I shtati i listës së kandidatëve të koalicionit të PD-së në Qarkun e Tiranë, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu vijon takimet në njësitë e ndryshme në kryeqytet.  Së fundmi ai ka qenë me banorë dhe biznese të Njësisë nr. 1 në Tiranë.  

Mediu thotë se 25 prilli është koha që të largohet Edi Rama, si shkaktar i braktisjes masive të vendit, dhe jo të largohen shqiptarët nga vendi i tyre.

"Partia Socialiste, në mënyrë të veçantë Rama, i ka përdorur shtresat në nevojë vetëm si një kontingjent elektoral.  Mbi 70% e të rinjve duan të ikin nga Shqipëria. Mbi 90% e atyre që kanë studiuar jashtë, nuk duan të kthehen në Shqipëri. Mbi gjysmë milioni shqiptarë janë larguar nga Shqipëria, duke krijuar kështu një varfëri dhe një plagë shumë të madhe, jo vetëm ekonomike, por edhe sociale dhe politike. Kjo është politika e Edi Ramës, t`i largojë njerëzit e zotë nga vendi, në mënyrë që ai të lulëzojë pushtetin e korrupsionit dhe të interesave të veta kriminale. Dita e zgjedhjeve është dita e qytetarit, ku qytetari është i barabartë me kryeministrin, me ministrin, me deputetin", tha ndër të tjera Mediu.