoku Enver Hoxha të ka falur jetën!
Nuk u besoja veshëve të mi. Isha në gjendje delirante, turbullt, ca nga pafuqillëku, nga torturat, ca nga drobitja dhe dobësia trupore. Po thelbin e kapa. Enver Hoxha më kishte falur jetën! Pse gjë e vogël ishte për një të burgosur, që pret të ekzekutohet nga skuadra e pushkatimit?!
Kur dëgjova ato fjalë, u rrëzova e rashë në tokë. Në atë gjendje ku pata shkuar unë, nuk ndjeja e nuk kuptoja gjë.

- Enver Hoxha të ka falur jetën!
I thashë vetes në atë çast:
- Tani fillon vdekja për ty, o Cen!
Por prokurori e përsëriti për herë të tretë frazën: “Shoku Enver Hoxha të ka falur jetën!”. E kuptonin që unë s’merrja vesh gjë. Pastaj ata urdhëruan prapë gardianin:
- Hiqja fare hekurat, se ky i poshtër është dhe i poshtër do të vdesë!
Dhe që atë ditë, nga qelia më transferuan në kaush. Kaushi është një dhomë e madhe, ku të burgosurit, pasi janë gjykuar, presin transferimin në kampet e punës ose shpërndarjen në burgjet e tjera.
 
11.
Për mua nuk u zbatua ligji i asgjësimit, por më lanë 25 në burgim. Vdekje për së gjalli! Në mitologjinë e lashtë greke ka një tragjedi ku trajtohet ky problem. Edipi mbret nuk dënohet nga Zoti me vdekje për incestin, por me vuajtje tërë jetën. Ai vetëqorrohet dhe përfundon në ... honin e thellë. Se vuajtjet janë shumë më të tmerrshme se vdekja. Vdekja, thonë, është kapak floriri, ndërsa vuajtjet janë sfilitëse për njeriun, vdekje nga pak çdo ditë.

Ndenja disa ditë në kaush. Aty ishin nja 15-20 veta. Kishte klerikë, xherahë që bënin synet, hajdutë, mashtrues, shpifës dhe të tjerë. Në burg, zakonisht, futet llumi i shoqërisë, me përjashtim të politikanëve. Unë rrija me një prift katolik. Dom Nikoll Mazreku kishte mbaruar disa fakultete, ishte njeri fort i ditur, i qetë dhe shpirtbutë.
- Pse të kanë futur në burg? - e pyeta një herë.

- Sa herë del ndonjë re atje lart, hajde këtu, më thonë këta, - përgjigje Dom Nikoll Mazreku.
Pas qëndrimit gjashtë muaj në qeli, kaq ishte afati, na dërguan në kampin e punës. Makina e zezë autoburg, doli nga kryeqyteti dhe mori drejtimin e veriut. Nuk dinim se ku do të venim. Në karroceri ndodheshin nja 10 veta, edhe ata ishin gjykuar  dhe tani do të vuanin dënimin. Ec e ec dhe rruga s’kishte të sosur. Më në fund autoburgu i zi ndaloi dhe policët e shoqërimit hapën derën e pasme. Na zbritën në tokë ashtu siç ishim të lidhur për dore njëri me tjetrin. Dhjetë të burgosur ecnin njëri pas tjetrit.
- Ceno, më trego ditën e parë në kamp, - i them.

Dhe ai zë e përshkruan vendin, kampin dhe vështirësitë e para atje. Kampi i të burgosurve në Spaç të Mirditës është një ferr i vërtetë. Barakat fjetoret ishin ndërtuar në fund të një honitë thellë, rrethuar nga male të larta. Natyra është e ashpër, dimri i acartë, galeritë të thella. Në minierën e Spaçit nxirrej mineral piriti dhe bakri, përveç punimeve të avancimit dhe hapjes së galerive të reja. Sa jetë njerëzish ka marrë kjo minierë! Të gjithë pothuaj të burgosur. Bij nënash! Por në Shqipëri qenka e thënë që jeta e një njeriu të kushtojë pak, fare pak.

Dilnim në punë në mëngjes herët dhe të ftohtit e acartë të priste si me brisk fytyrën. Duhej realizuar norma ditore. Mjerë i burgosuri që nuk arrinte të nxirrte nga nëntoka sasinë e caktuar të vagonëve apo të gërmimit në ballin e galerisë!
Nejse, të tregoj për ditën e parë në kamp. Policët na shpunë fillimisht në zyrën teknike. Një burrë i gjatë na dha rrobat e burgut, një palë dok dhe mjetet e punës. Pastaj na ngjitën në katin e tretë të banesës. Ishte një godinë trekatëshe, çdo kat kishte 4-5 dhoma dhe në çdo dhomë flinin nja 40 veta në shtretër të bërë vetë prej dërrase. Ishte mensa dhe ambientet e tjera shërbimit. Kampi rrethuar qark e qark me disa radhë me gardh të lartë prej teli me gjemba.

Në vitin 1973 këtu ngjau revolta e të burgosurve që zgjati tri ditë rresht. Të burgosurit ngritën flamurin kombëtar pa yllin e kuq dhe nuk lejonin personalin të hynte. Pastaj revolta u shtyp, u vranë e u pushkatuan disa të burgosur. Por jeta në kampin e Spaçit ishte tejet e rënduar. Largësia i pengonte njerëzit e afërt të vinin për takime e vizita. Unë flija, pra, më dhomën numër 3 të katit të tretë.

Për punë më caktuan në brigadën e Sherif Merdanit. Të burgosurit atje ishin të rinj e të fuqishëm, unë... Thotë Sherifi i mirë dhe i butë:
- Ç’ma kini sjellë këtë plak, ky s’ka fuqi të hedhë këmbët e tij.
Më larguan nga brigada e Sherifit dhe më dërguan nja 20 ditë në kampin e Bulqizës. Atje ishte mirë se punonin jashtë në diell, por ç’e do, nuk bëja normën ditore në ndërtimin e pallateve. Më kthyen në Spaç dhe pasi erdhi raporti mjekësor nga doktor Bujar Shkaba, më lanë të lirë si të paaftë për punë. Rrija i vetmuar gjithë ditën në kamp. Nuk përzihesha me të burgosurit e tjerë. Ja, sikur të gjeja një copë vend nji kaq, atje qëndroja në sheshin e apelit për orë të tëra.

Në kampin tonë punonin nja 2 000 – 2 200 të burgosur. Kampi i Spaçit, i Bulqizës, i Qafëbarit dhe i Ballshit ishin për të burgosurit politikë, të aftë për të punuar. Se ishte dhe burgu i Burrelit për elitën e politikanëve kundërshtarë të regjimit, pastaj vinin kampi i Lezhës dhe i Sarandës, i Lushnjës, burgu 313, 315 etj. Gjithandej burgje. Më vonë u ndërtua burgu i sigurisë së lartë në Bënçë të Tepelenës. Por si kampin famëkeq të Spaçit nuk gjeje, besoj në Ballkan dhe në tërë Evropën. Aty të vinin “mendtë”, thoshin. Në kampin e Spaçit kanë kaluar Telat Agolli që iu dogj çadra e cirkut në Himarë, doktor Elham Hasani nga Vlora, Gëzim Kadesha dy herë i burgosur dhe plot të tjerë, që tash nuk më kujtohen emrat. Shok burgu kam pasur Islam Spahiun, piktor nga Kukësi, njeri fisnik.

E dini solidaritetin e të burgosurve? Është i lartë. Njerëzit që vuajnë nën një çati janë bashkë, ndihmojnë njëri-tjetrin, qajnë hallet bashkë, madje edhe ushqimet ose gjërat që i vijnë nga shtëpia, i ndajnë bashkë. Mua nuk më vinte njeri, por më ndihmonin sa herë shokët e mi. Solidaritetin të burgosurit e ruajnë edhe pasi dalin. Takohen, bëjnë vizita dhe nevojtarët ndihmohen nga të gjithë. Është diçka njerëzore, humane.

Kur isha në burg, komandanti më thërret një ditë në zyrë dhe më thotë:
- Më vjen keq për ty Cen, prandaj kam menduar të të ndihmoj. Do të sjellim pula dhe ti do të kujdesesh për to. Edhe punë bën edhe ushqim diçka do të kesh. Si thua?
Në burg ka lloj-lloj njerëzish dhe duhet të ruhesh nga provokimet. Unë edhe sot nuk e di qëllimin e vërtetë të ofertës që m’u bë, për mirë a për qëllim tjetër. Por gjithsesi refuzova dhe vazhdova të merrem me ndonjë pastrim, punë në kuzhinë etj.
 
 12.
Pas viteve 60 në Evropën Lindore filluan të fryjnë erërat e lirisë dhe të demokracisë. Ra Muri i Berlinit më 1989, ndodhën ngjarjet tronditëse në Timishoara të Rumanisë, u çmontua regjimi komunist në Poloni, Çekosllovaki, Bullgari, ndërsa në Shqipëri hidhej parulla “Ne s’jemi as Lindje as Perëndim”, “Do hamë bar dhe pushtetin s’e dorëzojmë”, “As hapemi as mbyllemi” e të tjera si këto. Mirëpo presioni i Perëndimit për liri dhe të drejta themelore të njeriut ishte i madh. Burgjet qenë mbushur plot me kundërshtarë politikë. Pas moratoriumit të shpallur nga qeveria komuniste, Perëndimi vuri kusht:

- Hapni burgjet politike, ndryshe nuk pranoheni në Evropën demokratike!
U bë një dredhi. U liruan shumë të burgosur, por më të “rrezikshmit” u transferuan në kampin e Shënvasisë të Sarandës. Abdi Baleta në krye të Komisionit të Helsinkit nuk pushonte së kërkuari lirimin e të burgosurve të ndërgjegjes, që qeveria e atëhershme gënjente gjoja se i kishte liruar. KSBE-ja ngulmonte dhe bënte thirrje për shpejtimin e proceseve. Opinioni qytetar kërkonte dhe në këto kushte u shpall nga partia në pushtet pluralizmi politik në Shqipëri. Një gjë e tillë që realizohej pas 55 vjetësh regjimi komunist.

Marsi i vitit 1992 erdhi me erë të ftohtë acar. Ndodheshim në kampin e Sarandës. Kishim mbetur gjithsej nja 30-40 veta. Hanim çorbën e kampit dhe aq. Një ditë, aty nga mesi i muajit, na mbledhin në sheshin e apelit dhe komunikojnë lirimin tonë. Ne gëzonim dhe përqafonim shoku-shokun. Ishim të lirë! Drejtoria e kampit ishte kujdesur për largimin dhe kishte sjellë një autobus. Autobusi ishte një rrangallë nga ata të prodhimit të Shkodrës që i tundeshin teneqetë. Me të ne do të merrnim udhën drejt familjeve tona.

Një shoku im i dhomës, Prenush i thoshin, nuk erdhi me ne por ia mbathi për në Greqi duke më lënë një copë bukë të thatë. Racioni i tij i djeshëm. Dolëm jashtë nga kampi dhe u nisëm rrugës drejt shtëpisë. Të burgosurit e tjerë gëzonin që do të venin pranë njerëzve të tyre, kurse unë mendoja se ku do ta ngrysja natën. Rrugës vrisja mendjen:
- Këta do të shkojnë në shtëpitë e tyre, do t’i prisnin familjarët, po unë? Kush më priste vallë? Po shtëpia, ku do të fusja kokën?!

Ishte ora 23 kur mbërritëm në Kavajë dhe autobusi ndaloi në stacion. Shoferi pyeti nëse pranonim të merrte një çift për në Tiranë. Ne habiteshim kur shikonim dy civilë, se në kamp ishim mësuar të shihnim vetëm uniformat e policëve dhe të ushtarëve. Civilët ranë në bisedë me ish-të burgosurit dhe pyetën:
- Po ai burri që rri në fund kush është?

Unë kisha veshur një kapotë të falur dhe, për të më mbajtur ngrohtë, e kisha lidhur në mes me spango.
- S’ka njeri, është vetëm fillikat, - i thanë ata. - Ka qenë i burgosur si ne.
- Thirreni të vijë këtu, - nguli këmbë çifti.
U ngrita dhe çapita drejt tyre. Kisha 17 vjet pa parë njeri me sy dhe sesi më dukeshin tani që i kisha përpara syve. Kisha qenë vetëm dhe nuk besoj se ka në botë ndonjë pa halle e pa probleme.

- Po ti o gjysh, nuk ke njeri? - pyetën ata.
- Jo.
- Do të vish me ne, në shtëpinë tonë, - thanë dhe me vështronin ngultas me një si habi.
- Jo po, jo po, jo po...

Zbritëm në kombinatin e tekstileve, atëherë nuk ishte prishur. Çifti më mori në shtëpi dhe ndenja një natë. Fatbardh Meta dhe bashkëshortja e tij e mrekullueshme ishin dy njerëz famozë, humanë dhe dinjitozë. Dy fëmijët e vegjël çapëlenin sytë kur më shihnin ashtu me kapotën lidhur në mes me spango. As hëngra as piva atë natë, doja të ikja, nuk besoja që isha i lirë. Qeshë mësuar me jetën e burgut, si të thuash isha ambientuar dhe aq. Nuk prisja gjë tjetër në jetë. Kur papritur...
Çifti Meta më dha para me vete dhe në mëngjes herët dola në Tiranë.
 
(Vijon nesër...)

Shkrimi u publikua sot (06.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)