Është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Spanja drejt vendit tonë Eralbi Breçani, djali i ish-zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.

I shpallur në kërkim që në nëntor të vitit 2023 si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të kokainës nga Amerika Latinë në Europë, Eralbi Breçani, djali i ish- zv. drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, u vetëdorëzua në Spanjë në 2 prill të këtij viti.

Por për çfarë akuzohet konkretisht Eralbi Breçani?

Sipas SPAK, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal pjesë e të cilit ishte Ergys Dashi dhe Ervin Mata, dyshohet financues dhe porositës i sasive të mëdha të kokainës nga përtej oqeanit. Atij i atribuohet, zbuluar përmes komunikimeve të “SkyECC” sasia e 446 kg kokainë e sekuestruar në Holandë në dhjetor të 2021, me bashkëpunëtorë edhe Ismail Zenelin e Besmir Murtatin.

Edhe persona të tjerë sipas SPAK dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit dhe bashkëpunuan me njëri-tjetrin në formën e strukturuar kriminale, për trafikimin e kësaj sasie kokaine. Sekuestrimi i kësaj ngarkese u bë edhe me arrestimin e një holandez.

I gjithë aktiviteti kriminal i trafikimit të kokainës që vinte nga Amerika Latine në vendet e Bashkimit Europian nga Eralbi Breçani, dyshohej se pastrohej brenda vendit nga babai i tij, ish-zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani. Me veprime aktive të kundërligjshme ka administruar dhe futur në qarkullim të ardhurat e përftuara nga droga të djalit Eralbi Breçani, me qëllim mbulimin e vërtetë të origjinës së tyre. Babë e bir kishin një synim të përbashkët, pengimin e identifikimit të origjinës së të ardhurave.

Përveç trafikut të narkotikëve, grupi ku bënin pjesë babë e bir, shfrytëzonin pozitat zyrtare të disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të mbledhur dhe shpërndarë informacion të klasifikuar, të cilët i ndihmonte anëtarët e tij që t’i shmangeshin drejtësisë dhe të vijonin aktivitetin kriminal.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë